Bisedimet Kosovë-Serbi, arrihet marrëveshja për mbishkrimin

Pas tre ditësh bisedime, është arritur marrëveshja ndërmjet palëve në Bruksel për formulën e përfaqësimit të Kosovës dhe mënyrës së përdorimit të mbishkrimit. Ekipet negociatore të Prishtinës dhe Beogradit finalizuan me sukses marrëveshjen lidhur me përfaqësimin rajonal të Kosovës.
Mëngjesin e së premtes, delegacionet nga Kosova dhe Serbia hynë në ditën e tretë të negociatave dhe ashtu siç ishte paralajmëruar, nuk do të mund të largoheshin nga Brukseli pa arritur një pajtueshmëri për çështjen e mbishkrimit dhe temave të tjera. Takimi i ditës së dytë përfundoi mbrëmjen e vonë të së enjtes, për të rinisur mengjesin e së premtes. Këto ishin bisedimet e radhës teknike midis Prishtinës dhe Beogradit, në Bruksel.
Përfaqësimi i Kosovës në forumet rajonale si dhe marrëveshja për menaxhimin e integruar të kufijve, ishin temat kryesore të diskutimeve në këtë raund. Gjatë këtyre ditëve, shefja e delegacionit kosovar, Edita Tahiri nuk ka dhënë asnjë deklaratë lidhur me rrjedhën e bisedimeve, ndërsa shefi i delegacionit serb, Borislav Stefanoviç pas mesantës të së enjtes, komentoi rrjedhën e tyre, duke thënë se raundi i djeshëm u zhvillua në një atmosferë të rëndë dhe se për këtë, ishte përgjegjës delegacioni i Prishtinës.
Prishtina, sipas tij, doli me pozicione negative, përjashtuese dhe ndonjëherë joracionale, ndërsa sipas tij, pala serbe po mundohej në mënyrë konstruktive dhe racionale të gjente një zgjidhje, duke respektuar Rezolutën 1244”. Madje Stefanoviç tha se Beogradi do të luante rol pozitiv për arritjen e marrëveshjes.