E Shtunë, 31 Tetor 2026

MASH, bursa për konviktorët

26/08/2011  Nxënësit e teknologjisë së informacionit, bujqësisë, ndërtimit dhe të pyjeve përfitojnë bursë

Myqerem Tafaj: Prioritet rritja e numrit të të rinjve në shkollat e mesme profesionale

Më 12 shtator do të nisë viti i ri shkollor, ndërsa regjistrimet do të fillojnë ditën e hënë më 29 gusht. Ministri i Arsimit, në një takim me drejtorët e drejtorive arsimore, kërkoi të rritet numri i nxënësve që zgjedhin shkollat profesionale, pasi tregu i punës ka kërkesa për të rinj që janë të specializuar në turizëm, ndërtim, agrikulturë, etj. “Tregu i punës kërkon gjithnjë e më shumë mjeshtëra dhe teknikë për turizmin, industrinë, agrikulturën, teknologjinë dhe informacionin, etj”, - deklaroi Tafaj. Në prag të nisjes së procesit të regjistrimit për sistemin e arsimit parauniversitar, ministri Tafaj theksoi si prioritet të ministrisë rritjen e pjesëmarrjes së të rinjve në shkollat e mesme e kryesisht, ato profesionale.

Bursa për nxënësit konviktorë

Në këtë kontekst ministri Tafaj theksoi edhe njëherë se mbështetja e qeverisë për këta nxënës nuk do të mungojë. Madje përparësitë që lidhen me tregun e punës do të jenë më të mëdha për të rinjtë që kanë përfunduar arsimin e mesëm profesional dhe guxojnë të krijojnë bizneset e tyre. ndërkaq, që në bankat e shkollës qeveria mbështet nxënësit duke ofruar për disa degë të veçanta bursa shkollore. “Vitin e kaluar ne arritëm të rrisim regjistrimet me 13% në krahasim me një vit më parë. Megjithatë, treguesi i regjistrimeve në arsimin profesional është ende i pakënaqshëm. Ekzistojnë të gjitha kapacitetet që ky tregues të rritet këtë vit. Të gjithë nxënësit konviktorë që studiojnë në degët e teknologjisë së informacionit, bujqësisë, ndërtimit dhe të pyjeve përfitojnë bursë. Arsimi profesional u krijon mundësi të rinjve që të krijojnë biznesin e tyre menjëherë pas shkollimit. Qeveria do të stimulojë me përparësi bizneset e krijuara nga të rinjtë që kanë përfunduar arsimin e mesëm profesional”,- tha ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj.

Sistemi parashkollor

Këtë vit do të hapen 200 klasa të reja për sistemin parashkollor, i cili është i domosdoshëm për fëmijët pesëvjeçarë. “Synojmë të hapim klasa dhe grupe të reja, për këtë do shfrytëzojmë kopshtet ekzistuese dhe shkollat e ciklit të ulët”, - saktësoi Tafaj. Ministria e Arsimit do t’i kushtojë një rëndësi të veçantë regjistrimit të fëmijëve që vijnë nga familjet e varfra dhe ato rome, pasi një pjesë e madhe e këtyre fëmijëve nuk kanë mundësi të frekuentojnë arsimin bazë.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›