Antigona shqiptare në Teatrin Kombëtar
Islam SPAHIU
Kohët e fundit, artdashësit kryeqytetas patën kënaqësinë e rrallë të shohin premierën e dramës “Antigona kërkon të atin”, vepër e dramaturgut dhe regjisorit, Mihal Luarasi. Duke pasur parasysh veprimtarinë e Teatrit Kombëtar, të panderprerë, ndonëse përmes pengesash e vështirësish, falë vendosmërisë dhe përkushtimit të artistëve, ne prisnim me padurim që ta thoshte fjalën e tij për një realitet që i kushtoi aq shumë këtij vendi. Është një fat që këtë “krizë” po e pasqyron një personalitet i dyfishtë (autor dhe vënës në skenë) i cili tashmë është një mesazher, një Dante modern që e përshkoi vetë ferrin e persekutimit politik. Pak kohë më parë, në vendin tonë qe shfaqur kryevepra e gjeniut të lashtësisë greke, Sofokliut, “Antigona”, ku heroina mbron “ligjet e pashkruara” të detyrës morale kundër drejtësisë së rreme të arsyes shtetërore. Ky model që na jep arti klasik përmes mitologjisë ka një bazë e natyrisht prandaj është përsëritur gjatë historisë, në hapësirë e në kohë. E nuk kemi pse të çuditemi kur atë e shohim sot në realitetin tonë po me atë forcë, po me atë egërsi, po me atë absurditet. E jo pa qëllim protagonistja e dramës shqiptare mban emrin e asaj të tragjedisë klasike greke. Motivi është i njëjtë: mohimi i varrit. E para u bë fli për detyrën e varrosjes së vëllait; kjo e jona nuk gjen eshtërat e të atit... Në qoftë se ne mitologji nuk ka paradoks, sepse atje gjithçka është e pranueshme, në realitet kjo gjë bëhet cfilitëse, vrasëse sepse është e prekshme, e ndjeshme, tokësore; në këtë sens ia kalon edhe fantazisë. “ǒgjë për mua mund të jetë më fantastike se realiteti?” – pat thënë njëherë Dostojevski. Por motivi që ka gjetur autori i dramës është vetëm pikënisja për tablonë universale; e kjo është pasqyruar mjeshtërisht si në tekst ashtu edhe në skenë. E për ta përfshirë gjithë këtë masë, ka mjaftuar një orë e gjysmë kohë dhe një vend i vogël siç është skena e teatrit. Skeptikëve mund t’u kujtojmë se çfarë shkruante Noli në parathënien e përkthimit të tij të “Jul Çezarit”: “Shekspiri… e ka sintetizuar këtë periudhë të historisë romane aq mjeshtërisht, sa Jul Qezari” i tij i shkurtër vlen më tepër se dyzina vëllimesh mbi këtë temë, shkruar prej historianësh të specializuar”. Padyshim, ne kemi rastin të vërejmë mjerisht që gjithçka që është thënë dhe bërë te ne, për dënimin moral të së kaluarës së zezë, qoftë nga politika, publicistika, gjer diku edhe letërsia, është e paktë. Janë ngritur shumë zëra nga shtresa e të dënuarve politikë për të afërmit e tyre që nuk u dihet varri. Në një mbledhje të posaçme, ndodhi që të ishim bashkë me autorin e dramës në fjalë. Madje aty ai e mori fjalën dhe i emocionuar bëri thirrje që të ngrihemi të gjithë për zgjidhjen e këtij problemi të dhimbshëm. Por, ai nuk do të mjaftonte me këtë; do të përdorte armën më të madhe që zotëronte, talentin artistik: Brenda një kohe çuditërisht të shkurtër shfaqi dramën krejtësisht origjinale: “Antigona kërkon të atin”. Sigurisht, ai nuk punoi aq pak për këtë. Aty pasqyrohet një përvojë e gjerë. Bocetat kanë qenë përpunuar me kalimin e kohës në botën e tij të brendshme; nuk duhej veçse një ngacmim, një rast që t’i nxirrte ato në dritë. Siç thamë më lart, autori është edhe regjisori i dramës, kështuqë si teksti ashtu edhe paraqitja skenike është mderne. Skenat e thjeshta, por që paraqesin një botë të tërë; aktorë të paktë (pesë gjithsej) por që paraqesin epoka: atë të së djeshmes dhe të sotmen; janë shtatë tabllo. Arritja është kryer nga profesionalizmi i lartë i artistëve: Ina Gjonci në rolin e Antigonës, Gjergj Mena në atë të “pushkatarit”, Edi Luarasi (Artiste e Merituar) në rolin e nënës, Ahmet Pasha (Artist i Merituar) “Shefi i Madh”, dhe Fatos Sela (Artist i Merituar) në rolin e të atit të “Pushkatarit”. Sa prekës është imazhi mbi siparin e skenës. Spektatori aty sheh tablonë e famshme të Gojas: “Pushkatimi i kryengritësve”. Një paralajmërim ky i dramës që mbetet pas tragjedisë. Ku janë eshtrat e viktimave të diktaturës? Breshëritë e skuadrave të ekzekutimit dëgjohen gjatë gjithë shfaqjes. E më e forta, më