E Diel, 1 Nëntor 2026

Një vështrim ballkanik drejt Euromesdheut

Besnik Mustafaj*

Vendet e Ballkanit Perëndimor apo të Evropës Juglindore, siç përmendet sot më shpesh në gjuhën e gjeopolitikës,
nuk kanë pasur kurrë në historinë e tyre një horizont të përbashkët si tani, drejt të cilit po përparojnë me vullnet të lirë. Ky horizont është Bashkimi Evropian dhe pranohet në përgjithësi pa dilema të mëdha, si nga opinion publik, ashtu edhe nga klasa udhëheqëse politike. Ky fakt përbën një risi me rëndësi thelbësore për të shpjeguar, veç të tjerash, edhe qetësinë relative që sundon në fqinjësinë mes këtyre vendeve, gjatë më shumë se një dekade. Rrjedhimisht vihet re edhe një rritje e bashkëpunimit politik, diplomatik, ekonomik e kulturor ndërballkanik, si edhe midis vendeve ballkanike dhe disa vendeve të Evropës Qendrore e Jugore, anëtare të Bashkimit Evropian. Për më tepër, ky bashkëpunim ka shumë elementë të një cilësie të re, sepse, i frymëzuar nga filozofia mbi të cilën mbështetet Bashkimi Evropian, ai zhvillohet gjithnjë e më qartë duke lënë prapa asaj mënyrën e vjetër të funksionimit, nëpërmjet së cilës shtetet ballkanike, haptas ose fshehtas, synonin zakonisht jo një zhvillim të përbashkët, jo një zhvillim harmonik në interes të të gjithë fqinjëve, por një lloj hegjemonie të vetes mbi fqinjin. Kjo është një fitore historike e frymës evropiane në këtë rajon dhe përmban shumë tregues për të besuar seriozisht se nuk do të ketë më kthim mbrapa.
Pavarësisht se ende nuk mund të thuhet me plot gojën se është rrënjosur besimi ndaj fqinjit, në kuptimin që ka kjo fjalë në gjuhën e sotme diplomatike evropiane, mund të thuhet pa u gabuar se është zbutur shumë mosbesimi, dhe kjo nuk është pak. Ku më shpejt e ku më ngadalë, klasa politike e ardhur në pushtet në këto vende me rrugë demokratike, po vepron e çliruar nga paranojat tradicionale, të cilat e vishnin gjithsesi fqinjin me një hije armiku. Në qoftë se do të ishte gjallë çërçilli, ai nuk do të kishte më rast të thoshte se vendet e Ballkanit prodhojnë histori më shumë nga ç'është në gjendje stomaku i tyre të bluaj. Ballkanasit po përpiqen sot të bëjnë atë që nuk e bënin atëherë, kur prodhonin "histori" me tepri: ngritjen e shtetit të së drejtës, zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik, rrënjosjen e shoqërisë civile, dhe ndërtimin e sinqertë të paqes. Gjithë kjo po ndodh në sajë të ëndrrës së mrekullueshme evropiane.
Por edhe realizimi i kësaj ëndrre të mrekullueshme shoqërohet me problemet e veta në rajonin tonë. Për të mos bërë një listë të gjatë të këtyre problemeve, po përpiqem të tërheq vëmendjen vetëm te njëri prej tyre. Vërehet pa vështirësi se plotësimi i standardeve përafruese me Bashkimin Evropian përjetohet ndër ne gati-gati si një lloj obsesioni, gjë që në praktikë do të thotë lehtësi në pranimin e reformave të kërkuara nga Brukseli nga të gjithë krahët e politikës kombëtare. Në emër të këtyre reformave, edhe në vendet e Ballkanit po hidhet më në fund fara e një kulture politike të munguar në shekuj e që është kultura e konsensusit. Qëndrimi ndaj tyre ose nuk është çështje e luftës politike për pushtet, për faktin e thjeshtë se të gjithë krahët pajtohen për rëndësinë e tyre, ose edhe kur shndërrohet në një çështje të luftës së brendshme politike, objekt nuk është përmbajtja e këtyre reformave, por cilësia e kryerjes së tyre. Jam i bindur se në asnjë nga vendet themeluese të Bashkimit Evropian, ky proces integrues nuk ka pasur një mbështetje kaq të gjerë popullore si në vendet e Ballkanit.
