E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mamate-vajza krenaria e te qenet prind i vetem

Po shtohet gjithnjë e më shumë numri i grave që vendosin t’i rrisin fëmijët të vetme, pa partnerët, apo baballarët e krijesave të tyre. Dhe jo më shumë se kurrë ka të bëjë me një zgjedhje personale dhe jo me faktin se ato janë braktisur. Ja historitë e tyre

“Nënë-vajzë?” Ky emërtim dikur ishte një problem shumë i madh, ndërsa sot përbën një kujtim të trishtuar të së shkuarës. Sot nënat që i rrisin të vetme fëmijët e tyre janë një ushtri gjithnjë e më e madhe dhe madje një pjesë e këtyre nënave janë krenare që janë në pararojë të një fenomeni që po shndërrohet pak nga pak nga një përjashtim, në një rregull të ri të shoqërisë. Shkaqet janë të ndryshme. Disa e kanë bërë një hap të tillë si pasojë e një zgjedhjeje të lirë, të tjera kanë mbetur shtatzënë dhe më pas kanë vendosur që përvojën e prindit ta përjetojnë të vetme me fëmijët e tyre. Ka edhe nga ato që mund t’i kenë prishur marrëdhëniet me partnerët, për shkak të fëmijës, pra mund të jenë braktisur prej tyre, por kjo kategori përbën një përqindje të vogël, e gjithsesi është një “dramë” që tashmë nuk përbën më asnjë problem moral në shoqëritë e zhvilluara të mësuara gjithnjë e më tepër me praninë e familjeve me një fëmijë dhe një nënë.

Të shumta janë rastet që edhe në momentin e regjistrimit të fëmijës nënat e heqin nga gjeneralitetet e tij emrin e të atit, sikur ai të mos kishte ekzistuar, apo kontribuuar biologjikisht në ardhjen në jetë të fëmijës së tyre. Bëhet fjalë për rastet kur babai dihet, e jo në rastet e shtatzënive të krijuara me spermën e marrë në bankat e posaçme, ku atësia është edhe më e fshehtë dhe më e vështirë për t’u marrë vesh. Madje në disa banka, sipas rregullave, nuk mund ta marrësh vesh kurrë se kush është babai.

Në ndihmë të kësaj kategorie nënash vijnë sot, veç të tjerash, edhe një numër i madh sajtesh interneti që ofrojnë shërbime nga më të ndryshmet. Që nga këshillat dhe shërbimet me karakter ligjor e deri te zbritje të ndryshme për mallra, pushime, adresa zyrash dhe salla takimesh mes nënave-vajza e të tjera si këto. Ky fenomen, sipas sociologëve dhe demografëve, shënon një kthesë të madhe në ndryshimin e qelizës së shoqërisë, familjes. Gjithsesi, bëhet fjalë për raste shumë të shpeshta në Europën Perëndimore dhe ndërkohë fenomeni po merr përmasa të mëdha pak nga pak edhe në vendet e Lindjes. Vitet e fundit është i çuditshëm fakti i ndryshimit shumë të madh të mentalitetit të njerëzve, të meshkujve dhe veçanërisht ndryshimi i mentalitetit të brezit të vjetër që ka nisur ta presë pa problem faktin e vajzës që sjell në jetë një fëmijë pa praninë e babait. Madje kjo edhe në vende dikur shumë fanatike dhe me një shkallë mjaft të fortë të lidhjeve të rregullta brenda një familjeje. Interesante është edhe ana tjetër e medaljes, pra baballarët e vetëm. Edhe këta janë një kategori “familjeje” që po shtohet gjithsesi, por krahasuar me nënat e vetme numri i tyre është shumë më i vogël. Presioni shoqëror që ka rënduar dikur mbi një grua që sillte e vetme fëmijët në jetë është zhdukur thuajse tërësisht. Në mënyrë paradoksale disavantazhet (kur ato ekzistojnë) e lidhura me jetën e një nëne pa bashkëshort, sot prekin më shumë nënën dhe më pak fëmijën. Sipas një psikologeje, nuk ka asnjë ndryshim mes faktit të të rriturit me një nënë të vetme dhe atij kur një fëmijë ka dy prindër, por njëri mungon në mënyrë të vazhdueshme dhe nuk është i pranishëm në fazat e rritjes së fëmijës. Në këtë rast kryesisht babai. Sigurisht që financiarisht kjo familje mund të jetë më mirë, por nga ana e edukimit dhe dashurisë babai do të jetë i munguar. Në Europë 20, 30 vjet më parë nuk ekzistonin në shumicë baballarët e përmalluar dhe të përkushtuar ndaj të vegjëlve të tyre. Ata zakonisht ishin zotërinj që punonin gjithë ditën dhe ktheheshin në darkë në shtëpinë e tyre, ku gjendej gruaja shtëpiake dhe fëmijët. Por ai kthehej i lodhur dhe roli i tij ishte shumë më i distancuar ndaj fëmijëve, të cilët ishin tërësisht nën kujdesin dhe kontrollonin e nënës që i ushqente, i lante, u rrinte në kokë për mësimet. Pra, edhe në këtë rast kemi një baba thuajse të munguar në fazat e rritjes së fëmijës.

