E Shtunë, 31 Tetor 2026

Birmingami fiton Kupën e Ligës, mundnë finale Arsenalin

ANGLI- Birmingami ka fituar Kupën e Ligës në Angli, duke mposhtur 2-1 në finalen e zhvilluar në Uembli Arsenalin. Ndeshja ka dhuruar momente dramatike, por në fund ishte Birmingami që triumfoi, duke marrë trofeun e parë të rëndësishëm që prej vitit 1963. Arsenali e niste ndeshjen si favorit absolut, por në mungesë të yjeve si Fabregas e Uollkot, trajneri Arsen Venger kishte hedhur në fushë një miks futbollistësh të rinj. Birmingami kaloi në avantazh në minutën e 28-të me anë të serbit Nikola Zigiç me kokë, por Arsenali barazoi përpara fundit të pjesës së parë me holandezin Robin Van Persi. U duk se ndeshja ktheu në favor të “Topçinjve”, por ekipi i Aleks MekLish nuk u dorëzua. Kur dukej se ndeshja mund t’i drejtohej shtesës, ish-futbollisti i Interit Obafemi Martins, realizoi golin e fitores për Birmingamin. I futur në fushë në minutën e 83-të, nigerianit iu deshën vetëm 6 minuta për të shënuar, duke përfituar edhe nga një gabim i Koshielnit. Humbja bën që Arsenali t’i thotë lamtumirë një prej katër trofeve që synonte të fitonte këtë sezon. “Topçinjtë” vazhdojnë të mos fitojnë asgjë që prej vitit 2004, ndonëse luajnë gjithnjë në nivele të lartë.
(m.a/A. Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›