E Shtunë, 31 Tetor 2026

Verifikohen pasurite e paluajtshme

Të gjitha pasuritë e paluajtshme po riregjistrohen dhe verifikohen si objekte fizike ashtu dhe si pronësi. Prej muajsh, Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme me fondet e Bankës Botërore po aplikon projektin në fjalë. Për Alsat, drejtuesi i këtij projekti tregon punën e bërë deri më tani si dhe lehtësirat që ky verifikim i ri do të krijojë si në treg ashtu dhe në regjistrin e pronave.

"Ka filluar procesi i regjistrimit fillestar në 73 zona kadastrale, që përbëjnë rreth 320 mijë pasuri të paluajtshme. Në parashikojmë që të fusim dhe rreth 100 mij pasuri të tjera të paluajtshme dhe të shkojmë në rreth 420 mijë pasuri të paluajtshme në total. Aktualisht ekziston një sistem regjistrimi, që është ai hipotekor por që gradualisht ky sistem do të transferohet në sistemin e ri të regjistrimit që përbëhet nga kartela e pasurisë, dhe certifikata e pasurisë", tha Rezar Turdiu, drejtor i Planifikimit dhe Monitorimit të Projekteve.

Në Tiranë është kryer ky proces për zonën e ish Bllokut dhe Tiranës së Re, një prej zonave kadastrale më të populluara. Ndërkohë, sapo është mbyllur regjistrimi për zonën e Parkut të Liqenit.

"Pasi përfundon puna në terren, hartohen dokumentat e pronësisë kalohet në një fazë shumë të rëndësishme, që është faza e afishimit publik. Gjatë kësaj faze qytetarët kanë të drejtë të shkojnë të verifikojnë të gjithë dokumentacionin, mënyrën se si është bërë regjistrimi i tyrë. Në rast se ka dy tituj pronësie për të njëjtën pronë, këto cështje kalojnë në zgjidhjen gjyqësore", vijon Turdiu. Pas përfundimit të punës me zonat rurale, Zyra e Regjistrimit të Pasurve do të nisë verifikimin e pyjeve dhe kullotave.

Florian Papadhimitri

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›