Bill Clinton kryeson lobimin e SHBA për njohje të reja të Kosovës
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë nisur një ofensivë diplomatike për njohjen e Kosovës, në të cilën është përfshirë edhe ish-presidenti amerikan, Bill Clinton. Një sektor i tërë i Departamentit të Shtetit të SHBA i ngarkuar me çështjen e Kosovës gjendet në kryeqytetin e Perusë, Lima, ku ka nisur sesioni i Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Shteteve të Amerikës (OAS). Në Lima mëngjesin
e së hënës ka arritur edhe ish-presidenti amerikan Bill Clinton, i cili, siç thonë burimet diplomatike, është përfshirë drejtpërdrejt në lobim për njohjet e reja të Kosovës, raporton një agjenci e huaj lajmesh. Ish presidenti Clinton është i dërguar i posaçëm i SHBA për Haitin, dhe në këtë cilësi ai ka kohë që merr pjesë në takimet e OAS dhe konferencat e ndryshme të kontinentit amerikan. Kjo agjenci, më tutje, shton se në Limë gjendet edhe një delegacion nga Kosova, i kryesuar nga zëvendësministrja e Jashtme e Kosovës, Vlora Çitaku.
Delegacioni i Kosovës
Sipas burimeve të paemëruara diplomatike që citon agjencia, delegacioni i Kosovës nuk ka qasje në sesionin e Asamblesë së Përgjithshme të OAS, por me ndihmën e amerikanëve dhe të përfaqësuesve të disa shteteve të tjera, megjithatë është duke mbajtur takime me palë të ndryshme pjesëmarrësve në këtë konferencë. Delegacioni i Kosovës qëndron në Limë me rekomandimin e SHBA dhe me përkrahjen logjistike të Perusë, që është një nga vendet e Amerikës Jugore që e ka njohur pavarësinë e Kosovës. Në takimin e Limës merr pjesë edhe ministri i Jashtëm serb, Vuk Jeremiç, i cili ka thënë se Serbia po përballet me një sfidë të madhe, meqë shtete kaq të mëdha, me nivel kaq të lartë, po lobojnë për pavarësinë e Kosovës, duke iu referuar prezencës amerikane në Limë dhe ardhjes së ish-presidentit Clinton. Jeremiç tha gjithashtu se Serbia po përpiqet të parandalojë ndryshimin e qëndrimit të shteteve që nuk e kanë njohur Kosovën. Sipas agjencisë së informacionit, burimet diplomatike kanë shprehur habinë pse në takimin e Limës delegacioni i SHBA përbëhet nga njerëz që janë të ngarkuar me çështjet e Kosovës, duke marrë parasysh që OAS është organizëm që merret kryesisht me problemet e shteteve të kontinentit amerikan. Sipas raporteve, lobimi për njohjen e Kosovës është i përqendruar tek vendet e Karaibeve, ndërsa thuhet se pritet që pas takimit në Lima, ish-presidenti Clinton të vizitojë disa prej vendeve të Karaibeve dhe të Amerikës Qendrore. Kjo, po interpretohet si lobim për njohjen e Kosovës nga këto vende në prag të publikimit të opinionit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, që është thënë se do të ndodhë më 22 korrik. Sipas ministrit të Jashtëm serb, Jeremiç, Beogradi deri më tash ka qenë i suksesshëm në këtë pjesë të botës në pengimin e njohjeve të Kosovës, ndërsa ka thënë se tashti mbetet të shihet se si do të ecin punët në të ardhmen, meqë është vënë në lëvizje artileria e rëndë. Sipas Jeremiçit, ka një ndarje mes vendeve të OAS sa i përket Kosovës, me SHBA që udhëheq një grup vendesh në përkrahje të pavarësisë, dhe me grupin tjetër që është kundër, të cilin e udhëheqin Brazili dhe Argjentina. Takimi i vendeve të kontinentit amerikan është hera e dytë për një kohë të shkurtër që një forum multilateral po bëhet skenë e lobimit ekstensiv për njohjen e pavarësisë së Kosovës. Pak kohë më parë, me ftesën e Francës, delegacioni i Republikës së Kosovës i kryesuar nga ministri i Jashtëm, Skënder Hyseni, ka marrë pjesë në samitin Francë-Afrikë. Sipas burimeve diplomatike, është e qartë që, në pritje të opinionit të GJND shtohet presioni nga shtetet e mëdha, sikur janë Amerika dhe Franca, në shtetet e tjera që ta njohin pavarësinë e Kosovës.
