Bisedimet, nuk ka marrëveshje me Iranin
Një raund disaditor bisedimesh mes perëndimit të Iranit duket se nuk arriti të mbyllet me një marrëveshje mbi programin bërthamor të këtij vendi. Sipas një diplomati, Irani iu përgjigj ofertës për të lehtësuar embargon në një mënyrë të tillë që sipas Rusisë, ngrinte më shumë pyetje sesa jepte përgjigje.
Kritikët e Iranit e akuzojnë këtë vend se po synon të prodhojë bombë atomike dhe thonë se Teherani vazhdimisht përdor diplomacinë thjesht për të fituar kohë. Bisedimet pa rezultat pritet të ofrojnë pak garanci për Izraelin, i cili kërcënon se do ta bombardojë Iranin për ta parandaluar prodhimin e bombës.
Izraeli besohet se është vendi i vetëm në Lindjen e Mesme që disponon bomba atomike. Të gjitha palët janë të vetëdijshme se dështimi i diplomacisë mund të sjellë afrimin e luftës, por gjithsesi tani për tani të gjithë po flasin për vijimin e përpjekjeve diplomatike. Në fund, një marrëveshje duket më larg se kurrë.
Ne kemi pasur një ndryshim të rëndësishëm, por ende ka një diferencë të madhe mes palëve. Ne po mendojmë se çfarë të bëjmë tani, tha një diplomat perëndimor në kushtet e anonimatit. Të shtunën, shefja e diplomacisë së BE-së, Catherine Ashton, zhvilloi një takim veçmas me përfaqësuesin e Iranit.
Media iraniane foli për takime shumë të frytshme me delegacionet e Rusisë dhe Kinës, por nuk dha detaje shtesë. Pekini dhe Moska kanë lidhje tregtare me Teheranin dhe kanë mbështetur sanksionet mbi Iranin të vendosura në vitin 2006, por kanë kritikuar masat më të ashpra njëanëshe të imponuara nga Perëndimi.
Shpresat për marrëveshje qenë të pakta kryesisht për shkak se në Iran priten zgjedhje në qershor dhe kjo gjë bëri që oferta për lehtësim të sanksioneve në këmbim të heqjes dorë nga disa procese bërthamore të mos pranohej.
Bisedimet, nuk ka marrëveshje me Iranin burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta SHQIP Abonohuni me Email