E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bin Laden u spiunua nga burgu, 40 minutat e aksionit final

Dhoma ku u vra osama bin laden ne kompleksin e tij ne qytetin Abutabad

CIA e ka ndjekur operacionin live nga zyrat e saj. I kanë bërë thirrje Osama bin Ladenit të dorëzohet, ai ka refuzuar dhe më pas ata kanë dhënë urdhër, ai u qëllua në kokë. Pas kësaj, në zyrat e CIA-s ka pasur duartrokitje.Operacioni që çoi në vrasjen e liderit të Al Kaedës, Osama bin Laden, mori formë pasi të burgosurit në Guantanamo kanë identifikuar një korrier të besuar të Bin Ladenit, si dikë që kishte jetuar dhe e kishte mbrojtur atë. Ai korrier u bë udhërrëfyesi kryesor në gjetjen e Bin Ladenit, sipas zyrtarëve amerikanë. Operacioni kishte nisur katër vite më parë, kur zyrtarët zbuluan identitetin e korrierit. Dy vjet më parë hetuesit identifikuan zonën e Pakistanit, ku korrieri jetonte bashkë me të vëllain. Në gusht të vitit 2010, u gjet rezidenca e korrierit dhe vëllait të tij në Abutabad, dhjetëra kilometra larg kryeqytetit Islambad. Në shtator 2010, CIA punoi me Presidentin Barak Obama mbi një sërë vlerësimesh që të bënin të besoje se fakti ishte i mundur, Bin Laden mund të ishte në rezidencën në Abutabad. Në shkurt të këtij viti, zyrtarët amerikanë dolën në përfundimin se kishte një bazë informacioni për ndjekjen e Bin Ladenit atje. Gjatë muajve mars dhe prill, Presidenti Barak Obama ka mbajtur një sërë takimesh me Këshillim Kombëtar të Sigurisë për të zhvilluar aksionin për ta sjellë Osama bin Ladenin para drejtësisë. Ka pasur të paktën pesë takime të Këshillit mbi këtë çështje: më 14 dhe 29 mars, 12, 19 dhe 28 prill. Më 29 prill 2011, Presidenti Obama dha urdhrin përfundimtar për operacionin. Më 2 maj 2011, pas shumë muajsh vendimmarrjesh dhe planifikimi, një skuadër ushtarake amerikane, e përbërë prej 24 ushtarësh elitë, drejtoi një helikopter të vogël në kompleks. Tre helikopterë të tjerë të U.S. Navy SEAL, skuadra që kryen këtë operacion, u përfshinë në mision.
Skuadra ka qëndruar në kompleks për 40 minuta. Nuk u ndesh me ndonjë autoritet lokal gjatë kohës së qëndrimit. Bin Laden rezistoi dhe vdiq gjatë shkëmbimit të zjarrit. Ai mori një plumb në kokë. Bashkë me të u vranë edhe tre meshkuj të tjerë. Dy prej tyre besohet se ishin korrierë dhe një tjetër një prej djemve të Bin Ladenit. Një grua e përdorur si mburojë u vra dhe dy të tjera u plagosën. Një helikopter i forcave amerikane u dëmtua për defekt teknik. Shërbimet sekrete amerikane nuk bashkëpunuan me Pakistanin apo vende të tjera për këtë aksion, por i njoftuan vetëm pasi përfundoi. Sipas zyrtarëve, operacioni ka përfunduar rreth orës 3:30 të mëngjesit me orën lokale.  Fillimisht identifikimi i Bin Ladenit u bë vetëm nga fytyra dhe, bazuar në portretin e tij, amerikanët deklaruan fillimisht se e kishin ata trupin. Kjo ngriti polemika mbi vërtetësinë e lajmit, pasi shumë herë ishte menduar se Bin Ladeni ishte vrarë. Disa nga gratë e tij ndodheshin në kompleks dhe njëra prej tyre e kishte thirrur në emër, duke vajtuar përpara se të arrestohej nga forcat pakistaneze, të cilat kishin mbërritur, vetëm pasi i kishin njoftuar amerikanët. Gratë që ndodheshin aty bashkë me disa nga fëmijët e tij u arrestuan. Konfirmimi përfundimtar se Bin Laden kishte vdekur, u bë pas analizave të ADN-së. Testet e ADN-së kanë konfirmuar se Osama Bin Laden është personi që ka vdekur.

