MACJA E SCHRODINGER-it DHE RAMA
AHMET DURSUN
Macet janë produktive këtë periudhë. Të njëjtat britma, të njëjtat klithma, të njëjtën shamatë. Por, analistët politikë janë shterpëzuar me sa duket! Shterpë ishte analiza mbi numrin e anëtarëve në KQZ, numrin e votuesve, dëshmorëve të vrarë apo shifrave të moralit politik!
Zhvillimet e fundit e bënë Ramën politikanin më të spikatur pas Skënderbeut. Nëse do ta kish dashur pushtetin, Rama do ta kishte marrë me lehtësi që në 2009-n, por ai, me një durim prej budisti, priti 4 vite vdekjen e Chavez-it; përkeqësimin e shëndetit të Kastros dhe luajtjen mendsh të dynjasë, sidomos timen.
E kuptova edhe unë, më në fund, se qëllimi i tij paskësh qenë të inspirojë të gjithë socialistët e botës e tu tregojë se ringjallja socialiste shqiptare do ti ringjallë dhe ata, pa dyshim!
Në këtë pritje të gjatë, më tepër se me kulisat e politikës në Shqipëri, apo me analet e gjeopolitikës së Brukselit, Rama qenkësh thelluar në shkencën e fizikës. I ka marrë me radhë gjithë veprat e fizikanëve që kanë fituar çmimin Nobel, duke sjellë kësisoj një risi në mendimin politik botëror, si kurrë më parë!
Të shndërrosh qenin e Pavlovit në macen e Schrodinger-it është një revolucion, më i rëndësishëm se vetë Revolucioni i Tetorit!
Erwin Schrodinger mbante një mace në shtëpi. Teksa punonte në dhomën e tij, një ditë u kthye nga macja dhe pa se miu po luante paturpësisht me bishtin e saj. U ndie i fyer nga sjellja e maces dhe vendosi ta hiqte sysh. E futi në një kuti dhe në një cep të saj vendosi kocifoz radioaktiv. E mbylli mirë e mirë kutinë dhe u kthye te tavolina e punës. Mendja i mbeti te macja, ama. Nëse macja nuk do të lëvizte, do të mbetej gjallë; nëse do të bëhej kurioze, do të ngordhte në vend. 50 me 50! Por, pa u hapur kutia nuk merrej vesh.
I njëjti qëndrim, i njëjti ligjërim, i njëjti paralajmërim për elektoratin: Pyetjet e tepërta pse jemi veç e veç me një letër janë pavend deri sa të hapen kutitë e votimit. Pra, kësaj here, heshtja kapak floriri, është edhe Revolucion.
Unë për veten time, besoj te ringjallja.
Jam i bindur se në fëmijëri kam bërë mjaft eksperimente shkencore, por nuk ma ka varur njeri! I kam torturuar që çke me të kafshët, por vetëm sot, e kuptoj se paskam qenë zgjatimi i fizikanëve të fillimshekullit të 20. Pa më rënë kurrë në vesh për Schrodinger-in, unë fëmijë, i lidha me njëra-tjetrën dy mace nga bishti. Njërën e vura mbi çimenton e lëmuar, kurse tjetrën në tokë. Nuk e kuptoja se cila ishte më e forta, derisa mes katrrithjesh e mjaullimash ajo që xhironte në vend mbi çimento, doli në tokë
Eksperimenti më i arrirë ishte kur i lidha një gur në kurriz një bretkose dhe e vura të kërcente, por nuk mundej. Ia hoqa gurin duke i lënë vetëm fijet, por përsëri nuk kërcente.
Pa këputur fijet që të mbajnë lidhur, askush nuk mundet!
Kam bërë edhe një eksperiment tjetër me një mizë në adoleshencë, por këtë më mirë po jua kursej
MACJA E SCHRODINGER-it DHE RAMA burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta SHQIP Abonohuni me Email