Bilanci pozitiv i qeverisë, një gur themelor në fitoren e PD-së në zgjedhjet e 28 qershorit
Flet deputeti i Partisë Demokratike, Eris Hoxha
TIRANE – Deputeti i PD-ës, Eris Hoxha vlerëson arritjet e qeverisë në këtë mandat qeverisë, duke i cilësuar rezultatet e saj pozitive, si gurin themelor të fitores së një tjetër mandatit të mazhorancës aktuale, në zgjedhjet e 28 qershorit të këtij viti.
Nga ana tjetër, deputeti Hoxha, vlerëson edhe frymën e konsensusit të ofruar nga mazhoranca, për një sërë ligjesh të rëndësishme, si pjesë të reformës dhe përmbushjes së detyrimeve për anëtarësimin në strukturat euro-atlantike të Shqipërisë.
Si e komentoni realizimin e reformës në drejtësi dhe konsensusin e ofruar së fundi nga opozita për bashkëpunim në këtë fushë?
Me miratimin e ndryshimeve në ligjin për prokurorinë u hodh një hap më tej përpara për të realizuar ato ndryshime të nevojshme në ligjet që rregullojnë aspekte të ndryshme të sistemit të drejtësisë. Çdo konsensus që vjen në këtë drejtim është i mirëpritur. Kjo tregon në radhë të parë se propozimet që vijnë nga Qeveria e shumica parlamentare kanë në themel të tyre përmirësimin e situatës dhe jo ndonjë sulm ndaj institucioneve të këtij vendi. Ne kemi qenë dhe mbetemi për një reformim të gjithanshëm të sistemit të drejtësisë si një nevojë dhe domosdoshmëri për të forcuar demokracinë dhe shtetin e së drejtës në Shqipëri.
PD-ja është e para parti në vendin tonë që ka ftuar opozitën për një bashkëpunim të gjerë në marrjen e vendimeve të rëndësishme për vendin gjatë këtyre viteve qeverisjeje. Ky fakt përbën edhe një tregues së pjekurisë dhe demokratizimit të politikes shqiptare. A mendoni se ligji i lustracionit e shpie më tej procesin e demokratizimit duke larguar nga politika dhe institucionet elementet e vjetër komunistë?
Procesi i lustracionit të institucioneve të një shteti demokratik nga elementë që kanë qenë aktiv ne hartimin dhe ekzekutimin e politikave shtypëse dhe kriminale të regjimit komunist nuk mund veçse t’i bëjë mire demokracisë së brishtë shqiptare. Këtë proces e kanë kaluar të gjithë vendet ish-komuniste dhe megjithëse vonë jemi duke e bërë edhe ne. Kushdo që e sulmon këtë ligj ose nuk e njeh të kaluarën e tmerrshme të Shqipërisë komuniste ose i intereson që në institucionet që janë garant të demokracisë në vend të vazhdojnë të pa shqetësuar individë të cilët kanë qenë shërbëtorë të zellshëm të diktaturës.
Pajisja e qytetarëve shqiptarë me karta identiteti është një proces që arriti të bëhet realitet gjatë këtij mandati të PD-së. Si e komentoni këtë proces dhe cilat mendoni se do të jenë prioritetet kryesore referuar edhe procesit zgjedhor?
Ky është një tjetër premtim i mbajtur nga PD, i cili po bën të mundur që pas 18 vjetësh demokraci shqiptarët ta ndiejnë veten më pranë vendeve me demokraci të zhvilluar. Procesi për mendimin tim është duke u zhvilluar normalisht, bile jam çuditur me interesin e madh të qytetarëve për t’u pajisur me dokument identifikimi të standardeve më të larta. Për sa i përket zgjedhjeve, ky është realizimi i një standardi të rëndësishëm për cilësinë e zgjedhjeve. Më lejoni që pa modesti të them se nëse nuk do të ishte PD-ja në pushtet ne akoma sot do të ishim duke diskutuar rreth mungesës se dokumenteve të identifikimit, pasi PS-ja e tregoi me fakte që 8 vjet jo vetëm që nuk i bëri kartat po as nuk filloi procesin në asnjë nga elementët e tij.
Si e komentoni votën kundër të PD-së për buxhetin e bashkisë së Tiranës?
Unë e quaj një veprim të përgjegjshëm të përfaqësuesve tanë në këshillin bashkiak ndaj mungesës së përgjegjshmërisë dhe arrogancës së kryetarit të kësaj bashkie. Ai buxhet i përket të gjithë banorëve të Tiranës prandaj ne kërkojmë nga hartuesit e tij transparencë se si do te shpërndahen fondet publike, si dhe transaprencë se si do të administratoren të ardhurat e kësaj bashkie, me fjale të tjera leket që qytetaret paguajnë nëpërmjet taksave vendore.
Nëse bëhet një analizë e realizimeve dhe arritjeve të qeverisë gjatë këtij mandati cili do te ishte bilanci?
Bilanci nuk mund të ishte veçse tejet pozitiv. Në tre vjet e gjysmë PD arriti t’i ndryshojë faqen Shqipërisë. Në këtë periudhë ne ratifikuam MSA me Bashkimin Evropian, morëm ftesën ne NATO dhe në prill bëhemi anëtarë me te drejta te plota te Aleancës, hodhe bazat për ndërtimin e një infrastrukture rrugore evropiane dhe po e ndërtojmë atë. Ndryshuam sistemin arsimor ne vend duke e larguar atë nga sistemi i korrupsionit në të cilin e kishin zhytur socialistet. Jemi duke punuar me dedikim drejt stabilizimit te sistemit të energjisë në vend me synimin që ta kthejmë Shqipërinë nga vend me nevoja te mëdha importi në një vend me kapacitete te shumta eksporti, pse jo dhe je superfuqi energjetike në rajonin tonë. Te tilla janë potencialet e vendit. Kemi krijuar një klime jashtëzakonisht lehtësuese për biznesin dhe jemi duke thelluar reformat ne këtë drejtim. Këto dhe shume arritje te tjera nuk ka se si mos ta kemi bilancin e qeverisjes tone tejet pozitiv.
A mund te konsiderohen këto arritje si një garanci për PD-në për rezultate pozitive ne zgjedhjet e ardhshme elektorale?
Këto arritje janë një gur themelor në përballjen tonë në zgjedhjet e 28 qershorit. Ne besojmë në një rezultat pozitiv në këto zgjedhje jo vetëm për shkak të këtyre arritjeve por edhe sepse ne ju kemi treguar shqiptareve se propaganda jonë është puna, janë investimet publike, lufta kundër fenomeneve korruptive, përgjegjshmëria në kryerjen e detyrës se ngarkuar nga elektorati dhe mbi te gjitha përkushtimi ndaj realizimit të një jete sa me te mire te qytetareve të këtij vendi. Ajo që ofrojnë kundërshtarët tanë janë fjalë fjalë dhe vetëm fjalë. E bënë këtë për 8 vjet në pushtet dhe vazhdojnë edhe tani që janë në opozitë. Besoj se në 28 qershor shqiptaret do ta tregojnë me vote se nuk mashtrohen nga fjalët boshe dhe propaganda e PS-ës. Ata do të votojnë edhe njëherë për alternativen e punës dhe te dedikimit ndaj qytetareve, për alternativen me te mire, për Partinë Demokratike.