Familjarët e viktimave

Osama bin Laden ishte djalli vetë dhe bota jonë është një vend më i mirë pa të, ky ishte komenti i Gordon Felt, president i shoqatës Familjarët e fluturimit 93, një nga katër avionët e rrëmbyer për sulmet e 11 shtatorit, i cili u përplas me 44 persona në bord në një fushë pranë Shanksvill, Pensilvani, përpara se të mbërrinte në objektivin e tij, Uashington.

3519 dite
3.519 ditë pas sulmeve të 11 shtatorit 2001, ku humbën jetën 3000 njerëz, u vra një nga dhjetë terroristët më të kërkuar në botë, Osama Bin Laden.

Vendi ku jetoi në Pakistan

Banesa e fundit e Bin Ladenit

Një fortesë prej një milion dollarësh. Kjo ishte rezidenca e fundit e liderit të Al Kaedës, në Abutabad, në veri të Islamabadit, Pakistan. Një funksionar i Shtëpisë së Bardhë tha: Mbetëm të shokuar nga ajo që pamë, një kompleks vërtet i jashtëzakonshëm dhe unik. Struktura ka një vlerë rreth një milion dollarësh, por nuk kishte as lidhje telefonike dhe as internet. Struktura kryesore, një ndërtesë me tri kate kishte pak dritare që kanë pamje në pjesën e jashtme të kompleksit. Një tarracë në katin e tretë, kishte një mur mbrojtës rreth dy metra të lartë. Një zyrtar tjetër amerikan tha se ndërtesa ishte krijuar pothuaj para gjashtë vjetësh. Ajo ishte dizajnuar posaçërisht për një njeri me problemet e Bin Ladenit. Ishte e rrethuar me mure të larta betoni dhe me tela me gjemba e mbrohej nga dy porta sigurie. Bin Laden besohet se u strehua në të në vitin 2005. 22 njerëz jetonin në ndërtesë dhe të gjithë ata që mbetën gjallë pas aksionit të amerikanëve janë arrestuar nga policia pakistaneze. Në ndërtesë është gjetur një sasi e konsiderueshme materiali që po ekzaminohet nga CIA. Dokumenti i identitetit të pronarit të vilës rezultoi fals. Lider i Al Kaedës tani do të jetë Ayman Al Zauahiri. Askush nuk e di vendndodhjen e terroristit egjiptian dhe FBI ka vendosur një shpërblim 25 milionë dollarësh për kapjen e tij.

Misteri i varrimit në det

Vrasja e Bin Ladenit u konfirmua nga analizat e ADN-së, por mbeti mister mënyra e përcjelljes së tij. Mediat amerikane, bazuar secila në burimet e veta zyrtare, kanë dhënë informacione të ndryshme mbi vendndodhjen e kufomës së liderit të vrarë të Al Kaedës. Sipas Fox news ai u varros dje në pajtim me traditat islame. Islami kërkon që kufoma e të vdekurit të varroset brenda 24 orëve nga vdekja. Kjo agjenci njoftoi se trupi i krijuesit të Al Kaedës gjendej deri pasdite nën kontroll të rreptë në bazën amerikane në Afganistan. Sipas Fox news, trupi mund të dërgohej në Arabinë Saudite për varrim. Por, ndryshe raportoi New York Times, sipas së cilës trupi i terroristit ishte dërguar nga Pakistani në Afganistan dhe ishte varrosur në ujë. Thuhet se Arabia Saudite kishte refuzuar të pranonte trupin e Bin Ladenit nga frika se vendi do të kthehej në pelegrinazh për terroristët. Sipas një zyrtari amerikan është vështirë të gjendet ndonjë vend që do të pranonte mbetjet mortore të Bin Ladenit dhe, për këtë, SHBA ka vendosur ta varrosë në det. Trupi i tij u hodh në det, pas një ceremonie që u zhvillua në aeroplanmbajtësen amerikane USS Carl Vinson. Trupi i vdekur u la dhe u vendos në një çarçaf të bardhë. Më pas u vendos në një çantë të rëndë dhe pas një fjalimi fetar të përkthyer në gjuhën arabe u vendos në një varkë, që u fundos në ujë, ka deklaruar një zyrtar amerikan. Kjo deklaratë ka nxitur polemika të forta, sepse për islamikët hedhja e trupit në det nuk është e pranueshme, madje quhet haram.

FOTO E MONTUAR!?

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›