E Diel, 1 Nëntor 2026

Bild: Lajme shumë shqetësuese nga Shkupi

(E plotësuar) Ministri i jashtëm i Suedisë, Karl Bild ka shprehur shqetësime lidhur me situatën e fundit politike dhe tensionet në Maqedoni.

“Janë shumë lajme shqetësuese nga Shkupi për ate se si policia ka hyrë në Parlament dhe i ka nxjerrë jashtë deputetët e opozitës. Demokracia e Bashkimit Evropian nuk duhet të funksionojë kështu”, ka shkruar shefi i diplomacisë suedeze dhe një nga figurat kryesore të politikës evropiane, Karl Bild, në profilin e tij në Twitter.

Edhe diplomatë të tjerë të vendeve anëtare të BE-së kanë shprehur shqetësime lidhur me situatën e djeshme dhe tensionet në Shkup, që pasuan për shkak të buxhetit 2013 dhe protestave të opozitës.

-----------

Në Maqedoni pritet të vazhdojnë protestat e opozitës dhe tensionet politike, pas votimit të djeshëm të buxhetit 2013 nga maxhoranca dhe anashkalimi i dhunshëm i deputetëve të opozitës maqedonase nga Parlamenti.

Partia opozitare maqedonase LSDM dhe aleatët e saj kanë theksuar se me miratimin e buxhetit në mënyrë të dhunshme nga maxhoranca VMRO-DPMNE dhe BDI është suspenduar demokracia dhe liria në Maqedoni. Lideri i LSDM-së, Branko Cërvenkovski ka ftuar qytetarët për padëgjueshmëri qytetare.

“Prej sot nuk ka Parlament dhe deputetët tanë nuk janë atje. Prej sot është ditë e madhe, andaj rrugën e kemi të pastër. E dijmë se me kë kemi punë. Prej nesër fillon padëgjueshmëria e përgjithshme qytetare. Për lirinë, demokracinë dhe Maqedoninë më të mirë”, deklaroi Cërvenkovski, duke theksuar se prej nesër do të rrugëtojnë deri në fund dhe nuk ka kthim.

Bllokua opozitar sot pritet të shpalos agjendën për veprimet e saj antiqeveritare, ndërsa nuk përjashtohen edhe zërat për zgjedhje të parakohshme parlamentare, raporton INA.

Nga ana tjetër, kryeministri Nikolla Gruevski në një fjalim para qytetarëve mbrëmë deklaroi se ai do ti përgjigjet të gjitha skenareve të opozitës dhe se sipas tij, është dëshmuar se populli është me të në këto momente të rëndësishme për vendin.

“Duke pasur parasysh se Branko Cërvenkovski paralajmëroi vazhdim me skenarin humbës të tij, dëshiroj të potencoj se ne jemi të gatshëm për të gjitha skenaret e mundshme me qëllim mbrojtjen e interesave të qytetarëve dhe mbrojtjen e kushtetutës dhe ligjeve. Kam duruar shumë, kam kaluar gjithçka në jetën time. Por në shumë raste mbijetova për shkak të një gjëje se populli ishte me mua", ka nënvizuar Gruevski.

Tensionet dhe protestat në Maqedoni pasuan lidhur me miratimin e projekt – buxhetit 2013. Opozita kishte projekt – buxhetin e saj kursyes në periudhën e krizës ekonomike, ndërsa partia shqiptare RDK kishte propozuar mbi 400 amendamente, që gjë nuk u përfillën me votimin e djeshëm. Opozita theksoi se dje është suspenduar demokracia dhe Kushtetuta, pasi që maxhoranca votoi projekt – buxhetin duke mos përfillur procedurat demokratike. Ditët e ardhshme do të vijojnë me skenare të protestave të opozitës, ndërsa edhe partia e kryeministrit Nikolla Gruevski ka planifikuar që me protesta të njejta ti përgjigjet opozitës./Indeksonline/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›