E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vetëvendosja “skuq” rektorin Rugova

Nga Express më 15 shkurt 2011 në ora 12:27

Gjatë mbajtjes së ceremonisë së 41 vjetorit të themelimit të Universitetit të Prishtinës, derisa rektori Mujë Rugova mbante fjalën e rastit, dy aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje i hodhën ngjyrë të kuqë rektorit Rugova, ndërsa rektori i zënë në befasi, i falënderoi studentët dhe tha se jemi në demokraci dhe në demokraci ndodh.

Në përfundim të fjalës së tij, Rugova mori një përkrahje morale nga të pranishmit në sallë, ndërsa i falënderoi studentët që u kujdesën t’i japin ngjyrë të kuqe më shumë.

“Unë vesha sot rrobe të zeza me një kravatë të kuqe, faleminderit për studentet se nuk kisha vu mjaft ngjyrë të kuqe”, tha ai.

Ndërsa, para se të merrnin një akt të tillë, aktivistët e Lëvizjes Vendvendosje paraprakisht kishin mbajtur një aksion simbolik para Universitetit të Prishtinës. Astrit Dehari ka thënë se sot pas 41 vjetësh Universiteti i Prishtinës në vend se të ishte i modernizuar e në hap me universitetet evropiane ai gjendet në gjendje të mjerueshme.

“Por ne i tërheqim vërejtjen Rektorit, Këshillit Drejtues të Universitetit dhe Ministrisë së Arsimit për vendimet që kanë paralajmëruar të merren, si shkurtimi i bursave dhe rritja e pagesave për semestër, se ne studentët e UP-së do të organizohemi me të gjitha format për të mos lejuar zbatimin e vendimeve të tilla”, tha Dehari.

Më pastaj ata kanë shkuar në drejtim te Fakultetit të Filologjisë ku edhe e kanë skuqur me ngjyrë rektorin e UP-së, Mujë Rugova, derisa ai ishte duke mbajtur fjalim me rastin e shënimit të 41 vjetorit të UP-së.

Pas disa minutash ka intervenuar policia, e cila i ka arrestuar dy aktivistët e Vetëvendosjes. Para se të intervenonte policia, aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje ishin rrahur nga disa persona të pa identifikuar, të cilët e quanin vetën sigurim, ndërsa sipas burimeve të Kosovapress-it në rrahje ka marrë pjesë edhe një anëtar i Parlamentit Studentor.

Të arrestuarit janë Ron Gjinovci dhe Durim Jashari

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›