Një qasje e tillë kaq emocionale shpjegohet kryesisht me faktin se vendet tona kanë mbetur të fundit në radhën e zgjerimit të Bashkimit Evropian. Por, në garën për të fituar kohën e humbur, një qasje e tillë ka ndikuar që shtetet ballkanike ta varfërojnë jetën e tyre diplomatike. Mjaft të shohim vetëm një aspekt, atë të bashkëpunimit rajonal. Vende si Austria, Italia, Greqia, Sllovenia, anëtare të vjetra e të reja të Bashkimit Evropian, nisur nga qëllimi i mirë për të ndihmuar Evropën e prapambetur Juglindore, kanë ndërmarrë nisma pas nismash, të cilat nuk janë kundërshtuar kurrë nga vendet e rajonit tonë. Nga ana tjetër, përvoja ma thotë se këto nisma janë paragjykuar nga vendet e rajonit tonë. Gjatë periudhës së gjatë që jam marrë me marrëdhënie ndërkombëtare, afro njëzet vjet, si diplomat, parlamentar e deri Ministër i Jashtëm i vendin tim, detyra më ka çuar shumë herë të marr pjesë, madje edhe të organizoj në Tiranë veprimtari të të gjitha niveleve të këtyre nismave. Kam pasur kështu rastin të dëgjoj kolegë nga vendet fqinje, por edhe kolegë shqiptarë, të shprehin nën zë dyshimin se këto nisma, të mbështetura haptas edhe nga Brukseli, ishin një sajesë e kamufluar e Evropës për të mbajtur nën kontroll padurimin e vendeve të Ballkanit, përsa i përket anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Sa realist është ky dyshim? E kam të vështirë të përgjigjem. E vërteta është se asnjë herë nuk është bërë nga Brukseli një analizë serioze e efikasitetit të këtyre nismave, por është vazhduar e vazhdon të flitet për rëndësinë e bashkëpunimit e të integrimit rajonal me të njëjtën retorikë optimiste.
Nismat, në të cilat janë përfshirë vendet e Ballkanit gjatë këtyre njëzet vjetëve të postkomunizmit, janë ngritur, zakonisht, mbi kriterin e afërsisë gjeografike, gjë që kupton se edhe objektivi i tyre ka qenë natyrshëm një gamë problemesh me origjinë në historinë mirëfilli evropiane, por edhe të lidhura me perspektivën e integrimit evropian. Një farë përjashtimi nga ky rregull bën Organizata për Bashkëpunimin Ekonomik e Detit të Zi, ku gjenden edhe vende si Rusia, Gjeorgjia, Azerbaixhani e Armenia, të cilat dihet se nuk kanë ndonjë të ardhme evropiane.