Ndërkohë kemi edhe tipa të ndryshme nënash në sërën e atyre që kanë vendosur të mos e njohin atin biologjik të fëmijës së tyre. Ka nga ato që janë vetëm dhe janë të lumtura për këtë situatë. Ka gra që kanë vendosur t’i rrisin vetë fëmijët, ka nëna që sjellin në jetë një fëmijë, ndërkohë që jashtë kësaj bërthame të vogël familjare vazhdojnë të lira lidhjet e tyre me meshkuj të tjerë, pa i bërë kurrë pjesë të jetës së tyre private. Sipas sociologjisë dhe psikologjisë zyrtare, dikur fëmijët e çifteve të divorcuar thuhej se do të pësonin trauma në momentin kur do t’u duhej të shkonin në shkollë. Sot ka klasa ku fëmijët me dy prindër janë shndërruar në pakicë krahasuar me ata që kanë prindër të divorcuar, apo që rriten me një prind të vetëm që në fillim të jetës së tyre. Zgjedhja e një gruaje për të sjellë në jetë dhe për të rritur e vetme një fëmijë është një sjellje që kërkon dhe mbart me vete shumë kurajë. Kjo, sepse kësaj gruaje të vetme i duhet që të ketë një performancë të lartë si prind, duke qenë se është prindi i vetëm dhe një performancë të lartë edhe në punë, duke qenë se është i vetmi burim i të ardhurave për familjen. Kjo pa dyshim që është një punë e vështirë dhe me shumë impenjim, e cila ka bërë që sipas disa statistikave, performanca në punë e nënave që rrisin të vetme fëmijët e tyre të jetë shumë më e lartë se ajo e grave pa fëmijë, apo e grave të martuara. Sepse, veçanërisht kur fëmijët rriten, nënat punojnë më shumë dhe kërkojnë më shumë nga karriera e tyre për shkaqet financiare. Në rastin kur gratë kanë një bashkëshort mund të qëllojë shpesh që të mos rikthehen në punë pas shtatzënisë, ose të kenë një marrëdhënie më “dembele” me punën, duke qenë se është bashkëshorti ai që ua mbulon shpatullat financiarisht. Veç kësaj, nënat e vetme kanë një avantazh tjetër. Nuk kanë male me këmisha për të hekurosur, nuk e kanë me detyrim përgatitjen e drekës dhe të darkës tipike për të rriturit. Grave në çift u duhet çdo ditë gjysmë ore më shumë se grave të vetme për t’iu dedikuar familjes. Gratë e vetme qëndrojnë, gjithmonë sipas statistikave, më shumë në zyrë dhe gëzojnë të ashtuquajturat “favore informale”, pa të cilat do ta kishin shumë të vështirë që të jetonin financiarisht.

