Biseda Marigona-Trump: Ja çfarë më tha miliarderi para se të më merrte në kompani
Pas bankave të “Pjetër Budit”, si e diplomuar, Marigona Dragusha padyshim do të dëshmohet menaxhere e suksesshme e biznesit të saj personal. Pas sukseseve të arritura nëpër pasarelat e modës armerikane e franceze, ylli i modelimit, Marigona Dragusha, ka vendosur që t’i vërë vetes edhe objektiva në botën akademike. Që nga tetori vajza nga Prishtina, e cila u zgjodh e treta bukuroshe në “Miss Universe”, fillon ndjekjen e ligjëratave në kolegjin “Pjetër Budi”. Ajo ka zgjedhur fakultetin për Administrim Biznesi/Menaxhim Marketingu për të realizuar objektiva tjerë, për të cilat si i ka deklaruar ish-“Miss i universit” do të përmbyllen me hapjen e një biznesi të madh mode, ku do t’i ndihmojë të gjitha vajzat kosovare të cilat duan ta realizojnë ëndrrën e tyre për të qenë modele të suksesshme. “Kam ëndërruar që të hap një kompani timen, një shtëpi mode. Nga njohuritë që do i marr gjatë studimeve, besoj se do të menaxhoj me sukses atë” tha ajo.
Shtëpia e modës
Për më tej ajo ka një dashuri të madhe ndaj Kosovës dhe thotë se përvojën të cilën e ka marrë tashmë prej dy vjetësh, që kur shkeli pistat më të mëdha të modës nëpër botë, do t’i aplikojë në shërbim të zhvillimit të kësaj fushe në Kosovë, në mënyrë që edhe vendi i saj të ngrihet në standarde të larta profesionale në artin e modës. Marigona është nga ato miss-e që ia ka arritur ta bëjë ëndrrën realitet. Ka shumë njerëz të cilët kanë ëndrra për t’u bërë të famshëm në fusha të ndryshme, por jo të gjithëve u realizohet ajo. Por Marigona ka një fat të madh, siç thotë edhe vetë ajo, se është duke përjetuar realisht ëndrrën e saj të fëmijërisë. “E kam pasur ëndërr modelimin dhe e dija që një ditë do të bëhesha modele, e mandej do të merrja pjesë nëpër pistat e modës nëpër botë. Gjatë një periudhe kam pasur ndjenjën se kjo do të ishte e pamundur. Megjithatë, unë çdo herë them se fati ka qenë plotësisht në anën time, dhe më ka krijuar mundësinë që të sfiloj nëpër skena të mëdha ose edhe të vizitoj vende të ndryshme në gjithë globin, vende që kanë qenë vetëm në imagjinatën time”, thotë ajo.
Miss Kosova
Por si filloi rruga e realizimit të ëndrrës së saj, apo si u gjet çelësi i hapjes së portës së madhe. Gjatë bisedës ajo shpjegon: “E kam parë konkursin për ‘Mis Universe Kosova 2009’ dhe nuk e di…! Nuk isha shumë e bindur se do të mund të fitoja ndonjë çmim. Më kujtohet kur isha më e re dhe babi çdo herë më thoshte se je bërë si foto modele. Ndoshta u ndikova pak nga inkurajimi i tij, por vendosa të konkurroj pasi një mik i imi fotograf më tha se mund të fitosh, sepse je fotozhenike. Pas shumë ngurrimesh, aplikova për këtë spektakël, dhe fitova” , thotë Marigona. Për më tej, në spektaklin e bukurisë “Miss Univers Kosova 2009”, që u mbajt në prill të vitit 2009, Marigona Dragusha ka sfiduar 18 konkurrentet nga Kosova dhe diaspora. Ajo mori kurorën e “ Miss Kosova 2009”. Menjëherë pas këtij suksesi, Marigona filloi të ndiejë “shijen” e skenave botërore.
Miss Univers
Duke përfaqësuar Kosovën në “Miss Univers”, ajo u zgjodh e treta në këtë garë të bukurisë, garë kjo botërore. Padyshim, është ky suksesi më i madh i femrës shqiptare në garat e tilla botërore. Aq më shumë kur kësaj i shtohet se pikërisht në ditën që fitoi kurorën për vendin e tretë, Marigona Dragusha përjetoi befasinë e dytë me radhë. “Po vërtet mund të konsideroj që ky ka qenë viti i sukseseve më të mëdha për mua. Ndihem shumë e lumtur që kam arritur ta prezantoj Kosovën në një ngjarje botërore dhe të shpërblehem me këtë çmim. Ishte përgjegjësi e madhe, por gjithsesi jam nisur të bëj më të mirën time”, është shprehur Marigona.
Ftesa nga miliarderi Donald Trump
Marigonës i erdhi ftesa direkte nga miliarderi amerikan Donald Tramp për të qenë pjesë e kompanisë së tij “Tramp Models Management”, kompani kjo për të cilën sipas Marigonës “është një privilegj i madh të jesh pjesë e kësaj kompanie të fuqishme të modës dhe se për të qenë pjesë e saj duhet të kesh shumë fat”. “Pas mbarimit të spektaklit ‘Miss Univers’ pata rastin që përmes fotografit të famshëm shqiptar Fadil Berisha të njihem me Donald Trampin. Dhe atë natë ai më tha se unë më shumë jam e konstruktuar për foto modele dhe sfiluese, sesa për të vazhduar karrierën si miss. Pas një kohe kam marr ftesën për të qenë pjesë e kompanisë së tij të modës. Vërtet them se kam pasur fat të madh, pasi që të jesh pjesë e saj vërtet është privilegj. Kjo për faktin se brenda këtyre dy viteve aq shumë kam vizituar vende sa që më duket si ëndërr”, thotë ajo. Nuk do mend, Marigona është femra e parë dhe e vetme shqiptare e cila ka arritur që të jetë pjesë e kompanisë më të famshme të modës në botë “Tramp Models Management” dhe përkundër kësaj ajo thotë se ende kërkon shumë nga vetja për të dhënë në pasarelat e modës dhe fotomodelimit, e në veçanti në botën e biznesit. Por ajo është e vetëdijshme se sukseset që i synon vërtet kërkojnë shumë energji, shumë punë e disiplinë. Ndryshe nga kolegia e saj nga Ana de la Cruz e Republikës Domenikane, e cila në garën ‘Miss Universe 2009’ ishte po ashtu në tri fitueset e para të “Mis Universit”, por nuk ia kishte dalur që t’i bëjë ballë furtunës së quajtur “mafia”, dhe u kap nga policia me kontrabandë droge, Marigona rrezaton stabilitet. Ajo është e vendosur të investojë në vetveten e saj edhe nga aspekti akademik. Kosovarja e vetme, e punësuar në kompaninë e miliarderit Donald Trump, dëshiron të arrijë majën edhe në botën e biznesit. Pas tre vitesh ajo do të përmbyllë studimet . Do t’i braktisë bankat e kolegjit universitar “Pjetër Budi” në Prishtinë, dhe si e diplomuar padyshim do të dëshmohet si një menaxhere e suksesshme e biznesit të saj personal. Nuk do mend, këtu do ta ndihmojë edhe përvoja që shumë kush e ëndërron, ajo e angazhimit në kompaninë botërore, që udhëhiqet nga magnati Donald Trump.