Ngjashmëria e të shkuarës nga njëri vend ballkanik te tjetri ka shërbyer aq sa ka shërbyer ndër aktorët, si lehtësi për t'u kuptuar më shpejt mbi dobinë e bashkëpunimit në emër të së ardhmes. Me të drejtë. Si rezultat, kemi gjatë këtyre dekadave një inflacion nismash. Po sjell vetëm shembullin e Shqipërisë, e cila bën pjesë në Nisma Adriatiko-Joniane (AII), Nisma e Evropës Qendrore (CEI), Organizata e Bashkëpunimit Ekonomik të Detit të Zi (BSEC), Procesi i Bashkëpunimit Rajonal (RCC), Nisma e Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SECI), Nisma rajonale e Migracionit, Azilit dhe Refugjatëve (MARRI), Qendra për Bashkëpunimin e Sigurisë (RACVIAK), Qendra për Kontrollin e Armëve (SEESAC), Karta e Partneritetit të Adriatikut (A5), Ministeriali i Mbrojtjes (SEDM), Iniciativa e NATO-s për Evropën Juglindore (SEEI). Shpresoj të mos kem harruar ndonjë. Gjithsesi, janë kaq shumë sa unë, e pohoj me sinqeritet, nuk kam arritur kurrë t'i mësoj përmendësh të gjitha. Ndjekja e veprimtarisë së tyre nënkupton mbledhje të pafund ekspertësh, diplomatësh dhe politikanësh të të gjitha niveleve, për të thënë në fakt gjithandej pak a shumë të njëjtat gjëra, dhe për t'u dëgjuar pak a shumë nga të njëjtët njerëz. Në mbyllje do të kishte dhe vazhdon të ketë zakonisht një deklaratë, e cila mbetet kaq e ngjashme me deklaratën paraardhëse, sa mund të miratohej edhe pa u lexuar, përjashtuar rastet kur pjesëtare e organizatës është edhe Bjellorusia apo Azerbaixhani. Kjo mori strukturash rajonale, pikërisht për shkak të mbivendosjesh, nuk ka prodhuar një mobilizim të shumëfishtë, por krejt të kundërtën, një lloj rutine dhe formalizmi për të gjitha palët. Dhe nuk mund të ndodhte ndryshe. Një vend si Shqipëria, me një trupë diplomatike të vogël, pavarësisht vullnetit të mirë, nuk i ka kapacitetet njerëzore e as ato financiare për t'i ndjekur me seriozitet gjithë këto mbledhje e aq më pak për të kontribuar për to. Besoj se samiti i Parisit më 13 korrik 2008, me përurimin e Bashkimit për Mesdheun (BpM), shënon një moment të veçantë edhe për perspektivën e bashkëpunimit rajonal ndër vendet e Ballkanit Perëndimor. Pranimi me të drejta të plota në këtë Bashkim i katër vendeve të gadishullit tonë, të cilat kanë dalje në Adriatik, Shqipëria, Mali i Zi, Kroacia dhe Bosnje-Hercegovina, i dha fund një ngurrimi të gjatë që BE kishte pasur për ta përfshirë hapësirën adriatike në strategjitë e partnershipit euromesdhetar. Për sa më përket mua, unë asnjëherë nuk e kam kuptuar këtë ngurrim dhe nuk jam pajtuar me të.
Megjithatë, nuk do e kisha përfytyruar dot çfarë përpjekjesh të mëdha do të duheshin për ta thyer këtë ngurrim. Në shtator 2005, unë hyra në Qeverinë e vendit tim si Ministër i Punëve të Jashtme. Ndër hapat e rinj për diplomacinë shqiptare, do të ishte tashmë afrimi me Procesin e Barcelonës. Qysh në fillimin e viteve '90 të shekullit të kaluar, rëndësia rajonale e Shqipërisë ishte përcaktuar në lidhje me inkurajimin e vetëpërmbajtjes kryesisht te shqiptarët e Kosovës, por edhe te shqiptarët e Maqedonisë e të Malit të Zi, për të penguar përhapjen e konfliktit ndëretnik. Me hyrjen e Kosovës në rrugën e pakthyeshme të pavarësisë, përmes mbikëqyrjes ndërkombëtare dhe me nënshkrimin e Marrëveshjes së Ohrit në Maqedoni, roli i Shqipërisë doemos që binte. Domethënë se duhej kërkuar një hapësirë tjetër, e përshtatshme për specifikat dhe interesat e vendit, por edhe komplementare, me objektivin tonë prioritar për integrimin në Bashkimin Evropian. Kisha bindjen se afirmimi i identitetit mesdhetar do i jepte Shqipërisë mundësinë të përfitonte një eksperiencë të re, më të diversifikuar në shkëmbimet ndërkombëtare, por edhe të tregonte kapacitete të reja për të kontribuar në sfidat e përbashkëta për paqe dhe zhvillim. Ishim përpara Samitit të jashtëzakonshëm të kryetarëve të shteteve dhe të qeverive që do të mblidhej në nëntor 2005 në Barcelonë në kuadrin e kremtimit të dhjetë vjetorit të Konferencës Euro-Mesdhetare, që shënoi lindjen e Procesit të Barcelonës (PB). Nuk e kisha pritur të gjeja një kundërshtim aq të madh. E para "këshillë" më erdhi pa vonuar nga Komisioni Evropian, ku gjykohej se një hap i tillë jo vetëm do të ishte i panevojshëm, por edhe mund të shkaktonte një konfuzion të dëmshëm për procesin tonë të integrimit evropian. Ne ende nuk kishim paraqitur asnjë kërkesë zyrtare për t'u anëtarësuar në Procesin e Barcelonës. Vetëm kishim filluar konsultimet në parim me disa nga vendet evropiane më aktive në bashkëpunimin euromesdhetar. Kishim shprehur edhe dëshirën që Shqipëria të merrte pjesë si e ftuar në Samitin e Barcelonës, ku ne vërtetë arritëm të shkojmë por vetëm në sajë të këmbënguljes së Spanjës.
