E Diel, 1 Nëntor 2026

Bisedojnë prapë në Bruksel, por pa rezultat

Një progres i madh është bërë gjatë dialogut dyditor në mes grupeve punuese të Prishtinës dhe Beogradit, por nuk është arritur asnjë marrëveshje, thuhet në komunikatën e Komisionit Evropian.

Ndërsa, Maja Kocijançiç, zëdhënëse e përfaqësues së lartë të Bashkimit Evropian, Catherine Ashton, iu ka thënë gazetarëve se deri më tani është bërë progres i rëndësishëm, por që mbetet shumë punë për t’u bërë.

Temë kryesore e bisedimeve ka qenë zbatimi i marrëveshjes për Menaxhimin e Integruar të Kufirit (IBM). Nnë përputhje më praktikat e deritanishme, pjesëmarrësit në takim nuk janë adresuar për media.

Kocijançiç tha se BE-ja pret edhe një takim të ri së shpejti, pas konsultimeve të nevojshme të grupeve punuese.

Dialogu teknik është pjesë e përgatitjeve për takimin e ardhshëm në mes kryeministrit, Ivica Daçiq dhe homologun e tij, Hashim Thaçi, në fillim të dhjetorit.

Siç është rënë dakord më parë, zbatimi i marrëveshjes për menaxhimin e integruar të pikave të kalimit duhet të fillojë më 10 dhjetor. Në fillim në 2 nga 6 vendkalimeve përgjatë vijës administrative që ndan Serbinë me Kosovën.

Shefi i ekipit të Beogradit Dejan Paviçeviq ka thënë më parë se ai do të kërkojë që doganierët e Kosovës të jenë të pranishëm në kalimin vetëm si vëzhgues, ndërsa zyrtarë të EULEX-it që kryejnë të gjitha punët.

Zbatimi i marrëveshjes është një nga kërkesat e përcaktuara nga Brukseli për Serbinë në mars të këtij viti, si kusht për dhënien e statusit kandidat për anëtarësim në BE. /kosovapress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›