E Shtunë, 31 Tetor 2026

Turqi samiti per Sirine

Ka nisur në Stamboll nën masa të rrepta sigurie takimi 'Miqtë e Sirisë', gjatë të cilit opozita siriane takon mbështetësit e saj perëndimorë,. Ministrat e Jashtëm të më shumë se 70 vendeve perëndimore dhe arabe takohen, në përpjekje për të gjetur një rrugë që do t’i japë zgjidhje krizës siriane. Përpara takimit të të ashtuquajturve “grupit të Miqve të Sirisë”, liderat e opozitës në Siri u bënë thirrje rebelëve që të rrokin armët dhe të përshkallëzojnë luftën e tyre kundër regjimit, pavarësisht përgjigjes jashtë çdo proporcioni të autoriteteve ndaj tyre. Opozita siriane vazhdon të mbetet e ndarë dhe nuk ka pranuar ende formalisht planin e paqes së OKB-së, ndërsa mundësia e një ndërhyrjeje ushtarake të Perëndimit në Siri është pothuajse zero. Përfaqësues të opozitës takohen me ministrat e jashtëm të fuqive perëndimore, përfshirë Sekretaren amerikane të Shtetit, Hillary Clinton. Sipas ekspertëve ndërkombëtarë, opozita ka marrë garanci nga ana e komunitetit ndërkombëtar për mbështetje, ndërsa po përpiqet të forcojë pozitat e saj në vend, përpara një armëpushimi te paraqitur nga Annan. Takimi i Stambollit vjen në një kohë kur 25 viktima të reja u regjistruan në luftimet e së shtunës, ndërsa forcat qeveritare vazhduan të bombardojnë zona urbane. Sipas raporteve të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, mbi 9 mijë persona kanë mbetur viktimë e konfliktit të nisur në mars 2011 në Siri, por raporte paralele të aktivistëve e ngrenë bilancin deri në dy herë më shumë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›