Bisedimet me Kosovën, Daçiç: Strategjia brenda 10 ditësh

Kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiç, ka thënë sot se thelbi i bisedimeve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës nuk duhet të jetë detyrimi i Serbisë për të njohur Kosovën, pasi shteti serb “nuk do të ishte i gatshëm të merrte pjesë në to”.
Në konferencën për gazetarë në Beograd, Daçiç ka thënë se brenda dhjetë ditësh do të përpilohet strategjia e bisedimeve me Prishtinën.
Sipas tij, “më e rëndësishme është se çfarë do të flitet, sesa kush do të ulet rreth tryezës”.
Pas bisedimeve me shefin e delegacionit të Parlamentit Evropian për Evropën Juglindore, Eduard Kukan, Daçiç ka deklaruar se Serbia është e gatshme për nisjen e negociatave për anëtarësim në BE.