Po të mos ishte e keqja?
Në këtë botë ka dy lloj tragjedish: njëra që shkaktohet kur njeriu se arrin atë që dëshiron, tjetra ngaqë e arrin. Kjo e fundit është më e rënda, sepse është tragjedia e vërtetë- Oscar Wilde
Sa shpesh njeriu në jetën e tij të përditshme, i gjendur përballë një situate të keqe, e shkaktuar sigurisht prej mendjes së një njeriu të mbrapshtë, i cili i nisur nga vullneti jo i mirë arrin ta pengojë me mjete të ndyta, të ulëta se: Sa shumë duhet të ketë vuajtur njeriu për të ndier aq shumë nevojë për të qenë një palaço?
Të keqen e kemi gjithmonë pranë, madje shumë, shumë më pranë sa e mendojmë ndonjëherë me mendjelehtësi. I buzëqeshim çdo ditë i shtrëngojmë duart me të, ecim në të njëjtën rrugë, blejmë bukën në të njëjtin market, thithim natyrisht të njëjtin ajër, ndajmë të njëjtën atdhe.
Dhe luftojmë secili për të arritur synimin e tij. Por ne nuk e njohim atë, nuk e shquajmë dot, sepse ajo ka një maskë, të cilën e ngjesh fort në fytyrën e saj të shëmtuar dhe shpesh, jo shpesh, por përherë flet dhe buzëqesh me ne ndan të njëjtat emocione, vlera, parime me ne, madje psherëtin…shumë më shumë se ne dhe qahet Pse bota është kaq e padrejtë?
Dhe ashtu siç është e maskuar mirë, afron veshin e hap sytë për të kuptuar planet tona.
Po çplane?
Planet si të punojmë me dinjitet në punën tonë të përditshme, dhe të fitojmë jetesën, duke e dashur punën e jetën. Këto për ne duken gjera normale, por për gjënë e keqe këto janë shumë, tepër shumë. Prandaj ajo të afrohet e përgjërohet për ne, mallkon njerëzit e liq, që nuk e lënë këtë popull të jetojë i qetë e në paqe dhe prapë me ndonjë pyetje prej zemre të dhimbur zbulon ndonjë projekt tëndin.
Por çprojekt?
Ndonjë synim që dëshiron ta arrish, për tu vetërealizuar, sepse teknologjia ecën, dhe më të rinjtë avancojnë, dhe ty të duhet të fitosh jetën e përditshme me dinjitet e me dashuri, me dashuri edhe për atë të keqen, që në fakt nuk e shquan dot.
Megjithëse të gjithë e dimë se e keqja endet midis nesh, nuk dimë të mbrohemi, nuk e vrasim mendjen shumë për të sepse mendja na thotë: Thuaje të vërtetën sado të kushtojë.
Eh, është një budallallëk ti hapesh së keqes, aq më keq ta lëshosh ndonjëherë veten në mëshirën e saj, sepse e keqja nuk do të dëgjojë të vërtetën për veten e saj. Asnjëherë nuk merr dhe nuk do të marrë përgjegjësinë e madhe që bie mbi të. Ajo më mirë preferon të mbetet e keqe me maskë natyrisht, ose të bëhet një e Keqe e Madhe. Do që të bëhet e pasur, Kryetare, sekretar shoqate ose pse jo sekretar e Shoqatës RILINDJA Morale. Vetëm përgjegjësi për punën e saj nuk do të ketë, asaj i shmanget me të gjitha mjetet e mënyrat. Kjo e keqja me maskë gjithçka do të bëhet por nuk do të mbajë përgjegjësi për ato që flet, si p.sh për përmirësimin e banesës e të qarkullimit, për arsimin, për zbulimet, për administrimin ose për çfarëdolloj gjëje tjetër.
Kjo e keqja arrin synimet e saj sigurisht duke pasur një padron.
Që të mundet dikush të pushojë së qenuri skllav i një padroni dhe të bëhet skllav i kujtdo tjetër, i duhet së pari të zhdukë njërin padron shtypës, p.sh. ish- kryetarin e partisë së tij, por nuk mundet kushdo të zbatojë një politikë të tillë kriminale po nuk pati ideale të larta dhe motive fisnike.
Prandaj e keqja rri gjithë ditën e rrethuar nga shumë ndihmës e kasnecë, sepse e vetme nuk mund ta çojë veprën e saj të madhe deri në fund.
Por një ditë maska bie dhe e keqja del e gjallë me gjithë shëmtimin e saj. Gjuha e gjatë e saj fillon të nxjerrë helm.
Këtu fillon divorci me të keqen.
Dhe nuk është e lehtë sepse të duhet të gjuash nga gjumi gjithë kapacitetin tënd dhe aftësitë e tua. E keqja që të ka akuzuar si njeri pa vlera, pa nivel, pa aftësi, i ka bërë llogaritë gabim, sepse ti je ai që nuk i jep llogari askujt përveç dikujt që di më shumë se vet ti. Dhe e përcakton ti, se kush i njeh më mirë vlerat, vështirësitë dhe mangësitë e zbulimit tënd.
Ti i respekton të gjitha ligjet logjike me rreptësi, por kundërshton e lufton me fanatizëm ato që janë të kota e absurd. Mobilizon të gjitha forcat e tua dhe fiton. Fiton mbi të keqen, aq thellë sa as që e kishe imagjinuar më parë.
Po mirë, po sikur e keqja të mos ekzistonte si do ishte jeta jote?
E ke pyetur ndonjëherë veten tënde?
Të gjitha talentet e tua e aftësitë do të ishin në gjumë dhe ti çdo ditë do bëje plane për të fituar jetën e përditshme, por mos harro! Me të keqen e maskuar krah teje.
Tani që arrite atë për të cilën luftove, kjo tragjedia e vërtetë, sepse e keqja është gjithmonë aty. Ajo ka shumë emra…