"Këshilla" e Komisionit Evropian nuk kaloi pa lënë gjurmë edhe te diplomatët shqiptarë. Shumë nga bashkëpunëtorët e mi më të mirë dhe më të aftë ma shfaqën preokupimin e tyre të përligjur. çështja e integrimit evropian ishte fondamentale për ne, ndërkohë që në Bruksel dhe në shumë nga kryeqytetet evropiane, ky vështrim i ri i Shqipërisë drejt Mesdheut shihej si një hallakatje energjish dhe sidomos me rrezik për të humbur përfitimet nga programet e posaçme evropiane të preaderimit, aq të nevojshëm për ne. Më vonë e kam mësuar arsyen e vërtetë të ngurrimit të Brukselit. Ishte një arsye jo dhe aq serioze. Marrëdhëniet e Komisionit Evropian me vendet e Ballkanit Perëndimor ndiqeshin nga Drejtoria për Zgjerimin, ndërsa Procesi i Barcelonës ndiqej nga një drejtori tjetër. Rrjedhimisht, kërkesa e Shqipërisë shtronte nevojën e një shqyrtimi, i cili t'i kapërcente ndarjet administrative të Komisionit Evropian, në mënyrë që pjesëmarrja në Procesin e Barcelonës dhe perspektiva e aderimit në BE të pajtoheshin dhe t'i shërbenim me koherencë një qëllimi të vetëm.
Jo se do të thyhej një tabu, por thjesht burokratët e Brukselit po tregonin se bëjnë gjithçka për të punuar sa më pak. Për të mos hyrë në hollësira, fakti është se në samitin pasardhës euro-mesdhetar, në nëntor 2006, që u zhvillua gjatë presidencës finlandeze në Helsinki, Shqipëria nuk u ftua, gjë që do të thoshte për diplomacinë shqiptare se duhej zyrtarizuar menjëherë kërkesa me shkrim për anëtarësim në Procesin e Barcelonës, në mënyrë që Bashkimi Evropian të vihej përpara detyrimit për të na dhënë një përgjigje zyrtare. Pak javë më vonë, në dhjetor 2006, unë i dorëzova homologut tim finlandez letrën formale. Një vit më vonë, me 5 dhe 6 nëntor 2007, Konferenca ministeriale euro-mesdhetare në Lisbonë do e pranonte Shqipërinë si anëtare me të drejta të plota në Procesin e Barcelonës. Por unë tashmë isha larguar nga funksionet e Ministrit të Jashtëm.
Kjo kujtesë, tejet e përmbledhur e përpjekjeve, që iu deshën Shqipërisë për të zënë një vend që i takonte natyrshëm në familjen euromesdhetare, jep rast për të nënvizuar disa përfundime me rëndësi, mendoj unë, lidhur me bashkëpunimin rajonal në të ardhmen.
