Lejohet n’verë

Prodhuesit kosovarë duhet të presin edhe disa muaj që t’u hapen rrugët për eksportin e mallrave të tyre drejt tregjeve të Bashkimit Evropian. Kthimi i preferencave tregtare të BE’së për Kosovën do të mundësojë që prodhimet kosovare të vazhdojnë të kalojnë në tregun evropian pa iu nënshtruar tarifave doganore.
Kosova deri në fund të vitit 2010 i ka pasur këto preferenca, të cilat i ka vendosur Bashkimi Evropian për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor. Mungesa e tyre gjatë kësaj periudhe të këtij viti u ka sjellë humbje prodhuesve vendorë.
Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Lila, tha se për kthimin e këtyre preferencave kanë filluar edhe bisedimet me Komisionin Evropian dhe së shpejti thotë se do të udhëtojnë edhe në Bruksel për të diskutuar për këtë çështje.
Ajo shpreson se për një kohë shumë të shkurtër do të arrijnë marrëveshje me shtetet e BE’së për kthimin e këtyre preferencave.
“Ne kemi filluar të përgatisim edhe materialin për këtë marrëveshje dhe shumë shpejt do të udhëtojmë në Bruksel që të bisedojmë me shtetet anëtare të BE’së që të mundësojnë kthimin e preferencave tregtare”, thotë ministrja Lila. Ajo tregon se presin rezultate edhe nga bisedat e filluara me Komisionin Evropian.
”Në këtë drejtim kemi filluar bisedimet edhe me KE dhe shpresojmë të arrijmë rezultate pozitive”, tha Kusari-Lila. Sipas saj, kjo marrëveshje është ndërprerë për shkak se është kërkuar ndryshimi i emrit të Kosovës, pasi që në atë kohë UNMIK’u ka qenë nënshkrues i saj. Sekretari në Ministrinë e Integrimeve, Edon Cana tha për Express se Komisioni Evropian i ka rekomanduar Këshillit dhe Parlamentit Evropian që masat tregtare të zgjaten edhe për pesë vjet.
Ai thotë se për të mundësuar kthimin e preferencave ata do të zhvillojnë edhe takime në Bruksel së bashku me përfaqësuesit e ministrive përkatëse të vendit.
“Ne do të bëjmë vizita në Bruksel dhe jemi të bindur se këto preferenca do të arrijmë t’i kthejmë gatë verës”, ka thënë Cana. Përderisa mungesa e këtyre lehtësirave tregtare për eksportin e mallrave jashtë vendit, i ka goditur prodhuesit vendorë. Ata që nga muaji janar, kur edhe nuk janë vazhduar më këto preferenca, kanë eksportuar 10 për qind më pak se vitin e kaluar. Përveç kësaj, ata rrezikojnë të ulin prodhimin e me këtë rast do të jenë të detyruar të largojnë punëtorët nga kompanitë e tyre. Nëse ky vendim për preferenca sërish fuqizohet për Kosovën, atëherë produktet kosovare do të vazhdojnë të kalojnë në tregun evropian pa iu nënshtruar tarifave doganore.
Një nen në këtë vendim sqaron se nëse gjatë kësaj periudhe, bizneset kanë paguar doganat për produktet e tyre, ajo shumë duhet t’iu kthehet kompanive në mënyrë retroaktive. Komisioni Evropian i kishte vendosur këto masa për të gjitha vendet që janë pretendente për t’u futur në bllokun 27-anëtarësh, në mënyrë që të mbështesin integrimin ekonomik me BE-në, të forcojnë stabilitetin politik dhe përparimin ekonomik në mbarë rajonin. Vendimi i Komisionit Evropian u lejon vendeve të Ballkanit Perëndimor që t’i eksportojnë prodhimet e tyre në tregjet e Bashkimit Evropian pa tarifa doganore apo kufizime mbi sasitë. Ky vendim është nënshkruar në vitin 2000, është ripërsëritur në 2005-ën, për të skaduar më 31 dhjetor të vitit 2010.