E Diel, 1 Nëntor 2026

“Biseda me Nako Spiron në spital para se të vdiste,nuk pranonte gjakun e robërve gjermanë”



AFRIM IMAJ

Vdiq apo e vranë pabesisht?! çfarë ndodhi në fakt me Tuk Jakovën në spitalin e burgut në gushtin e 59-ës? Dje botuam të plotë dëshminë e Bedri Spahiut që hedh dritë në mjaft nga misteret e kësaj ngjarje të bujshme. “Tuk Jakova nuk vdiq, por i morën jetën njerëzit e sigurimit, shkruan ish prokurori i Përgjithshëm. U sëmurë një ditë nga apendiciti dhe shkoi si cjapi te kasapi. Kërkoi ndihmë, por e lanë të vdiste në vetmi. Vrasjet në sëmundje e sipër janë nga më të dëshiruarat për diktaturat.” Duke ju kthyer momenteve, kur është ndarë me të për herë të fundit në korridorin e burgut, Bedri Spahiu përshkruan me detaje çfarë ndodhi deri në çastet kur u hap lajmi se Tuk Jakova vdiq. Në letrën që i shkruan komandantit të burgut në 15 prill 1967, duke denoncuar me guxim dhunën dhe terrorin e “administratorëve antiligjor” ndaj të dënuarve, vë në vëmendjen e kryexhelatit dramën e bashkëvuajtësit dhe ish mikut të tij Tuk Jakova. Përpos kësaj dëshmie, në numrin e djeshëm publikuam një dokument zyrtar ku provohen dyshimet e saj, për vrasjen e Jakovës në spitalin e burgut. Tre nga mjekët më të njohur të kohës Fejzi Hoxha, Xhavit Gjata dhe Petro Cani, pas një studimi të kujdesshëm të kartelës dhe dokumentacionit spitalor, i raportojnë ministrit të Brendshëm Kadri Hazbiu se pacienti Tuk Jakova është sjellë me vonesë së klinikë, nuk i është dhënë terapia e plotë për diagnozën e konstatuar dhe i ka munguar asistenca sanitare. Pra, konkludojnë mjekët, po të zbatohej regjimi klinik i nevojshëm, vdekja e tij mund të shmangej...“Unë jam ndarë i fundit me Nako Spiron, në një nga dhomat e spitalit të Tiranës. Sa më lajmëruan që kishte qëlluar veten me pistoletë, shkova aty rrufeshëm. E gjeta duke dhënë shpirt dhe i thirra t’i jap kurajë. “Më lini të vdes, nuk dua të shërohem”. Vetëm kaq tha dhe humbi ndjenjat, duke belbëzuar një ‘Of!’ të zgjatur.” Në mënyrën si i përshkruan Bedri Spahiu çastet e fundit të Nako Spiros, bie në sy ndjenja e dhimbjes së thellë, por edhe një revoltë e brendshme, të cilën ish-Prokurori i Përgjithshëm u detyrua ta gëlltiste në vetvete për vite me radhë. Sidoqoftë, kur kishte humbur çdo gjë dhe shtynte ditët brenda mureve të qelisë, nuk mund të rrinte pa iu kthyer pengut të dikurshëm, për fatin e keq të mikut të ngushtë. Janë me dhjetëra faqe të dorëshkrimit të Spahiut, ku flitet për personalitetin e Nako Spiros, si një nga liderët më të rëndësishëm të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Ai, shkruan ish-Prokurori i Përgjithshëm, ishte disa vjet më i ri se Enveri dhe unë, por ishte pajisur me dije shumë të mëdha, ishte më i mprehtë se ne të dy, më i thellë dhe më i drejtë në analizën e gjërave. Pjesa më interesante e kujtimeve të Bedri Spahiut për Spiron, është përshkrimi i çasteve fatale, në një nga dhomat e ngushta të spitalit të Tiranës. Imazhet e ngritura aty zbulojnë pak pamje, por ashtu si janë skicuar, duket sikur flasin nën zë: Një krevat i përgjakur, trupi i Nakos mbi të, kirurgu te koka e pacientit, një grup robërish gjermanë me llërët përveshur, infermierja që u merr gjak, dy zëvendësministrat e Brendshëm te dera. Aty dha shpirt miku e vëllai im, shkruan Bedri Spahiu dhe vazhdon ta zbardhë më tej misterin me takimin pas këtyre çasteve me Enverin, i cili e dinte më herët (!) atë që kishte ndodhur me Nako Spiron. Në kujtimet e ish-Prokurorit të Përgjithshëm nga ajo periudhë, zënë një vend të veçantë momentet dramatike nga gjyqi special dhe ai i Koci Xoxes, ku ka lexuar pretencën e shkruar nga kreu i Partisë. Sot ndjehem i turpëruar, reflekton Spahiu, që kam luajtur rolin e prokurorit në këto gjyqe...
