Mbledhja e KB: 409 familje marrin kredi të buta
TIRANE – Këshilli Bashkiak në mbledhjen e tij të rradhës ka miratuar një serë projektesh të rëndësishme. Këshilltarët votuan të gjitha pikat e rendit të ditës, i cili u miratua qysh në fillim të mbledhjes me votat e të gjithë këshilltarëve.
Vetë kreu i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha në fillim të mbledhjes bëri një paraqitje të vendimeve që Këshilli miratoi në mbledhjen e sotme. Një prej pikave më të rëndësishme ishte miratimi i vendimit për përfitimin e kredive të buta nga 409 familje të kryeqytetit, vendim i cili do të përmirësojë situatën e tyre të strehimit. Nga keto familje jane 184 te propozuara nga administrata e Bashes, ndersa 225 i perkasin administrates se kaluar.
Kjo nuk ezauron mundësinë për të mbështetur familje të tjera në nevojë në Tiranë. Drejtoria e Strehimit vazhdon të presë kërkesa të tjera. Ne shpresojmë të vijmë sërish para këtij Këshilli, me një listë tjetër, mundësisht brenda këtij viti, në mënyrë që kuota për të lehtësuar kreditë e buta të përdoren gjerësisht në mënyrë që të përfitojnë sa më shumë familje nga këto kredi.- tha Basha.
Kreu i grupit të këshilltarëve të opozitës, Aldrin Dalipi akuzoi se 225 nga familjet që do të përfitojnë sot mund të kishin përfituar më përpara nëse anëtarët e Këshillit Bashkiak të grupit politik që përfaqëson Basha do të kishin votuar.
Grupimi i tij politik i la pa shtëpi- tha Dalipi.
Pikë tjetër e rendit të ditës ishte edhe përfundimi i procedurave të privatizimit të banesave.
Janë 74 familje që do të përfitojnë që kundrejt pagesave simbolike të bëhen pronarë të ligjshëm të banesave ku kanë jetuar prej kohësh.- tha kryebashkiaku.
Janë miratuar edhe vendimi për hapjen e Tirana Art Gallery, e cila do të ngrihet në rrugën Murat Toptani, dhe që do të jetë në shërbim të artistëve shqiptarë dhe të huaj, kryesisht të të rinjve. Gjithashtu eshte votuar vendosja e një pllake memoriale në kujtim të Holokaustit, emërtimi i një shkolle të re në kryeqytet me emrin e At Gjergj Fishtës si dhe ristrukturimi i disa qendrave komunitare.