Opozita zgjedh: Demaçi sfidon Pacollin për President
Deputetët e Kuvendit të Kosovës do të kenë një test të vështirë sot, kur pritet të mbahet seanca e dytë e legjislaturës së re e ku, sipas paralajmërimeve, do të votohet edhe për Presidentin e ri të vendit. Para vetes do të kenë dy kandidatë për president: Behgjet Pacollin dhe Adem Demaçin. Për Pacollin ka vendosur marrëveshja e koalicionit, kurse për Demaçin kanë vendosur partitë opozitare. Sipas portalit ‘Qendra.info’, të cilave u referohet gazeta kosovare Express, mësohet se Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje dhe parti tjera që nuk janë përfshirë në koalicion me PDK-në, kanë vendosur që të propozojnë për postin e Presidentit të Kosovës, Adem Demaçin. Marrëveshja mësohet se është arritur të dielën mes AAK-së dhe Vetëvendosjes, por thuhet se përkrahje për Demaçin do të ketë edhe nga Lidhja Demokratike e Kosovës. Në një pozitë të pavolitshme në këtë rast do të gjenden deputetët e PDK-së. Më parë është paralajmëruar në media se një numër i deputetëve të PDK-së nuk do të votojnë për Pacollin president, e që me kandidimin e Demaçit mund të votojnë për Adem Demaçin. Adem Demaçi, veprimtar i njohur i çështjes shqiptare, ishte burgosur shumë herë nga regjimi serb. Ka mbajtur rreth 30 vjet burg, njihet si Mandela e Europës. Pasi u lirua nga burgu, ai menjëherë vazhdoi aktivitetin e tij politik. Adem Demaçi udhëhoqi Këshillin për Mbrojtjen e Drejtave dhe të Lirive të Njeriut (KMDLNJ) nga 1990 deri 1995. Në vitin 1991 u nderua nga Parlamenti Europian me Çmimin Saharov. Gjatë periudhës 1998/1999, kur mbaheshin takimet në Rambouillet për të ardhmen e Kosovës, ai ishte zëdhënës politik i UÇK-së. Ishte (2005-2007) kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës.