E Diel, 1 Nëntor 2026

Takimi me Meten, revoltohen tregtaret kosovare: Dogana shqiptare, dyfish taksa

Përplasja Ankohet edhe ministri kosovar i Integrimit: Ka pengesa. Zv.kryeministri premton zgjidhjen

E organizuar për qëllime solidariteti ndaj familjeve të prekura nga përmbytjet në Shkodër, takimi “Kosova për Shqipërinë”, i zhvilluar dje në Prishtinë, përfundoi me debate të ashpra, deri në revoltë të biznesit kosovar karshi palës shqiptare.

Në takim merrte pjesë zëvendëskryeministri dhe ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Ilir Meta, i shoqëruar nga kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Tiranë, Nikolin Jaka, si bashkorganizator i aktivitetit, ndërsa nga pala kosovare merrnin pjesë kreu i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, dhe ministri i Integrimit Europian të Kosovës, Besim Beqaj. Objekti i takimit ishte ndihma që mund të jepnin bizneset e Kosovës për banorët e prekur nga përmbytjet në Veri.

Duhet thënë se bisedat e para ishin tepër frytdhënëse, me një dëshirë të madhe të biznesit të Kosovës për të ndihmuar Shkodrën, ndërsa falënderimet nga pala shqiptare ishin me konsiderata të larta. Deri këtu takimi dukej mirë dhe shumë pozitiv, por shqetësimi i biznesit kosovar ishte aq i madh, sa nuk mbante më, aq sa e shtruan për diskutim në tryezën që flitej vetëm për sensibilizimin e banorëve të përmbytur.

Mësohet se tregtarët kosovarë janë duke hasur vështirësi serioze për t’u futur në tregun shqiptar. Problemi kryesor qëndron te subjektet që tregtojnë pataten. “Është turp të thuash që kemi gjetur treg në çdo vend të rajonit, përfshi dhe në Serbi, ndërsa në Shqipëri nuk po çajmë dot. E gjithë kjo ndodh se dogana shqiptare aplikon çmime reference dy herë më të larta se çmimi real i patates”, tha një nga tregtarët, duke iu drejtuar zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Ekonomisë, Meta për një zgjidhje të shpejtë. Ankesat e tyre u shprehën me tone të larta, deri sa shkuan në revoltë, duke e tensionuar takimin, ndërsa ministri ynë përpiqej t’i qetësonte dhe t’u jepte garancinë e një zgjidhjeje sa më të shpejtë. Disa të tjerë u ankuan se produktet e tyre po shkonin drejt kalbjes, për shkak se ka pengesa për t’i sjellë në Shqipëri. “Ju krenoheni se ndërtuat rrugën Durrës-Kukës, por në fakt ky aks nuk përbën avantazh për aq kohë sa hasemi me të tilla pengesa nga dogana”, ishte vlerësimi i një prej biznesmenëve në takim. Kurse disa të tjerë deklaruan me shqetësim se dogana shqiptare e Morinit mbyllet në orën 19:00 të mbrëmjes dhe pas këtij orari nuk të shërben askush.

Ankesa pati edhe ministri kosovar i Integrimit, Besim Beqaj, dikur kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës, i cili në mënyrë jo të drejtpërdrejtë tha se ekzistojnë burokraci të tepërta. “Bashkëpunimi ekonomik mes Shqipërisë dhe Kosovës ka shënuar rritje, por potencialet janë më të madha. Duhet një stimul më i madh që ekonomitë tona të shkojnë drejt një bashkëpunimi më të fuqishëm, drejt një integrimi ekonomik, sepse kemi pasur disa barriera që për momentin janë jo shumë të rëndësishme, por për të cilat dy qeveritë kanë vullnetin për t’i kaluar”, tha Beqaj.

Nga ana e tij, zëvendëskryeministri dhe ministri i Ekonomisë, Ilir Meta, i premtoi biznesit kosovar zgjidhjen më të shpejtë, duke i garantuar heqjen e çdo barriere dhe rritjen e bashkëpunimit ekonomik. Meta shprehu vendosmërinë e qeverisë shqiptare për të hequr të gjitha barrierat e bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve. “Përfundimi i rrugës Durrës-Kukës shkurtoi jo vetëm distancat rrugore mes Shqipërisë dhe Kosovës, por edhe ato ekonomike”, tha numri dy i qeverisë shqiptare. Për sa i përket bashkëpunimit në fushën e energjisë, Meta deklaroi se, në fillim të vitit të ardhshëm do të fillojë ndërtimi i linjës së re të transmetimit të energjisë elektrike mes dy vendeve.

Prej tre vitesh, produkti bujqësor patate, ka shërbyer si “mollë” sherri mes dy vendeve fqinje, shumë të afërta me njëra-tjetrën.

Zyrtarë të Doganës së Morinit në Kukës bëjnë të ditur se referenca për patate është 24 centë nga 18 centë që ka qenë më parë, duke pësuar rritje prej 50 përqindësh. Ndërkohë që çmimi i referencës është sa dyfishi i çmimit të shitjes me shumicë të patates në Kosovë.

Ankesat u shtuan më së shumti këtë vit, ku tregtarët kosovarë shprehën indinjatën për trajtimin selektiv të doganës shqiptare përmes taksave që aplikonte. Debati u ndez aq shumë sa që një përfaqësi e palës shqiptare nga Ministria e Financave dhe deputetë të Komisionit të Ekonomisë, u nisën drejt Kosovës për negociata, të cilat siç duken nuk paskan dhënë zgjidhje. Kosova është një fuqi rajonale në prodhimin e patates, ku prodhuesit përballojnë një treg prej 6 milionë banorësh.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›