E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bisedimet teknike Prishtinë-Beograd, pezull

Prishtinë -Bisedimet teknike midis Prishtinës dhe Beogradit, ende nuk dihen se kur do të nisin. Zëdhënësi i UNMIK-ut Aleksander Ivanko tha se asnjëra palë nuk është në gjendje që të saktësojë datën e fillimit të dialogut për çështje teknike si policia, doganat, gjyqësia, infrastruktura, trashëgimia kulturore serbe, ndërsa Kombet e Bashkuara dhe BE-ja janë të gatshme të ndihmojnë këto bisedime.

Ivanko mohoi të ketë ndonjë vakum institucional për komunitetin serb, duke thënë se KFOR-i ka 15 mijë ushtarë, EULEX-i një mijë policë, ndërsa ekziston edhe policia e stërvitur shumë mirë e Kosovës. Ai tha se UNMIK-u nuk ka lidhje me formimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, duke shtuar se me këtë çështje merret NATO-ja. Ivanko gjithashtu hodhi poshtë pohimet se po i bëhen lëshime palës shqiptare, duke thënë se UNMIK-u merr udhëzime nga Këshilli i Sigurimit.

"Gjatë dy viteve të kaluara ka pasur shumë pak krime me motive etnike në Kosovë, kurse atje ku nuk kemi pasur sukses është çështja e kthimit", tha Ivanko për gazetën "Veçernje novosti". Duke folur për detyrat e UNMIK-ut në peridhën e ardhshme, Ivanko tha se UNMIK-u do të bëhet "një mision politik i cili do të bëjë përcjelljen dhe raportimet politike, pasi sipas rezolutës 1244, duhet rregullisht t'i raportojmë KS. Gjithashtu ekzistojnë disa aranzhmane ndërombëtare ku Kosova nuk është e njohur dhe ku e përfaqëson UNMIK-u", tha Ivanko.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›