Bipolarizmi i njitrajtshëm i shpirtit politik shqiptar
Bilanci i këtyne zgjedhjeve mund të themi se ishte ma se pozitiv. Vetëm nji i vdekun, disa të plagosun e të lënduem, pak tritol aty-këtu, të gjitha këto janë gjana që do të harrohen shpejt, si prej fitimtarëve ashtu edhe prej të mundunve, të cilët e kanë mendjen me e përjetësue kujtimin e liderit të dashun me togfjalësha vajtimtarë me reminishenca koreanoveriore.
Përtej fitores së majtë dhe mundësisë që i jepet së djathtës me u ripërtrí dhe me u kthye me të vërtetë në nji të djathtë me njerëz dhe me program të denjë, prej këtyne zgjedhjeve u pa se shqiptarët janë të polarizuem shpirtnisht. Nji numër i pafund partísh politike që konkuruen u ndanë me nji grusht miza në duer, kjo gja për mue asht nji sinjal i drejtpërdrejtë i vullnetit të përgjithshëm të shqiptarëve.
Kam qenë gjithnji i bindun se, në mungesë të ideologjive të forta, na mjaftojnë dy pole të njitrajtshme politike dhe na dalin e na teprojnë 90 deputetë, tue pasë gjithnji parasysh se tradicionalisht tek ne të paktën nji e treta e atyne që hyjnë në parlament nuk bajnë tjetër veçse zhvendosen thjesht në hapsinë.
Mjafton me pa listën e gjatë të partive politike shqiptare për me kuptue se tek ne politika ka nji tendencë fragmentarizuese që nuk përkon me orientimin shpirtnor të shqiptarëve. Në listën zgjedhore shohim se ka pesë parti që përdorin cilsorin demokristian, në nji kohë që nuk ka asnji politikan shqiptar që të ketë tregue sparit me vepra e mandej edhe me fjalë se njeh ndopak dhe ka si qëllim me u frymzue dhe me frymzue politikën shqiptare me idealet e A. De Gasperi-t, R. Schuman-it, K. Adenauer-it. Ekzistenca e pesë partive demokristiane tregon se ata qytetarë që frymzohen prej parimeve demokristiane tek ne, dhe janë padyshim nji pakicë, janë të destinuem mos me pasë kurrë asnji lloj peshet politike; pra, ata që kanë vendosë e mundësue këto varietete demokristiane e kanë dijtë mirë se kështu getizojnë nji pjesë të elektoratit dhe madje denigrojnë vlerat kristiane. Si mund të ekzistojë nji parti demokristiane pa politikanë demokristianë! Në fakt nuk mjafton me qenë i krishtenë për me qenë demokristian. Fishta dhe Gurakuqi me shokë në vitet 20, kur flitej për mundësinë e nji partie të tillë e përjashtuen menjiherë ketë hipotezë dhe krijuen grupin Ora e Maleve ku merrnin pjesë të krishtenë e muhamedanë.
Por nuk kanë ma shumë arsye me ekzistue, në parim dhe jo në realitet, edhe parti si puna e atyne që gjoja mbrojnë çeshtjen çame. Edhe nji parti e vetme po të ekzistonte në Shqipni, ajo duhet ta kishte për zemër dhe ta mbronte çeshtjen çame, ashtu siç duhet të mbronte çeshtjen e pensionistave, të mjedisit, të unitetit kombtar, të shendetit të banorëve të Republikës, çeshtjen e drejtësisë, të personave me handikape etj.
Fragmentarizimi i shpirtit politik asht shenjë i dobësisë së politikës dhe i çorientimit të saj.
Statutet e partive politike frymzohen dhe orientohen prej ligjit themeltar të Republikës, i cili asht burimi ideal i çdo veprimi politik, kjo gja do të mjaftonte që dy pole të theksonin disa prej postulateve kushtetuese pa degradue në kauza mikroskopike e afatshkurta, thjesht të nënkuptueme apo të shprehuna haptas në programin e çdo partie. Sot kemi parti që figurojnë në listën e zgjedhjeve të fundit që do të duhet të pushonin së ekzistuemi në momentin që do të publikohej nji dekret i thjeshtë ministerial i cili do të zgjidhte kauzën minimaliste për të cilën ato parti janë krijue. Asgja nuk duhet të shumohet pa nevojë, thotë nji moto antike, e tek ne çoroditja e klasës politike ka sjellë me vete nji shumësi të panevojshme e çorientuese entesh të kota.
Nji numër i konsiderueshëm partísh politike qysh në emën thekson unitetin kombtar, integritetin territorial, nacionalizmin e vlera si këto. Po të tjerat mos ndoshta pohojnë të kundërtën?
Tek e mbramja nuk qenë këto parti (janë të paktën nja dhjetë sish) që u hodhën përpjetë me fakte dhe me vendosmëni kundër marrëveshtjes me Greqinë për hapsinën detare, por nji kolonel në pension, i cili madje u instrumentalizue prej nji sharlatani vanitoz si K. Spahiu. Si mund ti besohej nji individi si Spahiu, i cili kur ishte në krye të KLD-së linte krejtsisht mbas doret detyrën e naltë që i ishte besue dhe për të cilën madje paguhej me paret e taksapaguesve shqiptarë për me u marrë me metingje të sherbetisuna me nji nacionalizëm kallp? Vota e ndërshkoi me të drejtë protagonizmin dhe pseudo-nacionalizmin e tij folklorik.
Sot kemi dy forca të randësishme politike dhe nji konsorcium që kalon herë andej herë këtej simbas interesave të çastit. Asht kuptimplotë fakti se votuesit shqiptarë janë të ndamë në dy kampe, tue tregue se nuk e duen fragmentarizimin e shpirtit politik.
Tashti do të shohim se çka do të jetë në gjendje me ba Edi Rama, i cili hyn për herë të parë në parlament dhe ska drejtue kurrë nji qeveri. Berisha asht mundue me e paraqitë në fushatën e fundit si nji zero. Unë se kam takue kurrë Edi Ramën dhe nuk e di nëse asht me të vërtetë nji zero. Di vetëm se edhe në qoftë nji zero ka lanë mbrapa tek e majta që kryeson dhe tek kundërshtarët e tij shumë zero të mirëfillta dhe ka mbërrijtë me vu përpara vetes numrat real të votave të shqiptarëve. Por edhe në qoftë nji zero, e këtu me vjen ndër mend nji shprehje e Theodor Lessing-ut i cili në vitin 1925, me rastin e zgjedhjes së Hindenburg-ut shprehej: Ma mirë nji zero sesa nji Neron (Besser ein Zero als ein Nero).
Por un se besoj se Berisha mendon vërtet që Rama asht nji zero, pse po të ishte zero Berisha do ta kishte përkrahë siç ka ba me shumë tjerë tue nisë tek Fatos Nanoja dhe tue mbarue tek Nishani dekorativ i republikës.