Jeremiç paralajmëron ditë të vështirë në luftë për Kosovën
Shefi i diplomacisë serbe në Lima, Vuk Jeremiç ka deklaruar se në dallim nga Prishtina, Serbia nuk ka pasur ndonjë superfuqi. Kjo nuk është një luftë e barabartë. Para nesh kemi ditë të vështira në luftën për Kosovën. Pavarësisht nga kjo, Serbia do të vazhdojë të luftojë me mjete paqësore, politike dhe diplomatike për ruajtjen e sovranitetit dhe të integritetit territorial, thekson ai. Agjencitë serbe të lajmeve, bëjnë të ditur se Jeremiç në margjinat e Kuvendit të Përgjithshëm të OAS ka pasur shumë takime dhe bisedime me përfaqësues shtetesh të Amerikës Latine dhe Karaibeve, ndër të cilët edhe me ministrat e Bahamas, Ekuadroit, Panamasë, Uruguajit, Guatemalës, Barbadosit dhe Guajanës. Po përballemi me presione të fuqishme për njohje të reja të Kosovës, ka bërë me dije Jeremiç, duke përmendur se Beogradi, për dallim nga Prishtina, në Lima nuk ka pas ndonjë superfuqi. Nuk kemi askënd që do të ishte në gjendje të ofrojë ndihmë të madhe financiare ose të kërcënojë me heqjen e privilegjeve dhe të preferencialeve. Edhe pse para nesh kemi ditë të vështira në luftën për Kosovën, nuk ka dorëzim dhe nuk ka heqje dorë. Do të vazhdojmë gjithë çështë e mundur që me mjete paqësore, politike e diplomatike të luftojmë për ruajtjen e sovranitetit dhe të integritetit territorial të vendit tonë, ka theksuar kryediplomati serb, Vuk Jeremiç.
EULEX në Kosovë edhe për 2 vjet, shtyn mandatin deri në 2012
Bashkimi Evropian ka vendosur ditën e djeshme që ta zgjasë mandatin e misionit EULEX në Kosovë, deri në qershor të vitit 2012. Ky vendim u morr në Bruksel ku të pranishëm ishin përfaqësuesi i BE në Kosovë, Piter Feith, dhe shefi i misionit EULEX, Iv De Kremabo. Ata u paraqitën para ambasadorëve në Këshillin për politikë dhe siguri të Bashkimit Evropian, duke folur edhe për situatën aktuale në Kosovë dhe për masat që po merr EULEX, në bashkëpunim me autoritetet e Kosovës, për luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit. Pas këtij vendimi të dy përfaqësuesit e lartë evropianë në Kosovë kanë deklaruar se prioritet i misionit evropian do të mbetet edhe më tutje ndërtimi i shtetit ligjor dhe lufta kundër korrupsionit. Me këtë rast shefi i EULEX, De Kermabo, ka konfirmuar se para përfundimit të këtij viti do ta lëshojë postin e të parit të EULEX, e nëse është e mundur edhe më parë. De Kermabo, por edhe Piter Feith, e kanë lavdëruar kryeministrin Thaçi për sjellje konstruktive gjatë hetimeve. Që të dy deklaruan se janë të përkushtuar të funksionalizojnë gjykatat në veri të Mitrovicës. Shefi i ICO përsëriti se nuk do të ketë ndarje të Kosovës. Pieter Feith, tha se veriu sigurisht që do të jetë pjesë e perspektivës evropiane sikurse të dyja vendet, Serbia dhe Kosova. Veriu nuk duhet të lihet anash, nuk duhet të përfundojë si konflikt i dhunshëm. Mendoj se kemi një marrëveshje të përgjithshme se nuk duhet të na kënaq ideja e ndarjes. Kosova duhet të mbetet e tillë. Prandaj, është e rëndësishme që Bashkimit Evropian dhe tërë bashkësisë ndërkombëtare tu jepet qasje e madhe në veri, në mënyrë që të punojmë në zhvillimin socio-ekonomik dhe të fuqizojmë sundimin e ligjit dhe të sigurojmë shërbime më të mira për qytetarët në veri, ka theksuar ai. Ndërkaq, Yves de Kermabon, u shpreh se kanë disa shembuj të punës së institucioneve vendore. Janë arrestimet e fundit që ka bërë Policia e Kosovës. Fjala është për dy persona të arrestuar për trafikim. Ky aksion është zhvilluar në bashkëpunim me Policinë e Shqipërisë, sepse kjo ka ndodhur në Kukës. Ky është fillimi, pra hapat e parë të angazhimit dhe të punës së institucioneve vendore. Kemi prokurorët vendorë në Zyrën e Prokurorisë Speciale të Kosovës, të cilëve po u japim së më shumë përgjegjësi, duke përfshirë disa raste ndjeshme, në mënyrë që të dëshmojnë se ata janë shumë të angazhuar dhe të vullnetshëm për të ecur përpara, është shprehur Kermabon.
Bentler: Integriteti i Kosovës, i garantuar
Komandanti i trupave të KFOR, Markus Bentler ka deklaruar se integriteti territorial i Kosovës është i garantuar, duke qenë se ajo është pjesë e Marrëveshjes së Kumanovës. Në një intervistë për një radio kosovare, gjenerali ka dhënë garancinë e tij se nuk do të ketë kurrë ndarje të Kosovës. Ndërsa duke komentuar situatën në shtetin e ri, Bentler ka theksuar se siguria është ende e brishtë, ndërkohë që përsa i përket veriut ka nënvizua