E Diel, 1 Nëntor 2026

"Të vrasësh zogun përqeshës", një libër për pabarazinë racore

Sapo ka dalë në qarkullim romani "Të vrasësh zogun përqeshës" i autores amerikane Harper Lee. Romani është bazuar gjerësisht në kujtimet e autores për familjen e vet dhe për fqinjët, më saktë në ngjarjet që kanë ndodhur afër vendlindjes së saj, kur ajo ishte 10 vjeç. Romani përshkohet nga ngrohtësia dhe humori, pavarësisht se trajton çështje shumë serioze si dhuna dhe pabarazia racore. Babai i Skotit, personazhit që rrëfen, Atikus Finç, ka shërbyer si një hero moral për shumë lexues dhe si një model integrimi për avokatët. Një kritik e shpjegoi ndikimin e romanit duke shkruar: Në shekullin XX, Të vrasësh zogun përqeshës ka mundësi të jetë libri më i lexuar në Amerikë, dhe protagonisti i tij, Atikus Finç, imazhi më jetëgjatë i heroizmit për barazi racore. Romani i Harper Lee fillimisht u botua në 30 gazeta e revista, duke u diskutuar dhe komentuar gjerësisht nga kritika. Më vonë, bibliotekat britanike e renditën atë krahas Biblës duke u shprehur: Çdo i rritur duhet ta lexojë përpara se të vdesë. Kritikët dhe gazetarët kanë vënë re një nga elementet më të spikatura të stilit të saj, siç është talenti për të shtjelluar natyrshëm ndodhitë, që në një artikull u cilësua stil brilant dhe se Harper Lee ka një dhuratë të dukshme: aftësinë për shtjellimin e historive. Arti i saj është vizual dhe me qartësime kinematografike, ku ne shohim si shkrihet një skenë me tjetrën pa nevojën e përkthimit. Në vitet fill pas botimit të romanit, Harper Lee shijoi vëmendjen që i solli popullariteti i saj, duke dhënë intervista, duke vizituar shkolla dhe duke marrë pjesë në ngjarje që nderonin librin. Më 1961, kur libri kishte 41 javë që renditej në listën bestseller, iu dha çmimi Pulitzer, që e shokoi shkrimtaren Harper Lee. Ajo gjithashtu fitoi çmimin Brotherhood në të njëjtën kohë, dhe Paperback të vitit, çmim nga revista Bestsellers më 1962. Ky është romani i vetëm i botuar nga Harper Lee, dhe, ai vazhdon deri më sot ti përgjigjet jehonës dhe ndikimit në publik. Të vrasësh zogun përqeshës thotë ende atë që duhet të thotë, ai ka mundur tu mbijetojë viteve pa lëkundje. Më 2001, Harper Lee u pranua anëtare në Akademinë e Nderit të Alabamës. Në të njëjtin vit, kryetari i bashkisë së Çikagos Richard M. Daley filloi një program leximi në bibliotekat e qytetit dhe zgjodhi librin e tij të parapëlqyer Të vrasësh zogun përqeshës si titullin e parë të programit Një qytet, një libër. Lee deklaroi se: nuk ka nderim më të madh që mund të ti bëhet librit. Deri më 2004, romani u zgjodh nga 25 komunitete si pjesë e programit të leximit. Presidenti George W. Bush,  më 5 nëntor 2007, i dha personalisht shkrimtares Harper Lee çmimin prestigjioz Presidential Medal of Freedom për librin e saj To Kill a Mockingbird, çmim të cilin e kanë marrë personalitete nga më të shquarat në botë, midis të cilave përmendim Nënë Terezën. Libri vjen si botim i Shtëpisë Botuese OMSCA-1, me përkthim nga Jorgji Qirjako dhe redaktor Loredan Bubani.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›