Ndërtimi i BpM përbën një mundësi të mjaftueshme për t'i integruar ndoshta të gjitha nismat e mëparshme rajonale, në të cilat marrin pjesë vendet e Ballkanit Perëndimor, përjashtuar ato që kanë të bëjnë me NATO-n, duke i dhënë veprim mekanizmit për bashkëpunim të decentralizuar, sipas një ideje të hedhur tashmë nga diplomacia italiane. Një integrim i tillë, në fund të fundit, përputhet edhe me arsyen që qëndron në origjinë të këtyre nismave e që është mbështetja nga ana e Bashkimit Evropian, apo e vendeve të veçanta anëtare në Bashkimin Evropian e zhvillimit politik, institucional, ekonomik apo kulturor të shteteve ballkanike për të fituar kohën e humbur. Nga ana tjetër, hapja drejt bregut jugor të Mesdheut, për vendet e Ballkanit përbën një mundësi të vyer për të fituar një pjekuri të re në bashkëpunimin shumëpalësh. Bashkimi për Mesdheun, tashmë i pajisur edhe me sekretariatin e vet, zotëron kapacitete të mjaftueshme koordinuese, në mënyrë që bashkëpunimi i decentralizuar të mos e cënojë kohezionin e përgjithshëm të funksionimit të përbashkët euro-mesdhetar përballë sfidave. Edhe në qoftë se këto kapacitete nuk ekzistojnë ende në nivelet e duhura, pikërisht bashkëpunimi i decentralizuar mund ta nxisë rritjen e tyre.
Bashkëpunimi i decentralizuar, nga ana e vet, do e nxiste secilin nga vendet e Ballkanit Perëndimor drejt një refleksioni më serioz lidhur me pjesëmarrjen e tij në bashkëpunimin rajonal, që do të thoshte për secilin një mundësi riorganizimi, në përputhje me prioritetet e veta, duke përdorur më mirë energjitë e veta diplomatike, sepse do të shmangej mbivendosja e organizatave, që kanë objektiv të njëjtë ose shumë të ngjashëm.
Integrimi i qartë dhe pa zvarrisje i nismave ekzistuese, ku bëjnë pjesë vendet e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin për Mesdheun do i shërbente në fakt këtij Bashkimi për ta plotësuar përfundimisht hartën e vet. Dhe kjo nuk është pak. Për arsye të ndryshme sot aty mungojnë Serbia, Maqedonia dhe Kosova. Të tre këto shtete janë shprehur pa mëdyshje për të ardhmen e tyre evropiane e madje, kush më shumë e kush më pak, e kanë bërë nga një copë rrugë të rëndësishme në procesin e afrimit me Bashkimin Evropian. Kosova, e cila duket më larg, ka në të vërtetë si monedhë kombëtare euron. Në këtë kuptim e humbet vlerën argumenti se asnjëri prej të treve nuk ka dalje në Adriatik dhe prevalon interesi i perspektivës evropiane. Gjithsesi, mesdhetaria në identitetin kulturor të këtyre popujve është shumë më e dallueshme se tek dy të tretat e atyre që sot përbëjnë Bashkimin Evropian, pra, që kanë sot rol veç e veç dhe së bashku në Bashkimin për Mesdheun. Me një fjalë, me besimin se Bashkimi për Mesdheun u themelua për të pasur një jetë të gjatë, është rasti për një rithemelim të krejt bashkëpunimit rajonal, i cili, duke u vendosur në kuadrin e gjerë të BpM, do të ridinamizohej si formulë bashkëpunimi shumëpalësh përmes rivlerësimit të prioriteteve të zhvillimit nga ana e secilit vend, në përputhje me nevojat e brendshme, por edhe përmes rishqyrtimit të mundësive të secilit vend për të kontribuar në zhvillimin e përbashkët. Në këtë kontekst, edhe për vendet tona do e fitonte gjithnjë e më mirë kuptimin e vërtetë fjala "partneritet", për të shprehur cilësinë e pjesëmarrjes tonë në bashkëpunimin rajonal në vend të fjalës "ndihmë" që përdoret sot kryesisht për të përcaktuar bashkëpunimin tonë me Bashkimin Evropian, dhe ku del në plan të parë pozita e të asistuarit, ku ne gjendemi. Partneriteti, veç të tjerash, sjell edhe pjekuri. Jam i bindur se një rast i tillë mund të shërbente për ta reformuar bashkëpunimin rajonal si koncept, duke i dhënë secilës nismë një identitet të shprehur qartë qysh në objektivat e saj. Bie fjala, nga pikëpamja e interesit të një ballkanasi, vendet e rajonit tonë nuk ka arsye të gjejnë pak a shumë të njëjtat gjëra në Nismën Adriatiko-Joniane dhe në Nismën e Evropës Qendrore. Një lloj "ndarje detyrash" në përputhje me sfidat, që kemi ne përpara, nuk do e zvogëlonte rolin e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian që janë promotore në njërin apo në tjetrin nga nismat. Përkundrazi.
