Bosch: Reforma zgjedhore, marrëveshje të gjerë
• Kreu i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ambasadori Robert Bosch, mirëpriti dje propozimet për reformën zgjedhore dhe bëri thirrje për dialog dhe bashkëpunim mes gjithë partive të përfshira. Sipas tij, propozimet e bëra synojnë të përmirësojnë sistemin aktual. “Partitë politike shqiptare kanë paraqitur një sërë propozimesh mbi reformën zgjedhore, të cilat synojnë të përmirësojnë sistemin elektoral për të adresuar mangësi të identifikuara edhe në raportet e zyrës së OSBE-së për institucione demokratike dhe të drejtat e njeriut”, shprehet zyra e OSBE-së në njoftim e saj zyrtar. Por ambasadori Bosch shprehet se, marrëveshja për sistemin zgjedhor duhet të arrihet në mënyrë sa më të gjerë të mundshme ndërpartiake. “OSBE-ja inkurajon të gjitha partitë të debatojnë mbi propozimet dhe të arrijnë një marrëveshje ndërpartiake sa më të gjerë të mundshme për një sistem zgjedhor që i përshtatet më mirë realitetit shqiptar”, tha Bosch. Sipas tij, “Prezenca e OSBE-së është e gatshme t’i sigurojë mbështetje teknike Kuvendit, por janë aktorët politikë shqiptarë ata që duhet të vendosin se si të ecin përpara.” Edhe disa ditë më parë ambasadori i OSBE-së në Tiranë u deklarua nga qyteti i Shkodrës se, sistemin e përcaktojnë partitë politike dhe kërkoi që të gjendet konsensus sa më i gjerë për reformën. Deklarata e ambasadorit Bosch vjen në një kohë që debati në vend mes partive të mëdha PS-PD dhe partive të tjera ka arritur kulmin me akuza të ndërsjellta. Në këtë fazë, dy partitë e mëdha bëhen gati të kalojnë në Parlament ndryshimet kushtetuese për reformën zgjedhore, të cilat do t’i hapin rrugë përcaktimeve të tjera në Kodin Zgjedhor. Të dyja palët, PS-PD kanë pranuar sistemin proporcional rajonal në 12 qarqe dhe listat e mbyllura të kandidatëve, gjë që është kundërshtuar nga partitë e vogla, të cilat kërcënojnë me referendum popullor për sistemin zgjedhor.