tronditësja, me ngjethësja qendron në faktin e gjallë, në personazhin që ka marrë vetë pjesë në ekzekutimin e të atit të Antigonës. Është mbase figura me dramatike pas Antigonës. Ai përfaqëson brejtjen e ndërgjegjes së cilës nuk mund t’i fshihet e prandaj vjen te rrefehet, e vetmja përpjekje për reabilitim. Ai sakrifikon thuajse gjithçka për të ndihmuar Antigonën. Ajo Antigonë, duke bërë thirrje për gjetjen e eshtrave të të atit, bën thirrje për gjithë eshtrat e martirëve që u shuan nën diktaturën më të egër që ka parë historia. Bën thirrje për viktimat e Kënetës së Maliqit, për inxhinjerët e naftës, për dëshmorët e Postribës, të cilët me armë në dorë u ngritën në mbrojtje të lirisë së atdheut. Ajo bën thirrje për luftëtarët e lirisë të çetave që luftuan nëpër malet e Mirditës gjer në vitin 1953; bën thirrje gjithashtu, për martirë të veçantë që për mendimin e lirë u burgosën dhe u shuan në qelitë e vdekjes dhe sot e kësaj dite nuk u dihet varri. Ajo bën thirrje për eshtërat e humbura të heronjve të kryengritjes të kampit të Spaçit, të cilët për herë të parë nën diktaturën 50-vjeçare, ngritën flamurin kombëtar pa yllin e përgjakur mbi shqiponjë. Interesante dhe figura e “Shefit të Madh”. Ai paraqet të kaluarën mizore dhe të tashmen e pandjeshme. Është shefi i zyrës së arkivit të dosjeve të të dënuarve të diktaturës. I ulur në tryezë me kokë ulur djeg letra. Tymi ngrihet përpjetë. I përgjigjet me ftohtësi e cinizëm Antigonës, e cila ka ardhur për të kërkuar eshtrat e të atit. Ajo e gjen dosjen por është bosh. Tymi… Më në fund i deklaron vajzës së mjerë se ai vetë kish qënë prokurori që kish asistuar në ekzekutimin e atit të saj. E pastaj duke mbrojtur “të drejtën” e kohës së diktaturës thotë me gjakftohtësinë më të madhe: “… ju, shtresa e të dënuarve politikë, që dolët gjallë nga burgjet jetoni në një keqkuptim. Po. Me duket se u gënjen mendja, sikur bashkë me pafajsinë që ua dhamë, keni fituar edhe shtetin… Shteti edhe për një kohë mjaft të gjatë do të jetë në dorën tonë, natyrisht jo në emër të komunizmit…” Çfarë ngrirje bie mbi shpirtërat e zemrat tona përballë këtij cinizmi të atij që duket si një fantazmë që del nga varri i një së kaluare fare të afërt! E ja figura e nënës së Antigonës, e gruas shqiptare të persekutuar që nuk u mposht nga torturat morale apo fizike, por me stoicizëm duroi vuajtjet duke i qëndruar besnike bashkëshortit, familjes; duke i rritur me sakrifica fëmijët, trashëgimtarët e së ardhmes. E në këtë rol qendron natyrshëm aktorja Edi Luarasi, e cila qe vetë nga të rrallat që pat fatin ta kalojë atë provë me moralin më të lartë. Një prind tjetër negativ: I ati i pushkatarit. Ky oficer me uniformë, grotesk, personifikon, do të thoshim, “terroristin e terrorizuar”. Në debat me të birin e pakënaqur, tregon me gisht portretin e diktatorit dhe thërret me qortim “Mbylle gojën, mos ma shaj atë, se për ideal të partisë… (ngre dorën për ta goditur…) Ndërkaq, në tabllotë që vijojnë vazhdon kërkimi i eshtrave. Më në fund, në vendin e gërmuar, një pëllëmbë dorë e madhe e ngritur para sfondit të zymtë; një atmosferë makabre kjo, e zgjidhur bukur nga skenografi Klajd Ymeri. Dëgjohet thirrja: “E gjetëm!...” – Po çfarë? Prangat! “Im atë, edhe pas vdekjes, katërmbëdhjetë vjet, në pranga…” Tani epilogu: Antigona u drejtohet shikuesve, për të marrë mandimin mbi “nyjen” që i ka lënë për të zgjidhur autori: ǒdo të bëhet me Artanin të cilin brejtja e ndërgjegjes e çoi në rrëfimin e krimit dhe ish aq i sinqertë sa bëri çmos për të ndihmuar bijën e viktimës. Antigona nuk e quan vrasës por megjithatë a mund ta dashurojë atë? Po ose jo; nuk është në gjendje ta zgjidhë vetë ndaj i drejtohet publikut duke e pyetur se cilin nga dy variantet duhet të pranojë... Megjithatë, drama mbyllet me Antigonën që i thotë Artanit: “Ajo vajzë… që do t’i lindë kjo ndjenjë për ty, do të jetë e lumtur.”. Veç unë (autori i këtij shkrimi) do të jepja votën time, duke cituar Albert Kamynë: “Unë urrej vetëm xhelatët”. Si përfundim, kam bindjen se drama “Antigona kërkon të atin” do të mbetet si gur i çmuar në gjerdanin e shfaqjeve të Teatrit Kombëtar.
30 Tetor 2009