Bisedimet - për çka?
Presioni ndërkombëtar ndaj përfaqësuesve të institucioneve të Kosovës për të biseduar me serbët, përkatësisht me Serbinë, duket se ka filluar të intensifikohet tash sa javë. Jo shumë kohë pasi që hynë trupat e NATO-s në Kosovës dhe jo shumë muaj pasi u instalua administrata e UNMIK-ut, filluan vajtje-ardhjet e këtyre zyrtarëve në Beograd dhe e kundërta. Për disa nga këto takime dhe për marrëveshjet që i bënë thuhet se nuk u mor vesh gjë se për çka ishte fjala. Pati pakënaqësi të dukshme të shqiptarëve të Kosovës, administratorët erdhën dhe shkuan si puna e klientëve që ndërroheshin te berberi, duke shkuar jo rrallë në Beograd ose duke u takuar me ta për probleme të cilat pikë së pari kishin të bënin me shqiptarët e Kosovës dhe ishin punë e tyre e jo e nëpunësve të huaj.
Disa marrëveshje të tjera nuk na pëlqyen dhe ishin në dëmin tonë; të tjerat që mund t’i kenë bërë, shpresojmë se do t’i zhvlerësojmë, sepse administrata ndërkombëtare që nuk ishte shtet, nuk ishte as pushtet i zgjedhur nga elektorati, që të mos themi nga populli, nuk mund të ketë mandat të bisedojë dhe të vendosë për ata të cilët nuk e kanë votuar. UNMIK-u erdhi dhe shkoi, s’kemi çka e vajtojmë, mirëpo disa nga institucionet e tjera, sidomos disa mekanizma të Bashkimit Evropian duket se sërish po bëjnë presion mbi përfaqësuesit e institucioneve ndërkombëtare për t’u takuar dhe për të biseduar me zyrtarët e Beogradit.
Viktimat, dëmshpërblimet, pasuria e vjedhur
Ka shumë arsye për të cilat do të duhej të bisedojmë me Beogradin, pavarësisht nga fakti se zyrtarët serbë asnjëherë nuk bënë ballë ta shohin realitetin me sy, ta pranojnë të vërtetën dhe të mendojnë ndonjëherë me kokë të veten pa presionin e turmës për të parë se sa shumë tmerre bënë në Kosovë, sa shumë krime pati ndaj nesh nga policia, ushtria dhe kolonistët e tyre, prandaj është momenti që të kërkojnë falje, të pranojnë se ata ose të tjerët nga kombi i tyre kanë bërë krime të rënda, kanë bërë gjenocid ndaj nesh, prandaj duhet të ndërrojmë qasje, të ndryshojmë qëndrim dhe të bëhen më njerëzorë, më normalë dhe më të afrueshëm. Kështu, sikurse sillën janë fajtorë, janë humbës, krijojnë telashe nga më të ndryshmet, janë faktorë destabilizues, ndërsa sillen sikur ata të ishin të dëmtuar, sikur ata kanë fituar etj.
Pos faktit se ata na kanë mbetur borxh, në njerëz që na i vranë dhe nuk u dënuan dhe as nuk u gjykuan për këto krime, janë borxhlinj, sepse një numër të atyre të vrarëve nuk i kthejnë në Kosovë. Pastaj, ka gjëra që i quajmë teknike: reparacionet e luftës, përkatësisht dëmshpërblimet për rrënimet që i bënë gjatë luftimeve, sepse ata e humbën luftën. Janë paratë e pasuritë që i plaçkitën në Kosovë dhe i morën me vete në Beograd, ndërsa të gjitha ato gjëra janë të evidentuara dhe dihet se ku janë dhe kush është pronar. Janë edhe paratë e bankave të ndryshme, pastaj përfaqësitë diplomatike dhe një varg i problemeve të tjera të rëndësishme, për të cilat do të duhej të bisedohej, madje është Beogradi ai që do të duhej të kërkonte bisedime të këtilla.
Por për dallim nga kjo, sipas debateve që dalin në sipërfaqe, duket se bashkësia ndërkombëtare dhe zyrtarët e Beogradit këmbëngulin për të biseduar për gjëra që atyre u interesojnë.
Efektet e bisedimeve - zvarritja!
Pra, duan të vënë kushte dhe të ngulin një pengesë në Kosovë, në mënyrë që ata të bëhen faktorë në raportet politike e ekonomike të Kosovës, sikur ata të kishin ndonjë të drejtë protektore. Ndryshe është vështirë të kuptohet bashkësia ndërkombëtare pse i qaset në këtë mënyrë bisedimeve shqiptaro-serbe. Duhet të bisedohet kur shqiptarët ta shohin të arsyeshme e jo të merret me aq siklet dhe me diktate.
Ndërkaq, një pjesë e bashkësisë ndërkombëtare tash përpiqet t’i marrë me të mirë, t’i zbusë dhe t’i përkëdhelë ata, meqë Kosova do të jetë e pavarur. Duke i marrë më të mirë, kërkesat e Beogradit rriten, oreksi i tyre shtohet, kështu që jo rrallë vënë kushte.
Krijohet përshtypja se kur bashkësisë ndërkombëtare i mungojnë idetë, përkatësisht kur ngurrojnë të bëjnë një prerje pak më të ashpër dhe t’ia tregojnë vendin Serbisë apo të jenë më të vendosur me Rusinë, atëherë bëjnë presion mbi shqiptarët e Kosovës dhe mbi përfaqësuesit e tyre institucionalë për të biseduar me Beogradin.
Prandaj, duke u nisur nga kjo atmosferë e presioneve, shtrohet pyetja: Për çka do të bisedohet me Beogradin? Cilat janë ato probleme teknike? A do të zgjidhen çështjet e grumbulluara me dhjetëvjetëshe apo do të zvarriten sikurse në të kaluarën ashtu sikurse dinë serbët t’i zvarrisin bisedimet dhe të mos bëjnë asgjë?
Dhe ashtu siç po dalin gjërat në sipërfaqe, bisedime do të ketë, por rezultatet do të jenë shumë të dyshimta, nëse do të ketë rezultate, sepse në këtë mënyrë ato nuk po bëhen për të mirë, por mund të kenë pasoja dhe sidomos mund të zvarritet zgjidhja e veriut të Mitrovicës që është peng i Serbisë dhe lojë e saj e ndyrë, e cila fatkeqësisht është duke u toleruar nga bashkësia ndërkombëtare, në vend që t’ua presë shkurt.