Bill Klinton, të dielën në Kosovë
Ish-presidenti i SHBA-ve Bill Klinton, ditën e diel do të vizitojë Kosovën. Lajmi u bë i ditur nga kryeministri Hashim Thaçi në mbledhjen e Qeverisë, ndërkohë që ftoi popullin e Kosovës, të dalë dhe t’i bëjë një pritje madhështore mikur të madh të shtetit të ri. Klinton, vjen të dielën për të marrë pjesë në inaugurimin e shtatores së tij, e cila do të zbulohet në sheshin që mban emrin e ish-presidentit amerikan, për nder të kontributit që ai ka dhënë për çlirimin eKosovës. Po ashtu, pas mbledhjes se Qeverisë, zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi, ka folur për tragjedinë e Tisës duke thënë se Qeveria e Kosovës është duke bërë të pamundurën për të zbardhur fatin e personave që dyshohet të jenë zhdukur. Krahas angazhimeve të tjera për këtë çështje, Kuçi tha se Qeveria e Kosovës e ka dërguar ambasadorin e Kosovës në Austri, Sabri Kiçimarin, për të qëndruar më afër kësaj ngjarjeje.
Serbi
Tadiç: “Vendimi i GJND-së i përshtatshëm për Serbinë”
Vendimi i Gjyqit Ndërkombëtar të Drejtësisë për pavarësinë e Kosovës do të jetë i përshtatshëm për Serbinë, ka deklaruar kryetari i Serbisë Boris Tadiç. Në intervistën për gazetën gjermane “Nojes Dojçland”, Tadiç ka thënë se pas këtij vendimi “Serbia në çdo moment do të jetë e gatshme për bisedime me Prishtinën për ardhmërinë e Kosovës”. I pyetur nëse Beogradi disponon planin B në rast të vendimit negativ për Beogradin nga Gjyqi Ndërkombëtar i Drejtësisë, Tadiç ka thënë se “tash nuk është momenti për mendime të tilla”.
SHBA
Ekonomia shënon rritje të ndjeshme
Sipas statistikave zyrtare, pas 12 muajsh rënie, ekonomia amerikane ka filluar të rritet përsëri. Ekonomia më e madhe e botës u rrit në tremujorin e fundit me 3.5 për qind në nivel vjetor. Këto shifra nuk shkaktojnë suprizë, por ka një debat nëse kjo tendencë pozitive do të vazhdojë. Ka kohë që disa ekonomistë me përvojë po thonë se besojnë që recesioni në SHBA ka marrë fund. Rritja me 3.5 për qind, në ekonomi e tregon këtë, të paktën në letër.Ky është përmirësimi i parë i rregjistruar në rritjen në SHBA për një vit.
Pakistan
Bilanci i të vdekurve shkon në 105
Bilanci i të vdekurve nga shpërthimi në qytetin veriperëndimor pakistanez Peshavar ka shkuar në 105 vetë. Automjeti shpërtheu në një treg të populluar me gra dhe fëmijë. Askush nuk e ka marrë përgjegjësinë për shpërthimin. Ministri i Jashtëm, Shah Mahmud Kurejshi tha se sulmi nuk do ta thyejë vendosmërinë e qeverisë për ta vazhduar ofenzivën kundër militantëve në rajonin e Vaziristanit jugor. Sulmi ndodhi në kohën kur Sekreterja e Shtetit, Hillari Klinton mbërriti në vend që të ofrojë mbështetje për luftën e Pakistanit kundër Al Kaidës dhe kryengritjes së talibanëve.
Iran
Ahmadinexhad i jep përgjigje propozimit të OKB-së
Mediat iraniane njoftuan se Irani ia ka prezantuar Agjencisë Ndërkombëtare për Energji Bërthamore në Vjenë përgjigjen e tij ndaj projekt marrëveshjes bërthamore me fuqitë botërore. Agjencia ISNA ka cituar emisarin iranian në agjencinë, Ali Asgar Soltanie, të ketë thënë se “Irani ka kërkuar “plotësime teknike dhe ekonomike”. Më herët, presidenti i Iranit, tha se Irani do ta mirëpresë marrëveshjen bërthamore të propozuar me Rusinë, SHBA-të dhe Francën. Ahmadinexhad gjithashtu tha se megjithëse Irani është i gatshëm të bashkëpunojë, “vendet e përfshira në marrëveshjen gjithashtu duhet t’i përmbushin premtimet e veta”.
30 Tetor 2009