Gjyqet që më turpërojnë
Dy herë Enver Hoxha ka caktuar prokuror të dy gjyqeve më të rëndësishëm historikë të vendit tonë, një injorant të fushës së drejtësisë, Bedri Spahiun. Herën e parë si prokuror të Gjyqit Special, për të dënuar të ashtuquajturit armiq të popullit dhe herën e dytë prokuror të gjyqit të Koci Xoxes. Sot ndihem i turpëruar që kam luajtur rolin e prokurorit të atyre gjyqeve. Komunistët e dinë pozitën time ndaj Kongresit të I dhe ndaj Koci Xoxes (që e kam nxjerrë të pafajshëm në gjyqin kundra meje), dinë edhe këngën që këndonte populli ato ditë të zhvillimit të gjyqit special “Kush e çliroi Shqipërinë/ Koci Xoxe me Partinë/Kush e krijoi ushtrinë/Enver Hoxha me Partinë/Tradhtarët porsi miu/ i dënoi Bedri Spahiu”.
Sot unë do të thosha: “Shumë lavdi për njerëz të palavdishëm”. Si prokuror i ligjit special, mu desh në bazë të ligjit, të asistoja në ekzekutimin e 17 fatzinjve, viktima të atij vendimi që mori Stalini, Ruzvelti e çurçilli për ekzekutimin e kriminelëve të luftës. U gjenda ndërmjet të dënuarve dhe skuadrës së pushkatimit, pra isha i pranishëm në zbatimin e atij vendimi të egër e mizor. Kur komandanti i skuadrës së pushkatimit dha urdhër, një lëvizje u pa në rreshtin e të dënuarve, të cilët i kthyen krahët tytave të armëve, siç kishte urdhëruar komandanti. Vetëm një njeri pati guximin t’i kundërvihet urdhrit. Jo, askush s’duhet t’i kthejë krahët nga tytat, pasi nga shpina vriten vetëm tradhtarët dhe ne nuk jemi tradhtarë. Këtë do ta vërtetojë historia”. Ky ishte Bari Omari, një burrë i zgjuar e patriot, me të cilin pata fatin e keq të përballohem nga pozita antagoniste dhe ta luftoj edhe në kalanë e Gjirokastrës, edhe në sallën e gjyqit si tradhtarë. Tjetër rrugë do të marrin ngjarjet, i them unë me bindje. Disa nga ata nuk denjuan, kurse të tjerët më lëshuan amanetet e tyre. Midis këtyre të fundit, Javer Rushiti dhe Bishqemi kërkuan të ruhej paprekshmëria e familjeve dhe e fëmijëve të tyre. Unë u garantova se familjet e tyre do të kishin në Shqipëri po atë trajtim që do të kishin të gjithë banorët, se fëmijët e tyre do të kenë e do të gëzojnë të gjithë të mirat. Garanci për këtë ishte revolucioni që qe bërë në Shqipëri, ishte Partia jonë triumfuese. Sa besuan në këto slogane të prokurorit të Gjyqit Special, një Perëndi e di. Por ngjarjet u zhvilluan në një mënyrë të tillë, që përgënjeshtruan deklaratat e mia dhe turpëruan deklaruesin dhe të gjithë ata që pretendonin se ishin ndërtues të një Shqipërie të re e të lumturisë njerëzore.
