Biografia miliardere e Assange Kam nevoje per para qe te mbrohem
Julian Assange ka firmosur një kontratë prej 1.2 milionë eurosh për autobiografinë e tij. Lajmi është konfirmuar nga vetë themeluesi i “Wikileaks”, në një intervistë të dhënë për “Sunday Times”. Për të blerë të drejtat e saj, 600.000 euro do të paguhen nga shtëpia botuese amerikane “Alfred A. Knopf” dhe 380.000 euro nga britanikja “Canongate”. Kontrata të tjera do t’i sjellin në total një shumë prej 1 milion sterlinash. 39-vjeçari ka shpjeguar se nuk do të kishte dashur të shkruante një libër për jetën e tij, por ka nevojë për para për t’u mbrojtur nga akuzat e përdhunimit në Suedi. “Kam paguar 200 mijë sterlina për shpenzime ligjore e më duhet të mbroj veten dhe ‘Wikileaks’. Edhe pse avokatët më dhurojnë pak nga koha e tyre, mundi i tyre paguhet shtrenjtë”, tregoi Assange, i cili aktualisht po shijon lirinë me kusht në Angli në pritje të seancës së 7 shkurtit për kërkesën e ekstradimit të avancuar nga Suedia, ku australiani akuzohet për marrëdhënie seksuale me dhunë nga dy gra. Për më tepër nuk duhet të harrojmë edhe frikën e madhe të Assange: në rast të ndonjë përfundimi negativ mund të ekstradohet dhe pastaj të vihet nga autoritetet suedeze në shërbim të SHBA-së, duke i dhënë kështu Uashingtonit mundësinë për t’u hakmarrë ndaj njeriut i cili përmes “Wikileaks” komprometoi një pjesë të mirë të marrëdhënieve të saj ndërkombëtare. Në SHBA, Assange duhet të përballet me një kauzë shumë ndryshe nga ajo për të cilën u arrestua në Londër, më 7 dhjetor pas lëshimit të mandatit të arrestit ndërkombëtar nga autoritetet suedeze. Nga ana tjetër, Amerika e konsideron Assange jo një gazetar, por një ekspert spiunazhi. Për këtë arsye kërkon ta arrestojë, pasi përmes “Wikileaks” ai ka shpërndarë qindra mijëra informacione të ardhura nga ambasadat e saj në të gjithë botën. Mes tyre edhe shumë materiale konfidenciale dhe gjykime për liderët dhe klasën politike të shumë vendeve. Me pak fjalë, SHBA-të po presin rastin që të hakmerren. Assange këtë e di mirë, ashtu siç di faktin se për t’u mbrojtur i duhen shumë para. Dalja e librit është menduar për në pranverë.