E Shtunë, 31 Tetor 2026

Apeli, bankat të rikuperojnë vlerën e kredive me probleme

23/12/2011  Guvernatori Ardian Fullani: Sektori bankar arriti të mbyllë me sukses vitin 2011

Në mbyllje të vitit 2011, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë e ka vënë sërish theksin te nevoja për rikuperimin e kredisë me probleme nga ana e bankave në vend. Gjatë takimit të fundvitit të organizuar nga Shoqata e Bankave, sipas Guvernatorit Fullanit, rënia e cilësisë së portofolit të kredisë dhe kërkesat për administrimin e rrezikut të kreditit, janë shoqëruar me rritjen e fondeve përkatëse rezervë nga ana e bankave dhe kjo ka ndikuar në dobësimin e rezultatit financiar. Megjithatë, përgjigja nga bankat ka qenë e menjëhershme, duke shtuar kujdesin dhe duke arritur të optimizojnë kostot e veprimtarisë dhe të fuqizojnë treguesit e tyre të kapitalit.

Ekzekutimi i kolateralit

Çështja e ekzekutimit të kolateraleve dhe nevoja për përmirësimin e kuadrit ligjor është konsideruar me përparësi nga Banka e Shqipërisë. “Veprimtaria mbikëqyrëse e Bankës së Shqipërisë e ka vënë theksin në identifikimin e saktë të gjendjes së portofolit të kredisë, duke kërkuar që bankat të veprojnë me vendosmëri për të rikuperuar vlerën e kredive me probleme. Kjo do të mundësohet me mbështetje për huamarrësit cilësorë që ndeshin probleme të përkohshme, por edhe me ekzekutim të kolateraleve për huamarrësit e pashpresë. Banka e Shqipërisë është e angazhuar për të përshpejtuar trajtimin me përparësi nga autoritetet publike”, - tha Fullani, duke komentuar ndryshimet në ligjin për bankat, Fullani tha se këto veprime ishin të nevojshme për të adresuar perceptimin e një rreziku të shtuar prej zhvillimeve financiare ndërkombëtare dhe atyre në rajon.

Sistemi bankar

Banka e Shqipërisë i vendos notë pozitive ecurisë së sektorit bankar gjatë vitit 2011. Megjithatë, sipas tij, mjedisi ekonomik gjatë vitit të ardhshëm do të jetë sfidues, ndaj bankat duhet të përsosin aftësitë e tyre për të testuar qëndrueshmërinë ndaj skenarëve të rrezikut. Zoti Fullani tha se vitin e ardhshëm Banka e Shqipërisë do të vazhdojë të përmirësojë kuadrin rregullator dhe praktikat mbikëqyrëse, me objektiv respektimin rigoroz nga bankat të kërkesave për kapitalizim dhe likuiditet. Në fund të shtatorit 2011, totali i aktiveve të sektorit bankar u rrit me 9.5% që prej fillimit të vitit dhe rreth 13% në krahasim me shtatorin e një viti më parë. Portofoli i kredive të sektorit bankar është rritur me 9.6% gjatë vitit, ose rreth 15% në krahasim me një vit më parë, duke zënë 49.1% të totalit të aktiveve. Gjatë vitit, kredia në lekë është rritur me ritme më të shpejta se kredia në valutë. Zgjerimi i aktivitetit është mbështetur kryesisht prej rritjes së depozitave, të cilat zënë 81.4% të totalit të detyrimeve. Gjatë vitit, ato janë rritur me 9.7% dhe janë 14.1% më të larta se në të njëjtën periudhë të vitit 2010. Veprimtaria bankare rezultoi me fitim në masën 1.3 miliardë lekë. Treguesi i mjaftueshmërisë së kapitalit rezultoi në nivelin 15.1 për qind, duke u paraqitur më mirë se niveli në fund të gjashtëmujorit të parë të vitit. Kjo për shkak të rritjes së kapitalit nga disa banka pas kërkesës së bërë nga ana e Bankës së Shqipërisë. Sipas Guvernatorit Fullani, këto zhvillime konfirmojnë qëndrueshmërinë e besimit të publikut në sektorin bankar.

Ecuria e sistemit bankar gjatë vitit 2011

Totali i aktiveve Rritje 9.5% gjatë 2011 dhe rreth 13% krahasuar me shtator 2010

Portofoli i kredive Rritje 9.6% gjatë 2011 dhe rreth 15% krahasuar me shtator 2010

Depozitat Rritje 9.7% gjatë 2011 dhe 14.1% krahasuar me shtator 2010

Fitimi i sistemit bankar 1.3 miliardë lekë

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›