Pengu për Nako Spiron
Në kushtet e Shqipërisë së Enver Hoxhës, vetëvrasja konsiderohej dhe dënohej si një akt i turpshëm. ç’ishte në të vërtetë vetëvrasja në atë kohë? Ishte një protestë e individit kundër dhunës dhe sundimit diktatorial. U hap fjala se u vra Nako Spiro. Fjala në veshin tim arriti në rrugët e thashethemeve dhe jo në rrugë zyrtare. Në atë kohë ishte Prokuror i Përgjithshëm. Pyeta ku gjendej trupi i tij dhe për pak minuta u gjenda në dhomën e spitalit. Në spital gjeta kirurgun dhe një grup gjermanësh (robër) me llërët e përveshura gati për transfuzion gjaku dhe Nesti Karanxhin (zëvendësministër i Brendshëm) me Kristo Themelon. Nakua, kanakari i Partisë sonë, kishte vrarë veten kur ai ishte në kushtet e një lufte të tmerrshme për ekzistencë dhe doktori përpiqej ta risillte në jetë, duke i injektuar gjak (që u merrej robërve gjermanë) me shiringa të trasha. Unë e pashë të udhës t’i drejtohem Nakos: “Do të shërohesh, ke për të parë”. Ai ishte plagosur në anë të zemrës, megjithatë unë besoja në atë që i thashë. Por ai më hodhi një shikim plot kërcënim e përbuzje dhe më tha: “Jo nuk do të shërohem dhe as që dua të shërohem”, dhe humbi ndjenjat. Kirurgu filloi punën me transfuzionin dhe Nako hapi edhe njëherë sytë. Unë u shkëputa nga kjo sallë e përmotshme dhe u ktheva në shtëpinë e Enverit. Hyra brenda i pasuar nga Nesti Karanxhi dhe Kristo Themelko. A ishte rastësi shkëputja e tyre nga shtrati i Nakos dhe ndjekja ime prej tyre deri në dhomën e Enverit? Këtë e dinë dy shokët në fjalë. Enverin e gjeta duke biseduar me Kocin. Unë u ula në një kolltuk aty pranë dhe fillova të shpreh e të argumentoj dyshimet e mia se Nako Spiro nuk mund të kishte vrarë veten, por dikush e ka vrarë. “Ua, tha Koci Xoxe, shiko ç’na nxjerr Prokurori i Përgjithshëm!”. “Sa të ketë nevojë vendi për një Prokuror të Përgjithshëm, ia ktheva, do të ketë edhe variante të zbulimit të krimeve”. Të gjithë e dinë sot pse u vra Nako Spiro, por ky është versioni zyrtar i vrasjes së tij. Rrallëkush mund të jetë ndonjë që të hyjë në shkaqet e vërteta të vetëvrasjes së tij. Nako Spiro ishte disa vjet më i ri se unë e se Enveri, por ai ishte pajisur me dije shumë të mëdha, ishte më i mprehtë se ne të dy, më i thellë dhe më i drejtë në analizën e gjërave.
Një herë në shtëpinë e Enver Hoxhës hasa në një dokument që ka mundësi të jetë lënë aty, me qëllim që ta lexoja unë. Aty jepeshin të gjitha përshëndetjet tona drejtuar Dushan Mugoshës, që po largohej nga Shqipëria. Përshëndetja ishte e thjeshtë, por plot eufori për ndihmën e këtij militanti të vjetër të Partisë Komuniste. Përshëndetja e Nakos ishte e një natyre tjetër. Ai hapte një çështje centrale të situatës, atë të biografisë së Enver Hoxhës dhe të rolit negativ që loz ky intelektual shqiptar në zhvillimin e Luftës NçL dhe në ndërtimin e vendit tonë. Përshëndetja e Nako Spiros për punën e Mugoshës në Shqipëri zbulonte një të vërtetë të jetës shqiptare, sipas së cilës diktatori, Enver Hoxha nuk ishte ai që besohej të qe dhe që reklamohej në shtypin shqiptar zyrtar, as udhëheqës i Luftës NçL dhe as ndërtues i Shqipërisë së re. Vetëvrasja e Nakos ishte një protestë ‘alla Nako Spiro’, kundër një figure që ekzistonte në idealitetin e popullit tonë. Enver Hoxha ishte shndërruar në një idhull.
Pretenca si e Koci Xoxes
Kur u dënova më 1958-ën, në gjyqin tim, unë paraqita Enver Hoxhën si objekt të të gjithë fatkeqësive që i kishin ndodhur vendit tonë në vitet e socializmit, si përgjegjësin kryesor të tyre dhe rehabilitova Koci Xoxen. I thashë Siri çarçanit, prokurorit të gjyqit, (që në pretencën e tij më prezantoi si armikun më të përbindshëm) se ishte e vërtetë që Koci Xoxe i kishte bërë të gjitha gabimet që i atribuoheshin, por ai nuk i ka pranuar asnjëherë akuzat që i janë bërë, pasi të gjitha ato gabime ai i ka bërë në marrëveshje e me porosi të Enver Hoxhës. Këtë Koci Xoxe mbrojta dhe rehabilitova unë në gjyqin tim. “Ruaje, i thashë Siri çarçanit, në sirtarin e tryezës së zyrës tënde pretencën time që bëra për Koci Xoxen bashkë me pretencën që po bën ti sot për Bedri Spahiun, pasi nuk do të jetë e largët dita kur këto dy pretenca, historia do t’i flakë në koshin e plehrave”.
