Bisedimet Kosovë – Serbi, pas 16 janarit

Përfaqësuesit e delegacioneve Kosovë – Serbi, do të takohen sërish në Bruksel pas datës 16 janar, ndërsa ende nuk bëhet e ditur një axhendë konkrete për nisjen e dialogut.
Zyrtarët serbë, siç raporton sot gazeta serbe Novosti, janë plotësisht të gatshëm për të vazhduar bisedimet, për të cilat tashmë janë përgatitur disa propozime për zgjidhjen e pjesëmarrjes së përfaqësuesve të Kosovës në forumet rajonale. Kjo, sipas gazetës serbe, siç është pohuar edhe në Këshillin e Evropës, do të jetë do të jetë tema kryesore i dialogut. Nëse të dy palët përafrojnë qëndrimet rreth pjesëmarrjes në forumet rajonale, në rend dite mund të jenë edhe temat rreth energjetikës dhe telekomunikacionit. “Ne jemi të gatshëm për vazhdimin e dialogut, ndërsa pozicionet tona janë mirë të njohura dhe ato mbesin të njëjta. Përparim në bisedime mund të arrihet vetëm nëse Prishtina heq dorë nga kërkesa që përfaqësimi rajonal mos të mbështetet në Rezolutën 1244. Për palën serbe ky është kushti i vetëm”- ka thënë për Novosti, shefi i delegacionit serb të bisedimeve, Borislav Stefanoviq.
Ai ka shtuar se formula për përfaqësimin rajonal duhet kërkuar ekskluzivisht në kuadër të Rezolutës 1244.
Sipas gazetës serbe, Brukseli, në ditë e ardhshme, do të bëjë presion të shtuar
Te zyrtarët e Kosovës që të jenë më kooperativ në dialog, në mënyrë që sërish të ulen në dialog.