Biserko: Veriu mbetet peng i radikalëve
Politika e Serbisë ndaj Kosovës ka ndryshuar dhe bisedimet e ardhshme ndërmjet dy vendeve duhet të zgjidhin çështje praktike për jetën e qytetarëve, tha kryetarja e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, Sonja Biserko.
Në një intervistë për Radio Kosovën, ajo, po ashtu, tha se veriu mbetet peng i një grupi radikalësh serbë.
Problemi i veriut, sipas Biserkos, është faktorizuar për shkak se Beogradi mban kontrollin në atë pjesë dhe se veriu i Mitrovicës, në të vërtetë, siç u shpreh ajo, është peng i një grupi njerëzish radikalë, të cilët janë të lidhur ngushtë me partinë e Koshtunicës dhe atë të Nikoliqit.
"Megjithatë, Beogradi zyrtar, deri më tash, nuk ka bërë përpjekje të mjaftueshme, që kjo çështje të zgjidhet. Por, është e rëndësishme që bashkësia ndërkombëtare, e cila ka mandat, në veçanti EULEX-i, të bëjë sa më shumë në integrimin e veriut me pjesën tjetër të vendit dhe që veriu, sa më parë, të lidhet me Prishtinën, si qendër administrative, dhe jo me Beogradin”, ka thënë ajo.