E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bisedimet me Iranin me 13 dhe 14 prill ne Stamboll

Irani ka rënë dakord për raundin e radhës të bisedimeve për programin e tij bërthamor, të cilat do të mbahen në datat 13 dhe 14 prill në Stamboll.
Sekretarja e Shtetit Hillary Clinton tha se Perëndimi pret një reagim pozitiv të Teheranit për programin e tij bërthamor, për ndaljen e projektit për ndërtimin e bombës bërthamore, pavarësisht se Irani vetë mohon të tilla akuza duke deklaruar se programi i tij bërthamor ka synime paqësore. E ndërsa priten bisedimet, Shtetet e Bashkuara të Amerikës po planifikojnë sanksione të tjera për të detyruar Iranin të heqë dorë nga programi i tij bërthamor. BBC citon burime nga Shtëpia e Bardhë ku thuhet se sanksionet do të bien fort mbi të gjithë klientët blerës të naftës iraniane.
Uashingtoni i druhej pasojave që mund të sillte në tregjet ndërkombëtare bojkotimi i naftës iraniane, por pas studimeve të tregjeve, Shtëpia e Bardhë ka rënë dakort për sanksione të reja ndaj naftës iraniane. “Ka mjaftueshëm naftë në tregjet globale saqë pasojat e bojkotit të naftës iraniane nuk do të ndjeheshin as nga Shtetet e Bashkuara dhe as nga Aleatët”, citohet presidenti Obama nga BBC. Sanksionet e reja prekin kryesisht bankat aziatike të lidhura ngushtë me transfertat e parave drejt Teheranit për naftën e tij, para që derdhen nga blerës të fuqishëm, pjesa më e madhe, po aziatikë.
Nëse do të miratohen, sanksionet do t’i mbivendosen atyre ekzistuese në fushën ekonomike ndaj Iranit, siç janë sanksionet ndaj Bankës Qendrore Iraniane dhe ndaj zyrtarëve të lartë të Republikës Islamike.
Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara ka vendosur katër raunde sanksionesh kundër Iranit, për shkak të refuzimit të tij për të ndaluar pasurimin e uraniumit.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›