Kërkesa e Shqipërisë për t'u anëtarësuar në Procesin e Barcelonës afro pesë vjet më parë, siç u pa, nxori në pah faktin se edhe Komisioni Evropian nuk ka ende një strategji të vërtetë për të mbështetur bashkëpunimin rajonal. Më së paku mund të thuhet, gjithnjë nisur nga ky shembull, se strukturat e Komisionit Evropian kanë shpesh një ngurtësi burokratike, jo dhe aq mirë të përshtatur për të ndjekur siç duhet ritmin e ndryshueshëm, që presupozohet të kenë nismat rajonale. Por këmbëngulja e diplomacisë shqiptare tregoi se kjo ngurtësi e zyrtarëve evropiane nuk është e pathyeshme. Shqipëria arriti të realizojë një objektiv të politikës së saj të jashtme, por njëherësh ajo i dha një shtysë reformuese mënyrës së funksionimit të Komisionit Europian. Unë nuk jam në gjendje të them deri në ç'masë ky rast shërbeu në Bruksel për të nisur një reflektim, por di që pak muaj më pas, tri vende të Ballkanit Perëndimor: Kroacia, Bosnje- Hercegovina dhe Mali i Zi, e patën shumë më të lehtë të pranoheshin anëtarë të BpM. Madje, precedenti i Shqipërisë e ndihmoi edhe Principatën e Monakos të bëhej pjesë e familjes euro-mesdhetare. Ky është një shembull sesi edhe vendet e vogla, me vullnetin e tyre për të përfituar nga bashkëpunimi rajonal, mund të shërbejnë si katalizatorë pozitivë për struktura të tilla gjigante si Komisioni Europian.
Bashkëpunimi rajonal, pra, është sigurisht në dobi të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Por do të ishte gabim të mendohej se është vetëm në dobinë e tyre. E shoh të nevojshme të punohet për të ndryshuar perceptimin për bashkëpunim rajonal, si një rrugë e zgjedhur nga Bashkimi Evropian apo vende të ndryshme anëtare të Bashkimit Evropian, thjesht për të ndihmuar vendet e këtij rajoni. Nuk është bashkëpunimi rajonal skema e vërtetë ku Bashkimi Evropian shpalos "frymën e vet të solidaritetit" me vëllezërit e varfër euroballkanikë. Pjesëmarrja aktive e vendeve të Ballkanit Perëndimor, në bashkëpunimin rajonal është po ashtu në dobi të vendeve të zhvilluara evropiane, të cilat gjenden aktore në këto procese. Strukturimi i plotë i BpM jep rastin më të mirë për një rikonceptim të bashkëpunimit rajonal, me qëllim që ky bashkëpunim të bëhet vërtetë efektiv. Rrjedhimisht, me integrimin e nismave të lartpërmendura në Bashkimin për Mesdheun, edhe vetë ky Bashkim do të pranohej e të ndjehej më fort në jetën e vendeve anëtare.
* Besnik Mustafaj është shkrimtar,
ish-ministër i Jashtëm i Shqipërisë

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›