Bilanc tragjik në autostradën Tiranë-Durrës, 2 të vdekur dhe 4 të plagosur
Vazhdon të shtohet bilanci tragjik i aksidenteve rrugore që lënë pas viktima. Një tjetër aksident i rëndë me pasojë vdekjen e dy personave si dhe me plagosjen e katër të tjerëve ka ndodhur mesnatën e së premtes në autostradën Tiranë-Durrës. Policia ka nisur hetimet për shkaqet e aksidentit të rëndë rrugor ku u përfshinë tre automjete, ndërsa ka marrë në pyetje katër personat e tjerë të mbetur të lënduar.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 01:30 minuta, ku tre automjete janë përplasur me njëra tjetrën, pikërisht në afërsi të mbikalimit Shënavlash në superstradën Tiranë-Durrës. Si pasojë e aksidentit, ka mbetur i vdekur drejtuesi i një automjeti tip Golf me targa të huaja AI 518 CS, Jetmir Mazreku, 20 vjeç me banim në Durrës, si dhe bashkudhëtari i tij, Alban Sollaku, 22 vjeç me banim në Krujë. Gjithashtu, nga ky aksident kanë mbetur të plagosur katër shtetas të tjerë të cilët janë Edmond Barushi, 20 vjeç me banim në Durrës, i cili po udhëtonte me automjetin Seat me targa të Durrësit DR 1491 E, drejtuesi i automjetit BMW me targa të Tiranës TR 5524 N, Kujtim Troci, 46 vjeç me banim në Tiranë, si dhe dy pasagjerët Hysen Barushi, 22 vjeç dhe Teo Alikollari, 25 vjeç. Në vendngjarje ka mbërritur menjëherë policia, e cila ka dërguar të plagosurit për në Spitalin Ushtarak Tiranë ku dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën, ndërsa dy viktimat, që janë nga Durrësi janë dërguar për në morgun e spitalit të qytetit bregdetar. Ekspertë në vendngjarje në lidhje me dinamikën e aksidentit deklaruan se automjeti me targa të huaja i cili drejtohej nga viktima Jetmir Mazreku, që vinte në drejtim të Durrësit është përplasur fillimisht me automjetin me targa të Durrësit, për tu përplasur më pas edhe me automjetin BMV me targa të Tiranës, i cili po udhëtonte në drejtim të kryeqytetit. Shkak për aksidentin sipas informacioneve të policisë së Durrësit mendohet të jetë mosrespektimi i rregullave të qarkullimit rrugor, gjendja e dehur e drejtuesve si dhe punimet qe po kryhen në autostradë, që kanë vështirësuar qarkullimin e mjeteve. Ditët e fundit kanë qenë të ngarkuara me aksidente të shumta në disa rrethet të vendit, ku nuk kanë munguar dhe viktimat. Mungesa e sinjalistikës por dhe shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor janë dy nga shkaqet kryesore që çojnë në aksidente shumë automjete në rrugë të ndryshme të vendit.