Peshkonin në liqenin e Shkodrës, humbin jetën dy vetë

SHKODËR/ Trupat e Gjovalin Smajlit dhe Niolin Shabit janë gjetur mëngjesin e së premtes nga polumbarët malazias
SHKODËR - Kanë humbur jetën teksa peshkonin në ujërat e liqenit të Shkodrës dhe gjetja e trupave të tyre është bërë nga polumbarët malazezë. Mëngjesin e djeshëm policia ka marrë njoftim se Gjovalin Smajli, 40 vjeç, dhe Nikolin Shabi, 18 vjeç, nga fshati Kushaj-Hot i komunës Kastrat në Malësinë e Madhe janë zhdukur në liqenin e Shkodrës, në Han të Hotit.
Sipas familjarëve, këta dy persona, peshkatarë, kanë dalë në liqen në orën 22:00 të së enjtes dhe gjatë lundrimit në të, rreth orës 03:00 të së premtes, varka e tyre është përmbysur.
anë qenë peshkatarë të tjerë që kanë dhënë alarmin, duke lajmëruar familjarët e policinë dhe duke filluar kërkimet në liqen që gjatë natës me shpresën se mos mund të shpëtonin dy personat që kishin rënë në liqen.
Policia kufitare dhe ajo e rendit, në bashkëpunim me homologët e tyre të Malit të Zi, kanë nisur kërkimet dhe kanë identifikuar varkën e përmbysur. Jo larg saj, polumbarët malazias që kanë bërë zhytje në liqen, kanë gjetur dhe dy trupat e pajetë në vendin e quajtur Livadi i Lukë Smajlit, rreth 500 metër larg bregut të liqenit.
Ilir Cama, një prej atyre që kanë kërkuar në liqenj, rrëfen se kanë gjetur në fillim varkën e përmbysur, ndërsa kufomat nuk kanë qenë aty. "Është kërkuar duke përdorur elektrik dore, për të ndriçuar vendin, por ka qenë e pamundur.
Qemë shumë njerëz. Në mëngjes ishte një polumbar malazias që i ka gjetur rreth 500 metra larg bregut, përballë livadheve të Lukë Smajlit dhe i ka nxjerrë. Liqeni kishte dallgë dhe pengonte shikimin".
Ngjarja ka ndodhur pasi varka është përmbysur dhe dy peshkatarët nuk kanë mundur të dalin me not në breg. Sipas banorëve që jetojnë afër liqenit në Han të Hotit, gjatë natës ka fryrë erë dhe liqeni ka qenë i trazuar dhe me dallgë.
Në vendin ku janë gjetur trupat e dy peshkatarëve, thellësia ka qenë rreth 3 metra, por ata nuk kanë mundur të dalin në breg. Gjovalin Smajli ishte baba i katër fëmijëve, ndërsa Nikolin Shabi i pamartuar. Dy peshkatarët ishte hera e parë që dilnin për të peshkuar në liqen.