E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bilanci tregtar shënon rënie për janarin

Eksportet dhe importet kanë rënë gjatë muajit të parë të vitit Bilanci ngushtohet në 210 milionë USD

TIRANË - Shqipëria ka pasur një aktivitet të ulët ekonomik gjatë muajit janar. Referuar të dhënave nga Instituti i Statistikave, gjatë janarit, Shqipëria ka pësuar ulje të konsiderueshme në shkëmbimet e mallrave me vendet e tjera, duke shënuar një ulje të fortë të deficitit tregtar.


Për këtë periudhë të vitit, vendi ynë ka pasur 6.7 miliardë lekë mallra eksporte dhe 28 miliardë importe, duke ngushtuar në 21 miliardë lekë deficitin tregtar të këtij muaji.

Kjo shifër është më e ulëta që është shënuar ndonjëherë që nga muaji korrik i vitit 2007. Treguesi pozitiv i uljes së deficitit të shkëmbimeve tregtare me vendet e tjera, vjen si pasojë e uljes që kanë pësuar importet dhe eksportet e vendit, duke nxjerrë në pah një ulje të aktivitetit ekonomik të vendit gjatë këtij muaji.


Sipas të dhënave, eksportet dhe importet kanë shënuar një ulje të dyanshme në krahasim me muajin paraardhës dhe me të njëjtin muaj të vitit të kaluar, por rënia më e fortë vërehet në kahun e importeve, me 15 miliardë lekë më pak në krahasim me muajin paraardhës dhe 4 miliardë më pak në krahasim me të njëjtin muaj të vitit 2008.

Ndërsa, eksportet, në vlerë kanë një rënie të lehtë prej rreth 300 milionë lekësh ndaj muajit dhjetor, dhe krahasuar me janarin e vitit 2008, diferenca arrin në 880 milionë lekë. Ekspertët thonë se rënia në vlerë e bilancit tregtar vjen nga rënia e çmimeve në tregjet e huaja, duke ndikuar kështu në importe më të lira.

Një rënie të konsiderueshme kanë pësuar importi i disa grupeve të tjera mallrash, siç janë, grupi "Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi", me 42 për qind, grupi "Produkte kimike dhe plastike", me 40 për qind, "Ushqime, pije, duhan", 35 për qind dhe grupi "Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike", me 32 për qind.

Gjatë janarit 2009, importi i mallrave me akcizë arriti vlerën e 3 miliardë lekëve, duke qenë një zë i rëndësishëm në totalin e importeve shqiptare. Importet e këtij grupi mallrash kanë shënuar një ulje me 5 për qind në krahasim me të njëjtin muaj të vitit të kaluar. Peshën më të madhe të këtyre mallrave e zënë nënproduktet e naftës, afërsisht sa çereku i totalit të tyre.

Për sa u përket eksporteve, një serë kategorish kanë shënuar rritje. Kështu, përmendim grupin "Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi", me 24 për qind, "Tekstile dhe këpucë", me 7.5 për qind dhe grupin "Produkte kimike dhe plastike", me 11 për qind. Edhe gjatë janarit, pjesën më të madhe të tregtisë me jashtë e ka zënë ajo me vendet e Bashkimit Europian, me 70 për qind të totalit të tyre.


 

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›