Bisedimet, Thaçi: Serbia të njohë vulat e Kosovës
Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi ka ftuar Beogradin zyrtar që të pranojë vulat e doganave të Kosovës pasi nuk do të ketë zgjidhje tjetër.
Këto komente kreu i ekzekutivit kosovar i bëri pas mbledhjes së qeverisë.
“Do të diskutohet për vulat doganore dhe ne do të mbajmë qendrimin tonë të qartë që Beogradi të pranojë përfundimisht vulat doganore të Kosovës, ku shefi i doganës do të jetë i ngarkuar nga doganat e Kosovës, ku shefi i policisë do jetë i ngarkuar nga policia e Kosovës. Autoritetin aty do ta ushtrojnë vetëm autoritetet kosovare”, tha Thaçi.
Duke folur për aksionet e policisë së Eulex-it në Veri, kryeministri Thaçi tha se aksionet policore nuk do të ndalen deri në shpartallimin e grupeve kriminale në atë pjesë.
"Ata do të kenë fletë-arreste ndërkombëtare dhe vetë Beogradi nuk do të mund t`i strehojë nëpër institucionet e veta ku punojnë gjithë kohën. Një pjesë e tyre janë në largim nga Kosova. Beogradi e ka detyrim ndërkombëtar që të arrestojë personat që kanë shkaktuar dhunë në Republikën e Kosovës”, tha kryeministri.
I pyetur nga gazetarët për vizitat e shpeshta të zyrtarëve serb, sic ishte një natë më parë ajo e Borko Stefanovic në Veri, kryeministri Thaçi foli për ekzistimin e shtigjeve ilegale në veri të Kosovës, por ai siguroi se edhe ato shpejtë do të mbyllen dhe zyrtarët serb do të ballafaqohen me ligjin.
Kryeministri Thaçi refuzoi të bëjë komente lidhur me debatin e nxehtë për fenë dhe shamitë në shkolla. Ai u ndal më shume te projektligji për zonën e qendrës historike të Prizrenit të cilin qeveria e procedoi për të dytën herë në Kuvend.
Thaçi tha se Kosova duhet t`i përmbushë detyrimet që dalin nga dokumenti i Ahistarit.