Bit Boys: “Synimi ynë të bëjmë sa më shumë fansa për vete”
Janë shumë të rinj, e tashmë e kanë marrë pëlqimin. Ndaj nuk ka qenë rastësi që dje në mesditë me këngët e tyre “Merre zemrën” dhe “Xhelozia” kanë ekzaltuar shumë të rinj në “Fever club”, ku ishin ftuar të performonin nën ritmet e tyre plot energji Pop-R&B. Ata janë Kevini dhe Fationi, dy këngëtarët e grupit “Bit boys” të cilët synojnë famën. Ja ç’tregon Kevin Hysenbelli.
Keni krijuar një grup muzikor me një emër interesant, cili është synimi i “Bit Boys” në muzikë?
Synimi ynë është të marrim famë, të pëlqehemi, të bëjmë fansa për vete.
Grupi juaj përbëhet nga dy djem, por në party-n e djeshëm bashkë me ju kënduan dy vajza. Mund të na tregoni diçka më shumë?
Po, grupi përbëhet nga unë Kevini, që jam 16 vjeç dhe Fationi, 25 vjeç. Ndërkohë që për ta bërë performancën më interesante, menduam të ftonim edhe dy vajza shumë simpatike, Kridin dhe Merin.
Ju i krijoni vetë këngët tuaja, çfarë muzike është kjo që bëni?
Muzika jonë është Pop-R&B dhe synimi ynë është të këndojmë muzikë me shumë ritëm. Do të vazhdojmë të bëjmë këngë sipas dëshirës sonë pasi siç e thatë dhe ju jemi vetë autorë të muzikës dhe teksteve, ndërsa orkestrimet i realizojmë pranë “Grekli Studio”.
Ku i keni lançuar këngët deri tani, dhe çfarë synoni më tej?
Deri tani kemi marrë pjesë në koncerte, festa e fushata të ndryshme, ndërsa jemi duke punuar për këngë të reja të bukura, me të cilat synojmë të marrim pjesë në festivalet “Top Fest” dhe “Mikrofoni i Artë”.
Deri tani si janë pritur këngët tuaja?
Po kemi fansat tanë, për dy këngët “Merre zemrën” dhe “Xhelozia”. Të rinjtë kërcejnë shumë me muzikën tonë.
Ju vetë çfarë muzike dëgjoni, dhe a keni ndonjë këngëtar apo grup të preferuar?
Po, na pëlqejnë këngët ritmike, dhe pëlqejmë shumë këngët e “Fifty cent”.