Policia, e përkushtuar për ta ndal krimin

Policia rajonale e Ferizajt ka prezantuar të martën rezultatet e tri planeve operative të ndërmarra së fundi, të cilat kanë rezultuar me prangosjen e 19 personave si dhe sekuestrimin e shumë sendeve me vlerë.
Drejtori rajonal i policisë së Ferizajt, koloneli Izet Azizi ka thënë se këto operacione janë kryer në periudhën kohore prej 1 janarit deri më 15 shkurt, dhe si synim kanë pasur ngritjen e nivelit të sigurisë për qytetarët, zbulimin dhe kapjen e kryesve të veprave penale, të cilat kanë qenë kohëve të fundit shqetësim për qytetarët e rajonit të Ferizajt.
“Grabitjet me maska dhe me armë e bizneseve, kazinove dhe bastoreve, vjedhjet misterioze të shtëpive të boshatisura në Babush të Serbëve si dhe rrezikimi i nxënësve nëpër shkollat e rajonit dhe vepra tjera, të cilat drejtpërdrejt apo tërthorazi kanë ndikuar në rritjen e pasigurisë së qytetarëve”, theksoi drejtori Azizi.
Për më tepër bëhet e ditur se tri planet operative të koduara si “Siguria në shkolla”,”Vjedhjet në Babush” dhe “Ekonomia joformale dhe grabitjet” kanë rezultuar me zbulimin dhe kapjen e 19 personave të dyshuar.
“Gjatë kësaj periudhe janë arrestuar 16 persona për vjedhje, 2 për grabitje dhe 1 për posedim dhe shpërndarje të narkotikëve” ka thënë kolonel Izet Azizi.
Si rezultat i këtyre veprimeve operacionale, janë konfiskuar edhe sasi e madhe e sendeve të vjedhura dhe substancave narkotike, përfshirë edhe kontrollimin e 40 subjekte ekonomike kazino dhe bastore në Ferizaj, Kaçanik, Shterpcë she Shtime.
Mësohet se me këtë rast policia ka sekuestruar 25 kompjuterë, 128 automate të videolojrave dhe 6 rolete.
Lidhur me këtë operacion, oficeri për krime ekonomike në policinë rajonale të Ferizajt, Selajdin Shahini, ka thënë se policia ka bashkëpunuar në implementimin e një plani në përkrahje të Administratës Tatimore të Kosovës dhe inspektorëve të lojërave të fatit.
“Janë bastisur 36 subjekte të lojërave të fatit dhe 20 bastore sportive. Nga kjo ka rezultuar se prej 422 automatëve të lojërave të fatit, 128 kanë qenë të pa licencuar, 246 aparate pa barkode, ndërsa 43 lokale nuk kanë pasur leje pune në nivel komunal. Si rezultat i këtyre parregullsive janë mbyllur 40 lokale dhe janë konfiskuar pajisje me vlerë”, tha Shahini.
Ndryshe, policia njoftoi se kjo përbën vetëm fazën e parë të operacionit dhe se policia është e vendosur që të vazhdoj edhe me tutje me fazat tjera, pas informacioneve se disa prej lokaleve të mbyllura janë rihapur përsëri pa lejen e organeve kompetente.(Kosovapress)