E Diel, 1 Nëntor 2026

Bisedimet, analistët: Kosova pa një strategji të qartë

Analistët politikë në Prishtinë thonë se Kosova po vijon bisedimet me Serbinë, pa një strategji të qartë dhe nga kjo, sipas tyre, nuk mund të ketë as rezultate. Analistët konsiderojnë se nëse edhe më tej vazhdohet kështu, palët duhet ta rishqyrtojnë pozicionin e tyre.
Raundi i tretë i bisedimeve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit ka vazhduar edhe të premten. Ndonëse deri më tani nuk është shënuar ndonjë rezultat konkret për zgjidhjen e çështjeve, për të cilat është diskutuar, njohësit e rrethanave politike thonë se këto bisedime Kosovën nuk do ta çojë në asnjë vend.

Analisti politik, Halil Matoshi, thotë se bisedimet Prishtinë - Beograd po zhvillohen pa një strategji konkrete dhe nuk mund të ketë asnjë lloj rezultati për vendin. Analisti Matoshi konsideron se Kosova ka hyrë në këto bisedime vetëm e vetëm që udhëheqësit e institucioneve të vendit të kenë raporte të mira me ndërkombëtarët.

“Qeveria e Kosovës po i mban të hapura këto bisedime thjesht nga presioni ndërkombëtar mbi ta dhe për ta mbajtur pozicionin e tyre të mbrojtur nga bashkësia ndërkombëtare që është e pranishme në Prishtinë”, konsideron Matoshi.

Ndërkaq, analisti tjetër politik, Driton Lajçi, thotë se edhe pse është dashur të ketë ndonjë rezultat nga takimet e zhvilluara deri më tani, përfitimet kanë qenë më shumë të karakterit politik sesa praktik.

Sipas Lajçit, nëse bisedimet vazhdojnë me këtë ritëm dhe pa rezultate, palët negociuese duhet ta rishqyrtojnë pozicionin e tyre. Lajçi thekson edhe nevojën e ndërmjetësimit të Shteteve të Bashkuara, krahas ndërmjtesuesve te BE-së. Që nga nisja e bisedimeve në fillim të muajit mars, palët kanë trajtuar problemet që ndërlidhen me regjistrin civil, kthimin e dokumenteve kadastrale, CEFTA-n e vulat doganore, energjinë dhe Postë-Telekomunikacionin, por pa ndonjë rezultat konkret.

Ndërsa tema e këtij raundi bisedimesh, janë ato mbi lëvizjen e lirë të qytetarëve dhe të automjeteve dhe mbi temat, për të cilat nuk është arritur ndonjë marrëveshje në dy raundet paraprake. 
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›