Në fakt, për sa i përket kësaj kategorie të grave, pjesa më e madhe e atyre që vendosin të sjellin të vetme në jetë një fëmijë u përket grave të shkolluara, madje të mirëshkolluara. Në ditët e sotme janë ato që po hasin vështirësi shumë të mëdha në gjetjen e partnerëve të duhur dhe për një kohë të gjatë. Ndërkohë kanë edhe hallin e orës biologjike, e cila nuk të fal dhe i detyron që në një moment të caktuar të marrin edhe vendime që më parë nuk i kanë çuar as nëpër mend. I tillë si vendimi i sjelljes në jetë i një fëmije pa partner. Fenomeni i nënave-vajza është një fenomen i përhapur në të gjithë Europën, por kryesisht është i përhapur në masë në veri të kontinentit. Kjo sepse, sipas traditës, gratë kanë më shumë barazi me burrat dhe janë më të shumta ato që punojnë. Në jug të kontinentit rastet e tyre janë më të pakta, por edhe aty bëhet fjalë për një tendencë gjithnjë e më në rritje. Ja disa nga rrëfimet e nënave-vajza që gjenden shpesh në sajtet e specializuara online.

“Im bir, Pietro, është 8 vjeç. Është absolutisht mashkulli më i sjellshëm dhe më xhentil që më kanë zënë sytë. Jam krenare që është im bir. Të dyve na pëlqen shumë që të shkojmë në kinema, të hamë më pas një picë në një restorant, të këndojmë në makinë. Këtë vit i kam dhënë çelësin e shtëpisë. Të atin e njeh, e frekuenton ndonjëherë, por unë nuk do të kthehesha kurrë mbrapa. Që në fillim të lidhjes me të e dija që ishte diçka, e cila nuk do të funksiononte kurrë mes nesh, që nuk do të kishim qenë një çift dhe se ai më duhej vetëm për të sjellë në jetë tim bir”.

Por më e komplikuar është situata para ligjit. Nëse pas një kohe të caktuar nëna ndryshon mendje dhe kërkon që t’i japë fëmijës atësinë e babait biologjik, në këtë rast çështja përfundon në tryezën e gjykatësit. Koha në dispozicion për njohjen e atësisë nuk ka asnjë rëndësi. Mund të ndodhë që edhe vetë fëmija kur të rritet të kërkojë babanë e vërtetë dhe kjo është e mundur për të në çfarëdo lloj moshe, vetëm se në këtë rast si gjithmonë çështja duhet të kalojë përmes gjykatës. Zakonisht rastet ekstreme shkojnë të gjitha në provën e ADN-së, e cila është edhe prova përfundimtare që jep verdiktin përfundimtar të një njohjeje atësie. Tashmë kjo provë është shumë e shpejtë, e sigurt dhe bëhet kudo. Gjithsesi bëhet fjalë për pak raste, sepse janë të pakta kërkesat e nënave që në një fazë të mëvonshme kërkojnë njohjen e atësisë për fëmijën e tyre. Edhe më të pakta janë rastet e fëmijëve që kur rriten kërkojnë atësinë e tyre. Në shumë vende të botës kanë lindur dhe po zhvillohen shumë shoqata të ndryshme, që tentojnë jo vetëm ta normalizojnë përfundimisht statusin e nënave-vajza, por madje ta promovojnë atë dhe krenarinë e të qenët një nënë që rrit e vetme një fëmijë, për shkak të zgjedhjes së saj. Parulla e këtyre shoqatave është: “Krenari dhe asnjë pendim”. Të parat që shkuan në radhët e tyre ishin gratë që kishin sjellë në jetë fëmijët me spermën e marrë në bankat e posaçme. Lufta e tyre në këtë rast është lehtësimi i betejave të shumta ligjore. Por në këto radhë po futen edhe ato gra që ndryshuan mendim për baballarët e fëmijëve të tyre gjatë shtatzënisë, apo gjatë momentit kur sollën fëmijën në jetë. Sipas tyre, ato janë ndërgjegjësuar befas dhe nuk kanë dashur që ta ndajnë fëmijën e tyre me asnjë person tjetër, qoftë ky edhe i ati. Ato janë të vendosura që t’i shkojnë deri në fund zgjedhjes së tyre, në shumicën e rasteve, një zgjedhje që sot po përqafohet nga një numër gjithnjë e më i madh grash.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›