E Shtunë, 31 Tetor 2026

BinzesAlbania: Ja barrierat e biznesit

Presidenti i Biznes Albania, Luan Bregasi

Biznesi vendës nuk operon në kushtet më të mira të mundshme dhe kjo për shkak të një sërë barrierave që ekzistojnë. Një anketë e BiznesAlbania, në bashkëpunim me Organizatën Botërore të Punës, ka kaluar në skaner për të marrë informacion 500 sipërmarrje në gjithë vendin lidhur me problemet që hasen sot në zhvillimin e aktivitetit të tyre. Prezantimi i të dhënave të këtij studimi u bë gjatë një aktiviteti ditën e djeshme. Presidenti i BiznesAlbania, Luan Bregasi, i cili u shpreh se arsyeja e marrjes së një nisme të tillë lidhet me identifikimin e plotë të barrierave të biznesit. Në këtë mënyrë, sipas Bregasit, edhe qeverisë i vihet në dispozicion një listë problematikash të cilat mund ti shërbejnë asaj për të reaguar me politikat e saj. Ai ka theksuar se përgjithësisht biznesi e ka parë me pozitivitet çdo hap të qeverisë për lehtësimin e burokracive apo krijimin e faciliteteve që burojnë nga aplikimet elektronike. Megjithatë, problemi që reflektohet nuk lidhet me procedurën, por me mënyrën se si vepron administrata. Regjistrimi online i biznesit, pagimi online i detyrimeve fiskale, regjistrimi dhe licencimi elektronik janë disa nga hapat e vlerësuara edhe nga sipërmarrja private. Por nga ana tjetër, nga anketimet rezulton se një pjesë e administratës, që ka lidhje me biznesin, sillen jo mirë, sajojnë probleme dhe inkurajojnë qëndrime që mërzisin biznesin dhe sipërmarrjen private, u shpreh Bregasi.
Studimi
Korrupsioni i administratës duket se është shqetësimi më i madh i biznesit në vendin tonë. Nga studimi i BiznesAlbania rezulton që 97.8 për qind e të anketuarve kanë cilësuar korrupsionin dhe krimin e organizuar si një barrierë kyçe, më pas vjen efikasiteti i ulët i administratës shtetërore dhe gjyqësori, e pas kësaj edhe presioni ndaj biznesit, mitmarrja, arbitrariteti dhe kontrollet për efekt presioni. Numri i barrierave të renditura është i madh, por ajo që e shqetëson më pak biznesin mes gjithë këtyre është infrastruktura e papërshtatshme. Studimi bën edhe një krahasim të barrës fiskale që ka biznesi shqiptar, krahasuar me bizneset në vendet e rajonit. Duke iu referuar Bankës Botërore, studimi vlerëson se në Shqipëri rreth 38.5 për qind e fitimit shkon taksa në arkën e shtetit, ndërsa për vendet e rajonit kjo barrë është më e ulët. Në fakt, nga anketat me bizneset del në pah edhe pesimizmi i këtij të fundit lidhur me ecurinë e vitit 2012. Pyetjeve lidhur me punësimin, shumica i janë përgjigjur që presin që numri i të punësuarve të ulet, kurse lidhur me investimet e tyre, bizneset nuk presin që të ketë ndonjë ndryshim krahasuar me 2011-n. Studimi në fund nuk jep vetëm problematikat, por edhe disa rekomandime të rëndësishme të BiznesAlbania, që synojnë të eliminojnë një pjesë të barrierave që has biznesi sot.

Kerkesat per Qeverine
    Qeveria Shqiptare dhe ligjvënësi duhet të miratojnë sa më shpejt Gjykatën Administrative.
    Të rishikohet ligji për Prokurimin publik dhe përmirësimin e tij.
    Të krijohet dhe funksionojë Agjencia e Arbitrazhit, sipas njërit prej modeleve të vendeve të rajonit, si një ent kombëtar për zhvillimin e dialogut social dhe zgjidhjen e konflikteve midis aktorëve të trepartitizmit.
    Të studiohen mundësitë dhe përvojat e realizimi i Komitetit Ekonomik e Social i Shqipërisë, si bashkim i natyrshëm i Këshillit Konsultativ të Biznesit dhe Këshillit Kombëtar të Punës, i cili të funksionojë në bazë të një ligji specifik, bazuar në një nga vendet e BE-së.
    Qeveria Shqiptare të vazhdojë të ulë, ose në rastin më të mirë, të barazojë barrën fiskale të sipërmarrjes shqiptare me atë të rajonit dhe të vendeve të BE-së, për ti bërë bizneset shqiptare konkurruese në rajon e më gjerë.
    Qeveria duhet të ndërhyjë me mekanizma ligjore për të shmangur diskriminim e bizneseve, që kanë nevojë për kapital bankar. Është koha për një moratorium të biznesit të bankave me biznesin që kreditohet, pra, për një marrëdhënie të re të sipërmarrjes me bankat tregtare.
    I propozojmë qeverisë krijimin e fondeve të investimeve me para publike ose të donatorëve për ti ardhur në ndihmë sipërmarrjes në kushtet e krizës globale.
    Banka e Shqipërisë të ndikojë nëpërmjet mekanizmave ligjore në uljen e kostos së kreditimit dhe të shërbimeve të bankave.
    Të shikohet mundësia e ndryshimeve ligjore në ligjin Për Bankën e Shqipërisë në kontekstin e përbërjes së Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë dhe të pjesëmarrjes së biznesit në këtë Këshill.
    Qeveria shqiptare të respektojë investimet miliona dollarëshe të donatorëve dhe institucioneve të huaja për trajnimin e burimeve njerëzore të administratës publike, dhe në këtë kuadër, respektimin rigoroz dhe pa ekuivokë të Statusit të Nëpunësit Civil.
    Propozojmë përfshirjen në autoritetin e Shërbimit Civil të Republikës.

NERTILA MAHO

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›