E Shtunë, 31 Tetor 2026

Maqedoni, Janevski: Kompromis për regjistrimin edhe pa shqiptarët

Komisioni Shtetëror i Regjistrimit (KSHR) në Maqedoni akoma nuk ka arritur marrëveshjen lidhur me organizimin e procesit të regjistrimit që do të mbahet prej 1 deri më 15 tetor.

Kryetarja e KSHR-së, Vesna Janevska ka theksuar se patjetër duhet të arrihet marrëveshje, sepse mosmarrëveshjet po bëhen të pakuptimta.

“Është e mundshme, që në rast se shqiptarët qëndrojnë pas qëndrimeve për të mos pasur kompromis, atëherë ne të bëjmë kompromise të caktuara, varësisht nga faktet se çfarë lëshimesh duhet të bëhen. Kjo do të bëhej në rrezik timin personal si kryetare e Komisionit”, deklaroi Vesna Janevska.

Ajo ka theksuar se do të duhet edhe disa ditë për të shpallur konkursin për pranimin e regjistruesve, por duke qenë e bindur se ka kohë për përgaditjet për regjistrimin e 1 tetorit.

Nënkryetari i KSHR-së, Abdulmenaf Bexheti nuk ka qenë i pranishëm në mbledhjen e fundit, ndërsa ai ka përsëritur faktin se gjasat janë minimale për arritjen e ndonjë marrëveshje.

Partitë e koalicionit qeveritar VMRO-DPMNE dhe BDI qëndrojnë fuqimisht pas marrëveshjes së tyre që regjistrimi të mbahet në tetor. Javën e kaluar partia e shqiptarëve në opozitë PDSH-ja kërkoi shtyerjen e datës së regjistrimit për në korrik të vitit të ardhshëm, me qëllim të përfshirjes edhe të emigrantëve.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›