PS, Bushati: Të hetohen Basha e Mediu
Partia Socialiste pas publikimit të Progres Raportit të Komisionit Evropian i kërkon qeverisë zbatimin e disa etapave që synojnë për të realizuar reformat e kërkuara. “Në mënyrë që aplikimi për anëtarësim i Shqipërisë të mos shtyhet pafundësisht, i kërkojmë Kryeministrit dhe kryetarit në detyrë të PD-së, që në përputhje me gjetjet e Progres Raportit të KE të ndërmarrë veprimet e mëposhtme: Të dorëzojë para drejtësisë ministrat Mediu e Basha në mënyrë që opinioni publik shqiptar dhe ai ndërkombëtar të marrë përgjigje përfundimtare për personat përgjegjës të krimit shtetëror të Gërdecit dhe gropës megakorruptive të segmentit Rrëshen Kalimash”, tha deputeti Bushati. Ai shtoi se “qeveria duhet të zbatojë të gjitha vendimet e gjyqësorit në lidhje me administratën publike dhe të dorëzojë para drejtësisë të gjithë zyrtarët e lartë, që duke abuzuar me taksapaguesit shqiptarë paguajnë tre persona për të njëjtin vend pune”.