E Shtunë, 31 Tetor 2026

Entuziazmi i të gabuarit vazhdimisht

>Nga Besi BEKTESHI
Një nga mendjet më të ndritura të politikës dhe qeverisjes patjetër që është ajo e Ëinston Churchill-it, një nga Kryeministrat më të shkëlqyer të Britanisë së Madhe dhe fitues i luftës së dytë botërore. Kjo mendje e shkëlqyer kur fitoi pikërisht atë luftë të përgjakshme e pa të udhës që të ndalej në politikë dhe drejtim. Mund të kishte vazhduar më së miri. Por jo, u ndal.
Një nga batutat e larta në formë të aforizmit të jashtëzakonshëm është dhe kjo: Suksesi është zotësia për të kaluar nga një falimentim në një tjetër, pa e humbur entuziazmin tënd. Me një fjalë, një nga mendjet më të ndritura të botës, duke ju drejtuar të gjithëve që konceptojnë suksesin si diçka gati sipër natyrore ju sqaron se, gabimi dhe falimentimi i vazhdueshëm, i pa ndalur, sa te njëri dhe te tjetri dhe i kryer me entuziazëm, është ....sukses..... Eeee, po ku ka më vërtetim se sa te ne, kjo frazë e madhe e anglezit të jashtëzakonshëm. Natyrisht që ai nuk ka pasur më entuziazëm për të kaluar nga falimentimi në falimentim dhe pikërisht për këtë nuk ka vazhduar më të drejtojë apo të mbijetojë politikisht në vazhdueshmëri të tillë të gjatë dhe në vazhdim. Ose më mirë, ka ditur të mos kalojë nga falimenti në faliment dhe prandaj nuk e ka zgjatur më. Entuziazmi i të gabuarit dhe falimentit është një virtyt i politikanëve tonë dhe një shoqërie me sa duket e prapambetur deri në atë pikë, sa dorëzimin përpara falimenteve e konsiderojnë një diçka jashtë logjikës së përgjithshme, dhe sidomos asaj personale. Se çon në faliment dhe pastaj sërish në faliment, kjo nuk përbën ndonjë problem, por pikërisht një sukses. Në fakt nuk mund të bëhet lojë fjalësh por është një zotësi që të ruash entuziazmin kur kalon nga falimenti në faliment, dhe kjo është një sukses....! Falimentin në të vërtetë, me zotësinë tonë të një klase politike të zonja, gati gati nuk e pranojmë, dhe këtu mund të thuash dhe shkruash mijëra dhe miliona fjalë dhe po aq shembuj. Faliment bie fjala dhe mund të quhet lehtësisht faj, apo pak më lehtë gabim, është 97-ta me të gjitha aksesorët e saj politikë, financiarë dhe shoqërorë. Faliment është vonesa e madhe në integrim dhe qytetërim, në shtetin shqiptar. Faliment është demokracia dhe zbatimi saj në Shqipëri. Faliment është drejtësia.
Faliment është ndarja e pushteteve. Faliment është ai i mbrojtjes sociale.
Faliment është korrupsioni i tepërt dhe asnjëherë i përmbajtshëm në kufijtë e durimit.
Faliment është mos zbatimi i kushtetutës apo përdhosja e saj në shumë raste.
Faliment ishte sistemi maxhoritar. Faliment janë shumë palë zgjedhje jo të lira dhe jo, të standardeve demokratike. Faliment është banditizmi politik në politizimin e të gjithë shoqërisë dhe ekonomisë dhe varësia e çdo elementi të tillë, nga pikërisht politika.
Faliment është varësia e turpshme e subjekteve politike nga lideri, cilido qoftë ai.
Faliment është administrata prej shumë vitesh, që nuk ka qoftë më të voglin përkushtim profesional, përveç përkushtimit politik. Faliment janë shërbimet që nuk janë, ose nuk jepen.
Falimentim është tranzicioni i stërgjatë dhe i lodhshëm. Faliment është veprimi mbi pronën dhe po ashtu e të drejtës mbi të. Faliment kanë qenë dhe janë, edhe disa prej privatizimeve të mëdha.
Faliment është edhe turizmi dhe bujqësia në Shqipëri. Faliment është edhe mos shfrytëzimi i resurseve të mëdha që kemi. Faliment janë papunësia dhe niveli jetësor. Faliment është edhe i gjithë sistemi i ballafaqimit real me botën dhe bile edhe me komshinjtë në qytetërim. Ka plot falimente të tjerë. Por....
Por ne vazhdojmë nga falimenti në faliment, ose më mirë nga gabimi në gabim, sepse jemi dhe kemi Kryeministra dhe Kryetarë partish entuziastë, që patjetër duken të suksesshëm. Nuk kanë humbur asnjëherë entuziazmin, pse kanë kaluar nga gabimi në gabim, dhe nga falimenti në faliment. Janë të zot në këtë drejtim.  Sepse asnjëri nuk është ndalur ti thotë vetes... boll... tani unë do të tërhiqem. Jo.. kanë qenë të zot për të qenë entuziastë për të shkuar në një faliment tjetër. Mirëpo për ta plotësuar më mirë këtë ide të politikanit britanik, duhet ti shtojmë edhe një frazë lapidare të aktorit dhe regjisorit të madh Ëoody Allen. Ai në mënyrë të qartë thotë: Bota është e ndarë në të mirë dhe të këqij. Të mirët flenë mirë natën, kurse të këqijtë ja kalojnë mirë gjatë ditës..!! Po si mund të flesh mirë, kur gabon dhe gabon, apo falimenton dhe falimenton??!
Kjo punë bëhet mirë gjatë ditës dhe ditë për ditë. Nga ushtria e të mirëve zor se ka entuziastë të gabimit dhe të falimentimit të përsëritur, sepse nuk mund të flinin mirë natën, kurse nga ajo e të këqijve, provat e ditës me falimentime e bëjnë këtë të fundit, super argëtuese..! Megjithatë Allen ka edhe një shprehje tjetër shumë sinjikative që thotë: Avantazhi për të qenë inteligjent është se mund të bësh edhe budallain, ndërkohë që e kundërta është krejtësisht e pa mundur.
Nuk mund të ketë parafrazim më sensacional në mënyrën e të pranuarit të politikës së paku nga inteligjentët. Pjesa më e madhe e tyre është detyruar të bëjë budallain, me të tillë të zot të sukseseve nga falimenti në faliment apo nga gabimi në gabim. Kanë qenë aq inteligjentë sa të jenë budallenj, sepse përndryshe do të kishin luajtur mëndësh me aftësitë e atyre që nga budallenj nuk mund të bëjnë kurrë inteligjentin dhe kalojnë pa asnjë ndalim, nga gabimi në gabim. Faji i tyre është se po lejojnë gjatë, shfaqen e rolit të tyre të pa pranueshëm në saj të pranimit të rolit të entuziastëve të falimentimeve të shumta politike, ekonomike dhe sidomos demokratike që kemi përjetuar, përjetojmë dhe do të përjetojmë, edhe për disa vite.

Last Updated on Sunday, 18 January 2009 00:00

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›