E Diel, 1 Nëntor 2026

Tellalli Shalsi vazhdon të lëshojë kujën rrugëve të Tiranës

Dy javë nga rrëzimi plebishitar i projektbuxhetit, ende asnjë reflektim nga kryebashkiaku me korrespondencë i kryeqytetit

TIRANE - Pa reflektuar aspak lidhur me kritikat ndaj problemeve serioze që mbart projektbuxheti i Bashkisë së Tiranës për këtë vit, kryebashkiaku Edi Rama vazhdon që të atakojë kundërshtarët e tij kryeministrin Sali Berisha dhe kreun e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta.
Edhe dje nënkryetari i Bashkisë, Eduar Shalsi, gjatë një komunikimi me mediat në kryqëzimin e rrugës “Siri Kodra” me atë “Jordan Misja” dje në mesditë u shpreh se “këshilltarët kukulla të Sali Berishës e Ilir Metës nuk duan t'ia dinë për kërkesat e nevojat emergjente të banorëve të kryeqytetit”.
Shalësi pretendoi dje se Bashkia e Tiranës kishte projektuar një shkollë moderne për fëmijët e kësaj zone, por që nuk mund të realizohet pasi buxheti tashmë është bllokuar.
Dy javë më parë Këshilli Bashkiak i Tiranës rrëzoi me shumicë votash projektbuxhetin e Bashkisë së Tiranës për vitin 2009. Projektbuxheti u rrëzua nga votat e Këshilltarëve demokratë dhe abstenimin e këshilltarëve të LSI-së, të cilët e konsideruan atë “të pamotivuar, me mangësi dhe jo të denjë për kryeqytetin”.
Sikundër edhe në mbledhjen e fundit të dhjetorit, ata kanë kërkuar që kreu i Bashkisë së Tiranës të jetë prezent dhe të japë shpjegimet e duhura për zërat e këtij projektbuxheti. Ndërkohë që mungesës së Ramës në këtë mbledhje, këshilltarët e PD-së i kanë shtuar edhe atë që e kanë cilësuar si “mungesë reflektimesh në projektbuxhet”.
Sipas tyre, ky dokument nuk ka pësuar asnjë ndryshim nga mbledhja e fundit, ndaj dhe e kanë rrëzuar.
Nga ana tjetër këshilltarët demokratë kanë akuzuar Ramën se edhe fondi i komunitetit prej 10 për qind, një risi kjo e përfaqësuesve të Bashkisë së Tiranës, “nuk është transparent dhe do të përdoret për qëllime elektorale prej socialistëve”.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›