Bisede me nderkombetaret ose Shqiperia ime hipokrite
Po të harrojmë për një çast spektaklin politik, në të cilin merr pjesë hera-herës edhe vetë Europa, mund të vërejmë pa shumë mund se si në këtë vend pothuaj mezi merret frymë. Veçanërisht përmbytjet e fundit, na kujtuan se përjetojmë një kaos të madh; të cilin më së koti përpiqemi ta fshehim. Këtë panoramë kritike të vendit, nuk duan ta shohin politikanët dhe pushtetarët. Për fat të keq, edhe disa nga partnerët europianë bëjnë shurdhin e memecin për hallet e vërteta të Shqipërisë. Duke qenë të prirur për të mbrojtur liderë, të cilëve iu ka ikur koha, por të mbërthyer mbase në interesa të dyanshme, që ne qytetarët shqiptarë edhe i dimë edhe s’i dimë, një pjesë e tyre bëjnë sikur nuk i kuptojnë gabimet e rënda dhe degradimin e politikanëve shqiptarë, të këtyre në pushtet veçmas.
Në rrethana të tilla, kur një e treta e vendit mbytet si jo më keq dhe kur Tirana vetë është kthyer në një fshat karagjoz, halli i vërtetë i Shqipërisë nuk është as mbijetesa e Sali Berishës dhe e klanit të tij, as “papjekuria” e opozitës apo këmbëngulja e Edi Ramës për të bërë ca kulla në kryeqytet. Halli i vërtetë i këtij vendi është hipokrizia, që po e mbyt po ashtu si uji atë Ultësirën Perëndimore. Halli i vërtetë i këtij vendi është papunësia dhe, pastaj, punësimi sipas kritereve të vjetra partiake. (A nuk e thoshte këtë edhe Raporti më i fundit i KE-së?) Halli i vërtetë i këtij vendi është mungesa e ajrit dhe e luleve, mungesa e hapësirave të lira, ku mund të luajnë dhe të edukohen fëmijët, mungesa e përkujdesjes sociale dhe e vullnetit për t’i ndarë ca para e pak dritë edhe me ata që bien të flenë pa ngrënë darkë dhe gdhihen të shkrumbuar nga zjarri apo të përmbytur nga uji. Sikundër ndodhi ca javë më parë në Sukth. Sikundër ndodhi këto ditë në gjysmën e hapësirës veriore të vendit. Për këto tragjedi (dhe s’është e para herë) duhet të skuqemi, në mos të përzhitemi, të gjithë. Fjala vjen, a ngjet kështu atje në vendin e partnerëve që iu dalin krah politikanëve kryesorë shqiptarë, duke i përkëdhelur ata?
Një prej këtyre partnerëve, shefi i Partive Popullore Europiane, z. Daul, para ca kohësh na kujtonte: “…Mund t'ju them se ata që e kanë shkruar raportin, (Raporti më i fundit i KE - V.S.) nuk kanë udhëtuar shumë e nuk kanë diskutuar shumë me forcat politike në vend, veçanërisht në Shqipëri”. Shumë e saktë. Duhet të udhëtojnë më shumë dhe ta njohin më mirë Shqipërinë. Por të gjithë, përfshirë edhe z. Daul. Kështu mund të mësojnë se problemi i vërtetë i Shqipërisë është rrëmbimi dhe copëtimi i vetvetes. Mbase nuk iu takon ta dinë, por mbase edhe iu takon, gjithsesi mund t’i pyesnim këta zotërinjtë që përkëdhelin politikanët shqiptarë, nëse e dinë kush e përmbyt Shkodrën, kush e ka mbipopulluar dhe tjetërsuar Ultësirën Bregdetare dhe kush po i rrëmben e po i shqyen copa-copa edhe brigjet e Jugut? Mirë ishte të dinim, mos vallë kështu rrëmbejnë ç’të mundin edhe atje në vendin e tyre? Dhe, bie fjala, pronarët e mbajnë frymën të gjithë në Strasburg?
Partnerët që përkëdhelin politikanët shqiptarë nuk i kanë parë asnjëherë përmbytjet, por nuk dinë gjithashtu se çfarë ndodh përgjatë brigjeve të lumenjve tanë, falë “biznesit” të bijve të pangopur të kësaj toke dhe lavatriçeve që i kanë kryesisht politikanët apo të afërmit e tyre. Mund t’i pyesim ata nëse e dinë si shkojnë punët atje në vendin e tyre, për shembull a priten pyjet sipas qejfit të gjithkujt, a rrjedhin normalisht lumenjtë apo lugetërit iu vënë prita dhe iu marrin ç’të mundin. (Vetëm në vitet e fundit erozioni në këtë vend është shtuar në masën 25 për qind.) A ndodh që një kryeqytet të shndërrohet në makth për qytetarët e tij, duke u bërë baltë e kulla, vetëm e vetëm se ngatërrohen ca interesa dhe shumë para? Sa europiane mund të jenë sjellje të tilla dhe si është e mundur që, megjithatë, politikanët dhe drejtuesit e shtetit shqiptar të inkurajohen dhe të përqafohen si heronj (!). Lexojmë këto ditë në disa media se ligji aktual për pyjet, kullotat dhe resurset e tjera në Shqipëri - burimet më mirë, se na vrau Edmond Tupja - duhet ndryshuar, pasi është për pyjet shtetërore. “Tani kemi tjetër situatë pronësie, pra kjo situatë është pothuaj pa ligj”. (Nuk ka nevojë për koment.)
Edhe një hollësi tjetër. Thamë më lart se vetë z. Daul, shefi i Partive Popullore Europiane, konstaton se të huajt nuk e njohin mirë Shqipërinë. Sa për ta ilustruar këtë, le të themi që partnerët (përfshirë komisionerët e Zgjerimit të BE,) kur vjen puna për çështje të pronës, që është nga parimet kryesore në demokraci, ose nuk e dinë çfarë ndodh ose e dinë shumë mirë dhe bëjnë indiferentin. Sigurisht, zotit Daul dhe miqve të tjerë europianë, për shembull, iu thuhet se atje në Dukat e në Karaburun kanë ngritur krye ca rebelë dhe ata i ka mësuar ashtu e kështu opozita. Por ky s’është veçse një refren i vjetër. Mikut të partive popullore i duhet thënë se këta të djathtët tanë janë në konflikt me pronarët, të cilët prej dy dekadash vijnë rrotull sikur të ishim ende në komunizëm. Atij dhe të tjerëve iu duhet thënë se të inkurajuar nga (gjoja) të djathtët, një pjesë e madhe e të majtëve, në mënyrë rebele kanë zaptuar territore të tëra në Tiranë e Durrës, përgjatë Ultësirës Bregdetare dhe në brigjet e Jugut, ku të mundin. Dhe dikush i ka inkurajuar dhe vazhdon t’i inkurajojë, për t’i pasur kontingjent për votime, për pushtet. Vallë kështu merren votat edhe atje në Europë, duke vjedhur tokat e të tjerëve? Dhe duke i quajtur pastaj pronarët e shkretë rebelë, tamam siç bënin Stalini dhe Enveri dikur?
Një përshkrim delirant dhe me hipokrizi i gjendjes së Shqipërisë nuk i hyn në punë as Europës, as neve. Duhet të jemi të një mendjeje për disa arritje, por ndërkohë duhet të shohim në sy hallet e rënda dhe të vërteta të vendit. Në të kundërt, i bëjmë qejfin vetes dhe i hedhin hi syve njëri-tjetrit e partnerëve, duke luajtur rrezikshëm me të ardhmen.