E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bisedime për statusin special të veriut?

Mitrovicë

Bashkë me dorëheqjen nga posti i Presidentit të Serbisë, Boris Tadic ka treguar planin e tij për pjesën Veriore të Kosovës.Ka thënë se duhet të bisedohet për një status të veçantë, dhe një plan gjithëpërfshirës për Veriun, por jo për ndarjen e Kosovës.Ideja e fundit e Tadicit ka marrë përgjigjen e Prishtinës.Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi ka thënë se s`ka kurrfarë plani tjetër për Veriun, përpos Pakos së Ahtisaarit dhe Kushtetutës së Kosovës.Planin e Tadicit, Kuçi e ka quajtur fushatë elektorale.

Por, Presidenti në dorëheqje i Serbisë, ka thënë se plani i tij ka gjetur për herë të parë përkrahje në kryeqytetet e botës.
Duhet të negociojmë për statusin e veçantë për Veriun, status ky i cili nënkupton përgjegjësi të qartë për serbët, dhe jam i bindur se kjo do të ishte një zgjidhje gjithëpërfshirëse dhe një kompromis, i cili i kontribuon interesit jo vetëm serbë, por edhe atij shqiptar, dhe në fund edhe BEsë, ka thënë Tadic, në Beograd, tek ka kumtuar lajmin se ka dhënë dorëheqje, për t`u hapur rrugë edhe zgjedhjeve presidenciale atje.

Në të gjitha kryeqytetet që sot vendosin për Kosovën kjo çështje ka hasur në reagime pozitive, ka shtuar Tadic.
Megjithëkëtë, Zëvendësi i Thaçit ka thënë se Qeveria e Kosovës, deklaratat e Tadicit i sheh si fushatë elektorale dhe ka mohuar se ka ndonjë sinjal, por se po tentohet të dialogohet me Beogradin për Veriun.

Nuk ka kurrfarë indikacione, dhe këto janë çështje që duhet t`i bisedojmë ne mes veti, me faktorin ndërkombëtarë, me qytetarët tanë serbë të Kosovës, por raporti me Serbinë është raport me shtet fqinjë, ka thënë Kuçi për Express, të mërkurën.

Ndryshe, ambasadorë të BEsë në Kosovë, kanë përsëritur se problemi i Veriut do të adresohet pas zgjedhjeve në Serbi. Madje, ka pasur ide se duhet të gjendet një zgjidhje që nuk është në kundërshtim me sovranitetin e Kosovës, por që merr edhe për bazë kërkesat e qytetarëve serbë.

Por, Kuci thotë se nuk mund te shkohet përtej Planit të Ahtisaarit dhe Kushtetutës.
Në Veri duhet të implementohet rendi dhe ligji, Pakoja e Ahtisaarit dhe Kushtetuta e Republikës së Kosovës. Ne asnjëherë nuk i bisedojmë çështjet e brendshme, dhe kjo nuk është pjesë që duhet të diskutohet me Beogradin. Ne në plan duhet ta kemi se si me e imlementu Kushtetutën dhe Pakon e Ahtisaarit. Ky është plani dhe angazhimi ynë, ka shtuar ai.

Veç kësaj, Kuçi ka thënë se fushatat e tilla të zyrtarëve serbë kanë marrë përgjigje adekuate, si nga vendorët ashtu edhe nga ndërkombëtarët.Zhvillimet e brendshme në Serbi nuk kanë ndikim të drejtpërdrejtë në Kosovë.
Në kohë fushatash elektorale, është deklaratë dhe politikë e mirë ajo që suksesin ose mos suksesin e vendit të vet e bazon mbi zhvillimet e vendit tjetër, dhe unë besoj se u ka dhënë përgjigjen deri tash dhe do t`iu jep edhe në të ardhmen, ka thënë Kuçi.

Ndryshe, Bashkimi Europian ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës të hartojë një strategji gjithëpërfshirëse për integrimin e pjesës Veriore.Veriu i Kosovës, ku bëjnë pjesë gjysma e Mitrovicës, Leposaviqi, Zveçani dhe Zubin Potoku, prej vitit 1999 funksionon me institucione të Serbisë. E banuar me shumicë serbe, kjo pjesë i ka refuzuar në vazhdimësi institucionet e Republikës së Kosovës, ndërsa tash po kërkon që të ketë status të veçantë prej pjesës tjetër. /Express/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›