Të vrarët pa gjyq
Një ditë udhëtoja nga Tirana drejt Urës së Farkës. Në të zbritur të rrugës së Farkës pashë një grup fshatarësh që bisedonin të eksituar me njëri-tjetrin. I them shoferit të ndalet dhe zbres nga makina e qepem te vendi ku ishin ata. Pranë tyre në tokë qe shtrirë një burrë i veshur me rroba ushtarake, pa grada dhe ngjante të ishte oficer i vjetër i ushtrisë së Zogut. Afër trupit të të vdekurit gjendej varri i zbrazur dhe aty ku fillonte ai, dallohej një pellg gjaku i freskët. “Vrisni sa të doni, por mos na përdhosni tokën tonë dhe mos na tmerroni fëmijët!”, më tha një fshatar plak që ishte aty pranë. Nga goja e tij mora vesh se në tokat e tij ishte varrosur trupi i personit të vrarë që shtrihej përdhe. Lopa e fshatarit, duke kullotur kishte rënën në erën e gjakut të ngrohtë dhe kishte filluar të nuhaste, siç bëjnë lopët në këto raste. Fshatari ishte afruar dhe pasi gërmoi dheun e shkrifët, nxori prej aty trupin e viktimës. Në këto rrethana çfarë mund të bënte Bedri Spahiu, që ishte në Prokurorinë e Përgjithshme si një “rifugium pecatorum”? Urdhërova shoferin të kthente makinën dhe “fluturova” drejt shtëpisë së Enver Hoxhës, drejt shtëpisë së këtij gjakësori, që shfarosi e kurdisi lloj-lloj mashtrimesh kundra komunistëve të orëve të para dhe patriotëve të vendit tonë. Kur arrita në shtëpinë e Enverit, e gjeta ndanë zjarrit dhe i thashë i emocionuar pa e përshëndetur: “Pa më thuaj shoku Enver sa kohë do të zgjasë ky terrorizëm?”. Ai u zverdh në fytyrë dhe filloi të çokanisë me mashë zjarrin që flakëronte në oxhakun e bukur. U ktheva pa marrë asnjë përgjigje. Dola pa e përshëndetur, duke e lënë në të njëjtin pozicion...
Marrëzitë e reformës
Në vitin 1946 kur frymëmarrja e popullit tonë dukej se po shuhej, unë lëshova kushtrimin me një promemorie të bërë në dy kopje, njërën prej të cilave ia dërgova Enver Hoxhës dhe tjetrën Koci Xoxes. “Ka filluar - shkruaja në të, - t’u marrin njerëzve edhe shtëpitë e tyre. Kështu ia morën një fshatari në Theth të Malësisë së Madhe. Në Vasjar të Tepelenës një tregtari i kanë marrë tërë plaçkën e dyqanit të tij, ndër to edhe tetë sapunë me erë. Mos vallë ky ishte qëllimi i reformës tonë?!” Disa ditë pas kësaj memorie që mbeti e papërfillshme nga Enver Hoxha e nga Koci Xoxe, unë u adresova një tjetër. “është krijuar në vendin tonë, - u shkruaja aty, - një situatë e papërmbajtur në fushën e drejtësisë. është Partia ajo që gjykon e merr vendime dhe jo gjyqet e republikës(!). Kjo gjendje duhet të marrë fund sa më shpejt e ta kthejë situatën në normalitet.” Ndërkohë, bashkë me prezantimin e gjendjes, u shpjegoja mendimet që kisha unë për rrugën që duhej ndjekur për t’ia arritur qëllimit. Por fjalët e mia ranë në vesh të shurdhër. Enveri do vazhdonte tërë jetën të bënte të tijat me të gjitha atributet, e udhëheqësit të parë, e gjykatësit, e prokurorit etj. Pikërisht ushtrimi mbrapsht i drejtësisë do t’u kushtonte me jetë qindra e qindra shqiptarëve. Madje edhe pjesës më të madhe të diktatorit stalinist. I kam rrahur këto mendime në burg për kokë të tëra, kam gjetur për to kryesisht mirëkuptimin e bashkëvuajtësve, por edhe kundërshtitë e tyre. Enver Hoxha e çoi deri në fund marrëzinë e tij. çdo gjë që ekzistonte tek ai, ekzistonte në të kundërtën e vet te Bedri Spahiu, pavarësisht se ishim krijesa të së njëjtës tokë e të një viti, banorë të një lagjeje e të së njëjtit qytet. Të dy i kemi shërbyer kësaj dite. Enver Hoxha me egoizmin e tij ëndërronte të ishte e të bëhej arkitekti i njeriut të ri, e si i tillë u bë predikuesi i ideve të Niçes. Unë, nga ana tjetër, do të thosha se u bëra partizan i të vërtetave të pavdekshme të filozofisë kristiane.
vijon nesër...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›