E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nis patrullimi i MUP-it serb

Derisa rreth 150 serbë kanë protestuar në sheshin “Vëllezërit Miliq”, në afërsi të urës kryesore të Ibrit, pjesëtarë të MUP-it serb, në rroba civile dhe të armatosur kanë nisur patrullimin në rrugën “Kollashinska”, që dërgon në drejtim të Suhadollit dhe në rrugën “Osllobogjenje”, që çon në “Lagjen e Boshnjakëve”.

Është realizuar në fakt paralajmërimi i kryetarit ilegal të Mitrovicës, Kërstimir Pantiqi, i cili në një komunikatë për mjetet e informimit, por edhe në protestën e serbëve, të mërkurën, ka thënë se për sigurinë e serbëve të veriut tani e pas do të përkujdesen pjesëtarët e të ashtuquajturës “Civilna Zastita”, e që në fakt janë pjesëtarët e MUP-it serb, shkruan Zëri

Në anën tjetër, gjatë mbajtjes së protestës, në afërsi të urës janë vërejtur forca të shtuara të KFOR-it, EULEX-it dhe të Policisë së Kosovës, të cilët me më pak vëmendje kanë mundur t’i vërejnë pjesëtarët e MUP-it serb duke patrulluar.

Pantiq ripërsëriti se serbët janë duke protestuar kundër strategjisë gjithëpërfshirëse të hartuar nga shqiptarët në bashkëpunim me një pjesë të bashkësisë ndërkombëtare, qëllimi i së cilës është okupimi i veriut të Kosovës dhe shtrirja e institucioneve të Prishtinës në këtë pjesë të vendit.

Ai tha se serbët janë kundër marrëveshjes për menaxhimin e integruar të kufijve dhe kundër rindërtimit të shtëpive të shqiptarëve.
“Nuk do të lejojmë që nga ne të krijojnë kosovarë, e nga veriu i krahinës edhe një shtet shqiptar, respektivisht Shqipërinë e Madhe”, tha Pantiq, i vetmi folës në protestë, i cili u tha serbëve se ai i kishte ftuar përfaqësuesit e UNMIK-ut që të reagojnë dhe të mos lejojnë ndërtimet e egra në lagjen “Kroi Vitakut”, por siç tha ai, “udhëheqësit e këtij misioni janë zhdukur nga Mitrovica”.

Ai shtoi se EULEX-i është mision i dështuar, i cili ka ardhur për ta krijuar shtetin e shqiptarëve./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›